Andej-Këtej

Presidenti i ri argjentinas, populisti liberal Javier Milei - Nga Enver Robelli

Kur një klasë politike e vjedh vendin, elektorati shpesh gjen zgjidhje dhe bën zgjedhje radikale ose fondamentale. Shembull? Argjentina! Establishmenti i deritanishëm e ka humbur kredibilitetin për shkak të aferave korruptive, andaj 56 për qind e zgjedhësve në fundjavë ia falën besimin populistit liberal Javier Milei, i cili propozoi ndryshime rrënjësore. Dhe ndryshimet i paralajmëroi me gjuhë drastike: valutën e vendit (peso) e quajti “një copë muti”, ndërsa Papën, i cili vjen nga Argjentina, e ofendoi si “bir kurve majtist”.

Milei ka propozuar shpërbërjen e Bankës Qendrore, mbylljen e disa ministrive, privatizimin e ndërmarrjeve shtetërore si dhe të sistemit shëndetësor dhe arsimor. Simbol i fushatës së tij zgjedhore ishte sharra, me të cilën propozoi “prerje radikale”.

Mbi gjysma e argjentinasve i besuan Mileit. Frustrimi mbi gjendjen e keqe ekonomike është aq i madh (inflacioni vjetor prej gati 150 për qind gllabëron rrogat), saqë shumë njerëz i besuan recetave të thjeshta të Mileit.

Siç ndodh rëndom me populistët, ende pa e marrë postin, Milei ka nisur të relativizojë disa nga premtimet e tij. Ekspertë seriozë për të qeverisur Milei nuk ka, andaj po përpiqet të krijojë aleanca me figura të caktuara konservatore.

Sa ishte moderator televiziv, Milei mund të fliste mbarë e mbrapsht, një herë e lavdëroi Al Caponen, i cili së paku qenkësh dëshmuar si gangster në tregun e lirë për dallim nga “vjedhësit” që qeverisin. Kjo ishte një anekdotë argëtuese.

Tani, shkruan gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Milei për të qeverisur duhet të jetë i urtë si mace. Kjo do t'i dëshpërojë përkrahësit e tij të cilët e zgjodhën duke besuar se është luan.

Sidoqoftë, si në Argjentinë, si në vende të tjera, korrupsioni shkatërron shoqërinë, e cila pastaj beson në recetat e thjeshta të populistëve. Kur dështojnë edhe populistët, kapitulli i ri që hapet është ai i apatisë së përgjithshme shoqërore ku njerëzit nuk i besojnë më politikanëve dhe duan vetëm të largohen nga vendi, sepse nuk shohin shpresë - sepse kasta e vjetër nuk distancohet nga e kaluara korruptive, ndërsa kasta e re e kupton shpejt se qeverisja e mirë nënkupton jo administrim të status quo-së, por patjetër ekspertizë, efikasitet, vendimarrje të guximshme, ndëshkim të korrupsionit.

© Enver Robelli