Andej-Këtej

Vajza e prefektit - Nga Bamir Bebeziqi

Kisha ndaluar makinën ngjitur me trotuarin pranë një kioske për të blerë disa suvenire për miqtë e mi në Kanada, e papritur u ndesha ballë për ballë me një grua të moshuar, e cila mbante një çante dore të shtrënguar në gjoks. Më duket se e njoha.  Në fillim nuk i besova syvë nëse ishte ajo, pasi ishte veshur keq e krejt pa gusto, por kur përqëndrova shikimin… po... po ishte ajo. Ishte zonja Klotildë, ndonësë mbi 80 vjeç, vazhdonte të rrezatonte bukuri e fisnikëri.

-Zonja Klotildë, gëzohem që ju shikoj pas kaq vitesh - i them, duke u përpjekur për ta ndaluar.

Zonja stepi pak, shtrëngoi më shumë çantën pranë vetes e më shikoi disi me frikë.

-Nuk po ju njoh, nuk kam as edhe gjyslyket për afër... Prit pak - e filloi të rrëmonte diçka nëpër çantë.

-Jam Ermiri, nuk ka nevojë të vini syzet - i them duke i buzëqeshur

Gruaja u përpoq të pastrojë pak shikimin dhe sytë e saj akoma të bukur bojë qielli shdritën për një çast.

-Uh Ermir, kur paske ardhur? Me mamin tënd kam kohë pa komunikuar në telefon. Sa keq që ika nga Durrësi e më zgjati dorën, por jo vetem kaq, më përqafoi dhe sytë ju njomëzuan.

-Qeshë në bankë, e më zuri frika kur më ndalove, mendova se po më sulmonin. Mora këstin e burgut të tim eti, e sa herë që e marr, kam frikë të eci rrugëve të Tiranës, sidomos në autobuz, por e kam gjetur, vishem keq e përpiqem të dukem si e vuajtur që mos t’i tërhëq vëmendjen njeriu…por përsëri frika më pushton.

-Zonja Klotildë, më tregoni se ku e keni shtëpinë se ju çoj unë me makinë.

-Faleminderit shumë Ermir, por e kam larg, tek Porcelani, tek parafabrikatet. Aty e ka shtëpinë Tina, vajza e vogël. E kujton? Më atë jetoj, qysh kur u martua para 20 vjetësh.

E mora gruan në makinë dhe ecëm rrugëvë të Tiranës në atë rrëmujë, shoqëruar me pluhur e vapë e mezi e gjej rrugën deri tek Porcelani. Ndaloj mu përpara pallatit të saj, dal nga makina dhe e ndihmoj që të zbresë.

-Hajde në shtëpi e pimë një kafe bashkë Ermir. Jam vetëm. Fëmijët e Tinës kanë ikur në plazh diku në jug. Nuk e kam pirë kafen e mëngjezit sot, pasi nuk doja që të më rritej tensioni e të rrëzohesha rrugëve të Tiranës. Hajde llafosim pak. Kam kohë pa folur me të njohur të një kohe të largët. Dua të pyes për nënën, për familjen tënde, si jetohet në Kanada, pasi edhe kjo e vogla e ka mendjen për të ikur. Eh Ermir, unë nuk dua që të ikin, pasi do të mbetem e vetme. Kush e do plakën për barrë nga pas. Nuk kam më fuqi...jeta dhe vuajtjet më kanë lodhur shumë. Nuk mundem më, por edhe vdekja nuk e kuptoj se si nuk më merr. Nejse, nuk dua të mërzis, nuk dua të ankohem. Në këtë botë nuk do t’ja dijë njeri për ankimet e kur nuk të dëgjon njeri e përse duhet të ankohesh?

Mbeta ngushtë, nuk dija ç’të bëja. Kisha shkuar në Tiranë të takoja disa miq të mi e ja përfundova tek zonja Klotildë, e ngjitem nëpër shkallë deri në kat  të pestë ku zonja banonte.

U futa në shtëpi, u ula në një kolltuk të rehatshëm në kuzhinë dhe zonja vuri kafenë. Nuk kaloi shumë e me një tabaka në dorë ulet pranë meje.

-Eh Ermir, herë pas here më shkon mendja larg shumë larg. Kujtoj si nëpër mjegull shtëpinë e bukur në Korçë rrethuar me lule e më vjen keq se akoma banoj në kat të pestë të ketij pallati parafabrikat, të cilit sikur i ka rënë ndryshku, e çdo ditë i dalin shufrat e hekurit, por të paktën jam e rrethuar me njerëz. Janë shumë pleq si puna ime, që jetojnë të vetmuar në këtë vend biro…s’ka më keq se vetmia në pleqëri.

Zonja fliste, e unë e dëgjoja, por po kisha ndrojtje të pyesja për vajzën e saj të madhe, për Rinën.

Rina!!!

***

Zonjën Klotildë e kam patur në mëhallë tek lagja Kala në Durrës. E kujtoj qysh i vogël. Ishte një grua e bukur për syrin e një fëmije, e më bënin përshtypjë flokët që i mblidhte topuz pas kokës. Ishte mësuese zëvendësuese, e për tre muaj më dha mësim në klasën e tretë, pasi mësuesja ime iku me leje lindje.

