Duke shikuar pavionin e Psikiatrisë të quajtur Parlamenti i Serbisë - Nga Enver Robelli
- Published in Andej-Këtej
Enver Robelli - Zvicër
1.
Parlamenti i Serbisë. Debat për Kosovën. Presidenti i ulur para kryetarit të Parlamentit. Rrëmujë. Zhurmë. Sharje në drejtim te opozitës. Opozita ia kthen me tarifën e njëjtë presidentit. Para Aleksandër Vuçiçit gjendet një filxhan me portretin e ujkut. Një deputet opozitar e akuzon se ujku ka qenë logo e bandës kriminale të Milorad Ulemek Legijës, njërit prej organizatorëve të vrasjes së kryeministrit properëndimor Zoran Xhinxhiç. Në fillim të janarit Vuçiç postoi në Instagram një mesazh: “Ujqit nuk tremben nga mendimi i deleve”.
Sot, ndërkaq, në tribunën e Parlamentit serb si mysafir nderi ishte, sipas opozitës serbe, edhe Milan Radojçiçi, i dyshuar për veprime të shumta kriminale, i afërt me Vuçiçin dhe i vendosur në “listën e zezë” të SHBA.
Tensionet në Parlamentin e Serbisë sot duken të inskenuara, në mënyrë që t'i forcohet pozicioni negociator Aleksandar Vuçiçit ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Asnjë deputet serb deri më tani nuk foli për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Opozita serbe ishte po aq e zëshme me kërkesa për themelimin e “asociacionit të komunave serbe” në Kosovë sa edhe pushteti që gjendet në duart e Vuçiçit.
Asnjë shprehje keqardhjeje për krimet e forcave serbe në Kosovë. Përkundrazi: pushteti (dhe sidomos Vuçiçi) akuzon opozitën e tanishme se kur ka qenë në pushtet i ka liruar nga burgu “1800 terroristë shqiptarë”. Mesazhi i kësaj porosie është se Vuçiçi dhe banda e tij më me dëshirë do t'i kishin vrarë edhe këta 1800 shqiptarë siç i kanë groposur gati 1000 shqiptarë në poligonin e policisë në Batajnicë afër Beogradit, ku asgjë nuk përkujton këtë krim monstruoz të regjimit serb.
Debati i sotëm në Parlamentin serb, megjithatë, ishte interesant për të parë degradimin etik, moral, politik të një shoqërie dhe “elite” bixhozçinjsh që njëri-tjetrin e akuzojnë për mizoritë dhe barbaritë më të mëdha. Vuçiçi, për shembull, u akuzua për lidhjet me Velko Belivukun, një kriminel i rangut të lartë, i cili i ka bluar me sharrë rivalët e nëntokës, për lidhje me Predrag Kolluvinë, pronar i plantacionit me gjasë më të madh të drogës në Europë, për lidhje me tregtarin e armëve Sllobodan Teshiç.
Pak para orës 18:00 Vuçiç, i rrethuar me deputetët e partisë së tij, të gjithë statistë duartrokitës, u “përbetua” se është kundër hyrjes së Kosovës në OKB dhe se nuk do ta pranojë kurrë pavarësinë e Kosovës. Më parë e mbrojti partnerin e tij jo vetëm politik Millan Radojçiç. Dhe vazhdoi fjalimin me akuza për plaçkitjet e opozitës kur ka qenë në pushtet.
Gjendjen e Serbisë mbase më së miri e ka përshkruar shkrimtari Danilo Kish. Sipas tij, Serbia edhe i frikësohet, edhe e urren Europën. Rrjedhimisht, është e dënuar të mbesë në duar të elitave politike mendjehallakatura. Më 12 mars 2023 bëhen 20 vjet nga vrasja e kryeministrit properëndimor Zoran Xhinxhiç. Më 11 qershor 2023 bëhen 120 vjet nga vrasja e Mbretit Aleksandër Obrenoviç. Edhe ky properëndimor. Më 25 gusht 2023 bëhen 23 vjet nga vrasja e kryetarit të Serbisë Ivan Stambolliç. Më 28 qershor 2023 bëhen 22 vjet nga ekstradimi i Sllobodan Millosheviçit në Hagë. Njëqind vjet histori serbe: një mbret i vrarë, një kryeministër i vrarë, një ish-president i vrarë dhe një president i akuzuar për krime të luftës dhe i vdekur në burg. Është ora 19:37 dhe teatri parlamentar serb po vazhdon. Momentalisht po flet miku i kriminelit Millan Radojçiç. Predsedniku Aleksandër Vuçiç. Duke luajtur rolin e tij të preferuar teatral: herë manipulues, herë gënjeshtar, herë urrejtës, herë kërcënues, herë i shtirur si viktimë...
2.
