Jeruzalemi dhe “fjalori” i verbërisë mbarënjerëzore - Nga Kim Mehmeti
- Published in Andej-Këtej

Kim Mehmeti
Mediat raportojnë për dhunën e policisë izraelite mbi besimtarët myslimanë dhe xhaminë Al-Aksa. A e keni vërejtur: sa herë që palestinezët e mbrojnë vetveten duke i goditur policët izraelite me gurë, bashkësia ndërkombëtare bën thirrje që të ndërpritet dhuna, e kur policia izraelite zbaton terror mbi palestinezët, po ajo bashkësi ndërkombëtare, u bënë thirrje “palëve” që t’i vazhdojnë bisedimet.
Kështu e ka kjo botë ku prej moti është varrosur e vërteta dhe humanizmi ndaj të dobëtit e të pambrojturit.
Dhe si kjo botë e vret të vërtetën palestineze, më së miri e pasqyrojnë mediat e dikurshme dhe këto të sotmet!
Dikur mediat raportonin për “luftën në territoret e okupuara palestineze”. Sot ato informojnë për “konfliktin izraelito-palestinez”?!
Pra ato sot e barazuan okupatorin dhe atë që e mbron atdheun e vet!
Ne jetojmë në kohë kur “fjalori” informativ e përcakton të vërtetën dhe e mbulon realitetin e hidhur. Andaj, ndoshta “vrasësit” më të rrezikshëm të sotëm nuk janë ata që mbajnë armët në dorë, por ata që e shpikin dhe e kontrollojnë “fjalorin” e verbërisë dhe shurdhërisë mbarënjerëzore, e ku bëjmë pjesë edhe ne që heshtim dhe e besojmë atë.
Por duhet të jemi të drejtë: palestinezët janë viktimë e botës arabe dhe asaj myslimane, në të cilën botë vritet dhe sharrohet trupi i gazetarit që guxon ta kritikojë diktatorin, botë e cila ka thuajse vetëm një fe - atë të dollarit!
Dhe që të mos dalë që nuk e di se këto qëndrime të një “prolindori” e “islamisti” siç jam unë do i irritojnë të gjithë shqiptarët “properëndimorë” po e ripërsëris: unë mburrem me shqiptarët e mi që gjatë Luftës së Dytë Botërore rrezikuan interesin e tyre dhe vetveten, vetëm për t’i mbrojtur hebrenjtë e rrezikuar nga nazistët gjermanë. Njësoj siç mburrem me mirënjohjen e përjetshme shqiptare ndaj gjithë atyre që e ndihmuan çlirimin e Kosovës.
Kjo mburrje është ajo që më bën të turpërohem nga shqiptarët që thonë se shkaku i “interesave” tona kombëtare, ne nuk duhet të shikojmë gërmadhat e shtëpive palestineze, mbi të cilat ndërtohen vendbanimet hebreje, e as duhet të shohim fëmijët e vrarë nga ushtarët izraelitë, por gishtin e gërvishtur të ushtarit hebre, nga gurët e protestuesve palestinezë?!
Për mua pra, nuk ka interes më madhor njerëzor se të jesh nga ana e pafajësisë dhe e viktimës, bile edhe atëherë kur e dinë se i takon një populli të vogël, i cili me asgjë nuk mund të ndikojë e t’i ndryshojë rrjedhat globale, por që mund ta ndryshojë vetveten, që mund të bëhet më i ndjeshëm ndaj dhembjes njerëzore, që mund të dëshmojë se ka zemër mjaftueshëm të madhe sa për ta përfshirë në të dashurinë dhe dhembshurinë për të gjithë fatkeqët e kësaj bote, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike e fetare.
Më në fund, ai që shkaku i interesit të vet, aq është verbëruar e shurdhuar, sa nuk i sheh plagët e tjetrit dhe nuk i dëgjon piskamat e fatkeqit, me asgjë nuk e meriton keqardhjen e të tjerëve dhe, me asgjë nuk ndryshon nga ata që shkelin mbi gjakun dhe fatin e të pambrojturve!
©Kim Mehmeti
Opinionet e shprehura në rubrikat e ndryshme nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht mendimin e botuesit të Flasshqip.ca.