Aty tek banka e parë e shikoja zyshën me shumë ëndje. Fliste bukur, me një zë karakteristik e një theks diku nga zona lindore. Zysha kishte njohje me gjyshen time e shpesh vinte e konsultohej me të për menyrën se si duhej të sillej me fëmijët problematike, pasi gjyshja ime kishte punuar shumë vite si mësuese filloreje, e kishte goxha përvojë në trajtimin e fëmijëve të vështirë. Kishte dhënë mësim në kohe krizash e lufte, në kohë varfërie e triskash, por zysha kishte miqësi edhe me nënën time.

Kujtoj, më duket atë ditë kur Elvis Presley ndërroi jetë, me çunat e lagjes po flisnim për këngëtarin e madh e nga larg, një grup i vogël njerëzish, po mbanin një arkëmort në krah. Morëm vesh se kishte vdekur një burrë i ri në moshë. Më tërhoqi vëmendjen zysha ime me topuz në kokë, e cila mbante një tufë me zambak të bardhë në dorë dhe ishte e para në radhë pas arkëmortit. Zysha kishte humbur të shoqin, vetëm 38 vjeç, e që nga ajo ditë mbeti vejushë me dy vajza të vogla, e madhja jo më shumë se 10 vjeç dhe e vogla akoma në karrocë.

Kujtoj në atë kohë që zonja i shtoi vizitat në shtëpinë time, pasi nuk kishte asnjë farefis në qytet dhe vetmia filloi ta mundonte e një ditë solli në shtëpi dy prindërit e saj, që jetonin diku në një qytet-fshat të vogël në Myzeqe.

Ardhja e prindërve e ndihmoi pak zonjën Klotildë, pasi vajzat kishin me kë të rrinin, kur ajo shkonte për të punuar nga shkolla në shkollë, nga fshati në fshat si mësuese zëvendësuese.

I jati ishte një burrë i vogël me trup, por flitej se ishte një njeri shumë i kulturuar e zotëronte disa gjuhë të huaja. Vajzat nga pak rriteshin dhe mësuan shumë prej gjyshit, mësuan frengjisht dhe italisht. Rinën, vajzën e madhe e kujtoj mirë. Ishte tre vjet poshtë meje në shkollë por ishte një gjeni në matematikë. Ishte e shkëlqyer dhe kujtoj që pati fituar dy herë me radhë në Olimpiadën kombëtare të matematikës. Ishte aq e apasionuar pas asaj lënde, saqë kur përfundoi maturën, bëri kerkesë për universitet vetëm në atë degë.

Duke pritur që të fillonte studimet, ajo pësoi goditjen e dytë në jetë, pas humbjes së babait. Asaj nuk i dhanë të drejtën e studimit, pasi gjyshi i saj dikur kishte qenë prefekt dhe kishte bërë burg. Aty filloi edhe një çarje e madhe e saj, me njeriun që i kishte zëvendësuar sadopak babain…me gjyshin e saj, i cili me aq dashuri i kishte mësuar frengjishten, letërsinë frënge, filozofinë, duke i rritur horizontit e saj kulturor që e bentë të qëndronte mbi të tjerët në shkollë. Krisja mbesë e gjysh, u theksua aq shumë sa një ditë vajza në dëshpërim i drejtohet:

“Përse hyre në jetën tonë e na errësove të ardhmen. Ti u bëre shkak që edhe im atë të pësojë infarkt në moshë të re. Të përmendën ty, në mbledhje në uzinë, ku punonte si inxhinier. Çfarë do të bëj unë tani, pa shkollë? Shokët dhe shoqet e mia marrin trenin çdo mëngjez dhe mua më mbetet të gëlltis veç lotët pas dritares. Çfarë faji kam unë? Çfarë të keqe kam bërë?"

Gjyshi i prekur pa mase nga shpërthimi i mbesës, të cilën ai e kishte dashur aq shumë, nuk kaloi shumë e bie në shtrat i sëmurë e shpejt vdes. Zonja Klotildë mbeti keq dhe brenda nje kohe të shkurtër, flokët e saj morën ngjyrën e argjendtë. Pa burrë, pa baba, me një vajzë me ëndrra të thyera në mes e një vajzë të vogël do të shtynte jetën më pas, por e keqja s’kishte fund. Vajza e madhe filloi të shfaqte shenjat e depresionit. E gjora zonja Klotildë, vinte shpesh tek shtëpia e ime e veç fliste me nënën time, e më shikonte mua student në atë kohë me bisht të syrit. E kuptoja dhimbjen e saj. E bija vuante në shtëpi. Ndjehesha brenda vetes si fajtor.

Përse të ndodhte, përse unë të shkoja për studime e jo ajo? Rina nga pak, duke qëndruar në shtëpi filloi të mos e mbante më veten. Vazhdoi në mizerjen e vet deri sa erdhi dita e eksodit të madh. Mori anijen dhe përfundoi në Itali e më pas në Francë. Frengjishtja e kultura franceze e mësuar nga gjyshi i saj e ndihmoi shumë që të çante jetën atje, e gjeti edhe një shok, një vendas, e sot ka krijuar jetën e vet.

***

-Gjithë jetën me thirrën “vajza e prefektit”, por unë shumë pak kujtoj të kem qenë vajzë prefekti. Pjesën me të madhe të jetës, ai emër që më ndoqi gjithnjë nga pas, veç brenga më solli - mbylli bisedën zonja Klotildë kur më përcolli tek dera, e duke më përqafuar shtoi: “Faleminderit shumë djalë. Sot u gëzova me të vërtetë. Kisha kohë që nuk më dëgjonte njeri kur flisja. Ti qysh i vogël, në klasë të tretë, dëgjoje me shumë vëmendje”.

©Bamir Bebeziqi