Andej-Këtej

Deti nuk i ndan, por i bashkon brigjet - Nga Çapajev Gjokutaj

Çapajev Gjokutaj

Një ditë andej nga fundi i qershorit, shtrirë në një shezlong në plazhin e Arameras, tek shihja detin që ngushtohej dhe merrte trajtën e një kanali, vetiu ia behu pyetja: deti i bashkon apo i ndan brigjet?

Përfytyroja që diku në atë rrip uji me gjerësi rreth 3 km bie kufiri me Greqinë. Matanë, në cepin e djathtë të pamjes dallohej një gji i vogël dhe një qendërz banimi, me gjasë Shën Stefani i Kassiopit.

M’u kujtua që dy dekada më parë, një mbrëmje vere në Sarandë, i zoti i hotelit më tha se kryebashkiaku i Kassiopit dëshironte të pinim diçka bashkë. Atëhere drejtoja Fondacionin Soros dhe kryebashkiaku interesohej për mundësinë e ndonjë projekti ndërkufitar.

Po qe se zhvillohen të dyja brigjet, më tha në thelb, zona bëhet më tërheqëse, do vijnë më shumë turistë si për ne dhe për ju. E përfytyron vetë, shtjelloi më tej, dy vende, dy gjuhë, dy kultura dhe turistit i mjafton një shetitje me skaf t’i shohë brenda ditës; mëngjesin e ha në Kassiopi, drekën në Ksamil apo anasjelltas; mirë për ne e mirë për ju.

I zoti i hotelit, burrë babaxhan dhe shumë punëtor, me takt e duke buzëqeshur shprehu një lloj skepticizmi për qasjen e grekut. Në thelb dyzimi i tij thoshte: ju matanë jeni shumë përpara në turizëm, vështirë se mund të operojmë si të barabartë.

Tani, pas dy dekadash, resortet dhe shumë hotele që nisin në Palasë dhe përfundojnë këtu në Arameras, pranëvihen lehtë me shërbimet hoteliere të bregut tjetër, madje në disa elementë edhe i tejkalojnë. Prurjet turistike të kësaj vere e bënë edhe më të perceptueshme këtë pranëvenie.

Parë kështu deti i bashkon dhe nuk i ndan brigjet. Faktorët ndarës, më shumë se tek barrierat natyrore fshihen në kokën e njeriut ose në atë që individi zgjedh të marrë në konsideratë nga realiteti dhe nga historia.

Butrinti që ndodhet pak kilometra më poshtë shfaqet si një tjetër fakt që i ilustron të dyja: edhe dobinë e bashkëpunimit ndërkufitar edhe kacafytjet ala ballkanase për histori e mitologji.

Ndërkohë kisha dremitur pak atje mbi shezlong dhe, kur hapa sytë pashë se ishte ngritur erë, e kanali ishte mbushur me veliera sportive. Janë të ndara gjërat, nënqesha me vete, ca vozisin për qejf, pa pyetur për kufi e etni, të tjerë sokëllijnë hapsirave virtuale në mbrojtje të miteve e mitologjive, paçka se edhe këto, më shumë se në luftra e përleshje, janë krijuar në periudha bashkëjetese e ndërveprimi.

© Çapajev Gjokutaj