David Albahari (Pejë, 1948 - Beograd, 2023) - Nga Enver Robelli
- Published in Andej-Këtej

Enver Robelli - Zvicër
Në një shkrim me rastin e pavarësisë së Kosovës më 2008, David Albahari tregonte se vendlindja e tij ishte Peja. Ai u lind në këtë qytet më 1948, tre vite pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Vendlindja e tij në Kosovë ishte rastësi: babai i tij, gjinekolog me profesion, ishte dërguar me punë në Pejë - dhe ndoshta edhe si ndëshkim për shkak se kishte refuzuar të anëtarësohej në Partinë Komuniste, ky ishte supozimi i David Albaharit. Pak muaj pas lindjes së David Albaharit, familja e tij u shpërngul në një qytet provincial në Serbi.
Në tekstin e tij të lartpërmendur Albahari citonte një poezi të një miku të tij, e cila, pak a shumë, përçonte këtë mesazh: për aq kohë sa glorifikohet humbja serbe, në Ballkan nuk do të ketë paqe.
Në vijim të tekstit të tij Albahari tregonte se më 1989, në vitin kur vozhdi serb Sllobodan Millosheviç mbajti fjalimin e tij famëkeq në Fushë Kosovë, ai (Albahari), bashkë me shkrimtarë të tjerë nga Jugosllavia e atëhershme, ishte gjendur në një konferencë letrarësh në Cambridge. Mes pjesëmarrësve edhe dy emra të njohur: nobelisti i letërsisë Willaim Golding dhe shkrimtari e filozofi George Steiner. Kur kishte dëgjuar se disa nga pjesëmarrësit ishin nga Jugosllavia, Steiner kishte bërë këtë parashikim: Jugosllavia do shpërbëhej pas disa vitesh, me disa luftëra lokale. Ndërsa nëse në këtë konflikt involvohet Kosova, do të ketë një luftë të madhe.
Pjesa tjetër dihet, është histori. David Albahari ishte hebre me origjinë dhe shkrimtar serb. Romanet e tij janë përkthyer në shumë gjuhë, sidomos në anglisht e gjermanisht. Në vitet 1980, “Rilindja” ka botuar një vepër të tij (nëse s’gaboj me përkthim të Eqrem Bashës). Mes romaneve të tij do veçoja “Ludvigun”, një monolog fantastik, brutal, polemist mbi miqësinë e prishur mes dy shkrimtarëve dhe një shpërthim virtouz kundër mykut kulturor, social dhe politik në Beograd.
David Albahari jetoi nga mesi i viteve 1990 në Kanada, sepse nuk e duronte dot Serbinë e Millosheviçit. Më vonë, pas ikjes së diktatorit, u kthye në Serbi. Vuante prej vitesh nga një sëmundje e rëndë. Vdiq në moshën 75-vjeçare, siç njoftoi familja e tij sot. Në romanin “Ludvigu” mes të tjerash shkroi: “Përherë më të zhurmshëm janë ata që do të duhej të heshtnin, ndërsa heshtin ata, fjalët e të cilëve do të na bënin mire”.
© Enver Robelli - KOHA