Gjorgje Martinoviçi si fantazmë në Parlamentin e Serbisë
(Një shënim sidomos për gjeneratat e reja të kosovarëve)
Sot nga fundi i ditës, pas gati 11 orë cirku politik, në Parlamentin e Republikës së Serbisë e mori fjalën Snezhana Paunoviç, deputete e Partisë Socialiste të Serbisë (SPS). Kjo është partia e Sllobodan Millosheviçit. Snezhana P. është nga Peja, e lindur në këtë qytet më 1975. Ajo foli e foli, gënjeu e gënjeu, numëroi (sipas saj) “vuajtjet” e serbëve në Kosovë nga Lufta e Dytë Botërore e tutje dhe - me një rast - si shembull të “vuajtjeve” të mëdha të pakicës serbe përmendi “rastin e Gjorgje Martinoviçit”. Për gjeneratat e reja të kosovarëve duhet tash një shpjegim.
Gjorgje Martinoviçi ka qenë punëtor në Shtëpinë e Armatës në Gjilan. Më 4 maj 1985 gazeta “Politika” e Beogradit njoftoi se më 1 maj 1985 në një fshat afër Gjilanit dy persona të paidentifikuar paskëshin “masakruar” Gjorgje Martinoviin. Thuhej se ky serb ishte sulmuar ndërsa po mbillte fasule. Gjorgje Martinoviçi tregoi se e paskëshin sulmuar dy persona që flisnin shqip.
Çfarë i bënë ata? E paskëshin lënduar rëndë duke ia futur një shishe në anus.
Martinoviç u dërgua në spital në Gjilan, pastaj u transferua në Prishtinë. Policët hetues (atëherë quheshin milicë) pas shikimit të vendit të ngjarjes arritën në përfundimin se Gjorgje Martinoviçi nuk ishte lënduar nga persona të tjerë. Në përfundim të njëjtë arritën edhe mjekët në Gjilan. U mobilizuan mediat serbe, mjekët serbë, politikanët serbë, ushtria jugosllave e dominuar nga serbët, shërbimet sekrete, të gjithë u mobilizuan për të “dëshmuar” se Gjorgje Martinoviçin e paskëshin sulmuar shqiptarët. Duke ia futur në prapanicë një shishe të thyer!? Pastaj, thanë Martinoviçi kishte humbur vetëdijen.
U mblodh partia për të diskutuar për ngjarjen. Edhe mjekët në Prishtinë njoftuan se dyshojnë që Martinoviçi kishte lënduar veten, pra nuk ishte lënduar nga persona të tjerë. Më 5 maj me Gjorgje Martinoviçin zhvilluan një bisedë komandanti i Garnizonit të Gjilanit, Novak Ivanoviç dhe një oficer i Shërbimit Sekret Ushtarak. Martinoviçi më vonë tha se ata i kishin bërë presion të pranojë se kishte lënduar veten.
Më 7 maj 1985 Sekretariati i Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Gjykata e Qarkut në Gjilan njoftuan se Martinoviçi e kishte lënduar veten si pasojë e tentimeve për vetëkënaqësi. Pastaj kishte shqiptarë që pasi pinin birrën e Pejës në dyqane e restorante të Kosovës, e thyenin shishen me arsyetimin se mund të dalë ndonjë Martinoviq i ri dhe ta keqpërdorë me qëllim të akuzimit të shqiptarëve.
Në gazetën “Vjesnik” të Zagrebit gazetarja Nadira Avdiç Vllasi, bashkëshortja e funksionarit të atëhershëm komunist Azem Vllasi, e akuzoi Martinoviçin se kishte kryer vetë një vepër të turpshme për t’i akuzuar shqiptarët. Më 7 maj 1985 Gjorgje Martinoviçi u transferua në Spitalin Ushtarak në Beograd. Tani e tutje mediat e Beogradit të shkretin Gjorgje Martinoviç e shndërruan në simbol të “vuajtjes së serbëve në Kosovë”.
Në Spitalin Ushtarak në Beograd Martinoviçi mbikëqyrej 24 orë nga ushtria. Familja e Martinoviçit kontaktoi Dobrica Qosiçin, një shkrimtar ultranacionalist serb, i cili ndërmjetësoi kontaktin me një avokat të Beogradit. Martinoviçi tha se ishte shtyrë nga prokurori Gradimir Popoviç dhe gjykatësi hetues Vukashin Trumpiç nga Gjilani të pranojë se kishte lënduar veten. Sidoqoftë, Martinoviçi vazhdoi të përdoret edhe më tutje nga propaganda serbe për të acaruar situatën dhe ndezur urrejtjen antishqiptare. Në Gjilan nuk u kthye më. Vdiq në Serbi në vitin 2000. U varros pa shishen me të cilën kishte lozur në arat e një fshati të Gjilanit...
Sot deputetja serbe Snezhana P. u përpoq ta ringjallë në parlamentin e Beogradit. I keqpërdorur si i gjallë dhe i keqpërdorur si i vdekur. Kjo është, pak a shumë, biografia e Gjorgje Martinoviçit.
© Enver Robelli



