Mësuesja e fshatit - Nga Bamir Bebeziqi
- Published in Andej-Këtej
Kam shkruar për mësuesit e familjes sime e kujtoj se disa prej tyre, e filluan dhe e mbaruan mësimdhënien nëpër fshatra. U rropatën në kohë të bukur e me shi, në erë e ngricë, sipër biçikletave apo duke pritur autobuzët, për të mbajur familjet e tyre e për të mësuar fëmijët e fshatarëve. Kam një simpati për ta e mendja me shkon tek poeti ynë i shquar Migjeni, i cili shkonte, megjithëse ishte me tuberkuloz, jepte mësim në Vrakë apo në Pukë, në mes të ftohtit e ngricave të dimrit të atyre zonave.
Kujtoj një mësuese të bukur nga Durrësi, të cilën e kam njohur qysh fëmijë, pasi ishte nxënësja e tim eti dhe njëkohesisht e kisha në rrethin tim familjar. Punoi gjithë kohën fshatrave dhe kujtoj, se duke kaluar vitet e unë rritesha, asaj pak nga pak filloi t’i ikë freskia, por asnjëherë bukuria e shpirtmadhësia. Në vitin '91 mori rrugët e shkoi në Itali, pa gjetur asnjëherë fatin në Shqipëri,
Ngaqë punova plot katër vjet në Radiostacionin e Fllakës, kam patur rastin, që në autobuzin e Radiostacionit, të njoh shumë mësues fshati. Kujtoj edhe shoket e mi, Landin, Ardin, Nonin apo Tanin, të cilët i shikoja rregullisht, duke pritur autobuzin e Sukthit, i cili nisej çdo mëngjez përpara “Dyqanit të Pionierit”.
Para disa ditësh, më bëri përshtypje një poezi e bukur e Ritës, një shoqes sime, e cila ia kushton rrogës së parë që ajo merrte si mësuese fshati, diku në fshatrat e thellë të Dibrës e dhuratat që i kishte bërë prindërve të saj. Më preku pa masë dhe me erdhi ndër mend, një histori e trishtë.
***
Nga fundi i viteve '80, një ditë korriku, mora trenin e fundit të orës 9:30 nga Tirana, për në Durrës. Treni i fundit, zakonisht qëndronte në stacion dy orë para se të vinte koha e nisjes e unë hyra në njerin nga vagonët pak më herët, zura vend në një sedilje boshe katër vendëshe, mbështeta kokën tek xhami i dritares e fillova të dremis. Më zgjoi nga gjumi zhurma e bilbilave tëfaturinove e fërshëllima e lokomotivës, që lajmëronin se treni ishte gati për nisje e në atë çast, një vajzë, të cilën e njoha si fytyre nga gjimnazi, ulet në sediljen përballë. E shikova e u përshëndetëm. E kuptova që më dha të njohur, megjithëse nuk kishim folur ndonjëherë e nuk i dija as emrin. Kishin kaluar 8, 9 vjet, qysh nga përfundimi i matures, që nuk e kisha parë.
Në momentin që treni u nis, të gjitha dritat e vagonit u fikën njëkohësisht, e çdo gjë u mbulua nga errësira. Faturino lajmëroi se ka një difekt ndriçimi dhe treni do të nisej në atë gjëndje.
Treni u nis e ashtu në errësirë, shikoja silueten e vajzës e cila ndriçonte herë pas here nga ndonjë dritë anash rrugës e kjo vazhdoi deri sa kaluam Kasharin e më pas, errësira pushtoi krejt vagonin. Ndriçonin vetëm dritat e fshatrave dhe yjet. Ashtu, pa patur mundësinë që të shikonim njeri tjetrin, filluam të bisedonim, sikur të kishim një jetë shoqëri. Më tregoi se kishte përfunduar studimet për matematikë- fizikë në Shkodër e jepte mësim në një fshat të Pukës. Më tregoi për vështirësitë e zones, të mësimdhënies e sidomos të komunikacionit. Dukej vajzë e zgjuar dhe shumë e kulturuar.
Më pas më pyeti se ku punoja e me çfare merresha. I tregova për veten e kur ra fjala për plazhin, i them se meqë punën e kisha me turne, plazhin e bëja tek muri i Vollgës, diku përballë pishinës.
Për një kohë folëm per gjëra të përgjithshme e më pas dolem tek librat, Në atë kohë sapo kisha lexuar “Harkun e Triumfit” e bisedën e devijova pikërisht tek ai libër. Fillova t'i tregoj përmbajtjen e librit, ngadalë, ngadalë e ajo humbi, nuk fliste e nuk foli deri sa arritëm në Durrës. Mua më kishte entuziazmuar ai libër, e kisha lexuar tri herë në një periudhë të shkurtër kohe duke e mësuar pothuaj përmendësh.
Flisja për Ravikun e Xhoanë Madunë, e vajza vetëm dëgjonte e dëgjonte e më krijoi përshtypjen sikur nuk donte, që rruga të përfundonte. Në afërsi të Durrësit, dritat e vagonit ndriçuan dhe ne u pamë sy ndër sy. Nuk kisha shkuar as tek gjysma e librit e më duhej ta lija aty.
Në stacionin e trenit i kishte dale i vëllai për ta pritur e ajo zbriti shpejt duke më thënë veç një “natën e mirë”.
Pas rreth dy javësh, duke bërë plazh tek muri Vollgës, shikoj nga larg një vajzë me një fëmijë për dore, e cila po ecte mbi mur e sa herë ndeshej me ndonjë pengesë, zbriste poshtë në rërën e ngjeshur e të lagur e hipte përsëri mbi mur e kur më shikoi, ndaloi e më përshëndeti. Ishte mësuesja, e ajo, në ato pak sekonda takimi mo thotë:
- “E lexova “Harkun e Triumfit”, më pëlqeu shumë.”
Une e shikoja, ajo më shikonte. Qëndruam të dy ballë për ballë në heshtje për pak sekonda dhe heshtjen e prishi veç vajza e vogël.
- “Halla, vazhdojmë, se më pëlqen të eci mbi mur".
Vajza e vogël filloi të terheqë hallën nga dora e ashtu u larguan. I ndoqa me sy deri sa shkuan tek fundi i murit, tek Brryli, e kur u kthyen, nuk morën murin përsëri, por dolën në rrugën kryesore.
Nga ajo ditë, nuk e pashë më mësuesen e fshatit e uroj me gjithë zemër, të ketë gjetur Ravikun e saj.
©Bamir Bebeziqi



