Letër Giuseppe Tornatores - Nga Bamir Bebeziqi
- Published in Andej-Këtej
I dashur Giuseppe,
As nuk më njihni, as nuk keni për të më njohur kurrë. Ju jeni një kineast i madh, me famë, keni fituar çmime dhe para, unë jam një njeri i thjeshtë, emigrant, që punoj për të siguruar jetesën e familjes sime në Kanada.
Arsyeja që po ju nis këtë letër është rreth një filmi, që keni bërë para 30 e ca vitesh dhe quhet “Nuovo Cinema Paradiso”. Filmin e kam parë disa herë, qofte edhe me versionin e dytë.
Ju lutem, do të doja t’ju bëj një pyetje, qëmundet të tingëllojë edhe keq: “A e keni vjedhur diku atë subjekt?”
Une mendoj se po, por kjo nuk do të thotë se e keni vjedhur nga ndonjë libër, apo nga ndonje film tjetër. Ka edhe nje tip tjetër vjedhjeje, që quhet vjedhje mendimesh, ndoshta edhe të pashprehura.
Ju keni vjedhur mendimet e mia dhe shumë bashkëmoshatarëve të mi, që shikojmë në atë film, pjesë nga jeta jonë.
Për këto vjedhje e kam fjalën si për shembull: Kinemanë nuk e donin vetëm në qytetin tuaj, i dashur Giuseppe, por edhe në qytetin tim të bukur. Edhe ne, në ato kinema, kemi qeshur, kemi qarë, kemi parë edhe puthjet e para, kemi kuptuar se operatorët durrsakë, Alo, Kameri apo Patoku, kishin prerë pjesë erotike nga filmi dhe nuk na pëlqente.
Ose le të shohim Salvatoren, atë djalin e vogël, i cili u rrit gjatë filmit. Përse ai Salvatore i vogël me ngjason nganjëherë me veten time? A ishte çun kurioz ai? Edhe une, ashtu isha. A kishte idhull ai Alfredon? Edhe unë kisha Alfredon tim. E di si e quanin? E quanin Gëzim.
Gëzimin, nëna ime e kishte lëkundur në djep, kur ishte bebe. Ishte plot 13 vjet më i madh se unë. Kur isha vetëm 7 vjeç dhe ai njëzet, mua më dukej më i bukuri në Durrës. Me ato flokët e verdhë, me ato faqe rozë. Në atë kohë studionte për Elektronikë në universitet. Më vonë u bë inxhinier dhe unë i vogël, shkoja të mësoja prej tij, jo si të rregulloja negativët e filmave, por për të rregulluar vrasësin e kinemase tënde i dashur Giuseppe, televizorin.
Edhe Gëzimi im, punoi vitet e fundit tek një dhomë e vogël, diku pranë kinemasë së braktisur të qytetit tim. Edhe shtëpine aty e kishte, ngjitur me kinemanë edhe kur doli për herë të fundit nga shtëpia, me siguri përpara kinemasë ka kaluar.
I dashur Giuseppe,
Nëse Alfredo juaj, u dogj bashkë me filmat edhe Gëzimi im bëri një operacion të rëndë në zemër. Nëse Alfredo juaj, i thotë Salvatores ik nga ky vend që të plotësosh ëndrrat e tua e mos shiko më pas, edhe Gëzimi im më tha të njejtën gjë kur u largova nga Durrësi.
Por unë nuk isha si Salvatorja, që shkoi në shtëpinë dhe qytetin e lindjes vetëm kur vdiq Alfredoja. Unë e takova Gëzimin tim vitin e shkuar, kur ishte ende në jetë. Gëzimi im as nuk fliste, as nuk lëvizte nga shtrati. I shërbente e shoqja, doktoreshë Myzi, motra e Dashit dhe Fuges, miqve të mi të hershëm. Gëzimi, vetëm shikonte, por unë në këto vite kam mësuar një gjuhë shumë të dashur, gjuhën e syve. Me sy unë komunikoj dhe gjithmonë kam dalë me sukses, sepse gjuha e syve nuk të çon kurrë në gabim.
Para dy ditësh, nëna ime më mori në telefon dhe me thotë se Gëzimi iku nga kjo bote. Jam i lumtur se e takova per se gjalli, jo si Salvatorja juaj, i cili e takoi Alfredon të vdekur.
I dashur Giuseppe,
Ju bëtë një film para 30 vjetësh ku lotonit për vdekjen e kinemase, unë bëra një shkrim para disa ditësh, ku lotoja për vdekjen e librit. Pas tridhjetë vjetësh, do lotojmë ndoshta për të tjera gjëra, që do të humbim, por për një gjë jam i sigurtë, se shpirti nuk ka për të vdekur kurrë.
Kaq kisha i dashur Giuseppe dhe faleminderit shumë, o “vjedhës” mendimesh!
©Bamir Bebeziqi



