Mësuesi i letërsisë - Nga Bamir Bebeziqi
- Published in Andej-Këtej
Para disa ditësh më bie në dorë një libër i vogël me titullin “Jeta ime prej bohemi”. Libri me rreth 150 faqe nga fillimi deri në fund kishte në qendër një personazh e për mua që e njihja mirë autorin e librit, ishte thjesht vetvetja.
***
Qysh në moshë të vogël më pëlqente t’i shkoja nga pas një kushëririt tim. Ishte disa vite më i madh se unë. E quanin Ben e banonte në qytetin T.
E kujtoj kur ishte student në universitet në atë kohë. Studionte për gjuhë- letërsi dhe më bënte përshtypje, se sa herë shkoja tek shtëpia e tij e gjeja duke lexuar. Ai kudo lexonte, bile edhe në plazh kur vinte çdo verë e kur të gjithë shëtisnin e luanin bregut, atë do ta gjeje me ndonjë libër. Lexonte kryesisht libra të vjetëruar, me faqe të zverdhuara, apo libra në gjuhë të huaja. Në dorë mbante gjithnjë një laps e herë pas here shkruante apo nënvizonte në faqet e librit. Kur vinte në plazh, gjatë verës, shkoja shpesh ta takoja pasi më pëlqente komunikimi me të e sa më shikonte, ndërpriste leximin dhe bisedën e drejtonte veç tek librat.
-Cilin libër ke lexuar kësaj vere? - më pyeti një ditë.
Unë i turpëruar i pohova se nuk kam patur kohë të lexoj, pasi… pasi verë, plazh, lojra e tv….
-Merre këtë libër e lexoje. Pas një jave, pasi ta kesh përfunduar le ta diskutojmë bashkë, - e më zgjati një libër që e kishte marrë me vete.
Titullin libri e kishte “Fati i njeriut”, me autor Shollohovin.
U ktheva në shtëpi dhe e lexova librin me një frymë e ashtu siç i kisha dhënë fjalën, shkova ta takoja e i them:
-Librin e lexova, - dhe ia dorëzova.
Me libër në dorë ai më drejtohet:
-A ke marrë ndonjë shënim? A ke nënvizuar ndonjë paragraf që të ka pëlqyer?
Instinktivisht ula kokën. E kisha lexuar librin vetëm si ngjarje e jo më shumë.
-Kur të jap ndonjë libër tjetër për ta lexuar, do të doja të shikoja nënvizime e komente. Mos ki ndrojtje nëse dëmtohet libri. Mua më pëlqejnë librat me shënime. Pasi lexoj librin, lexoj edhe ndjesinë e lexuesit dhe e krahasoj me ndjesinë time. Libri nuk është bërë për zbukurim, ai duhet të ketë brenda edhe fletë të palosura edhe ndonjë njollë kafeje apo djegie cigareje, që tregon se libri ka dëshirë të lexohet. Librat me faqe të lëmuara e pa ndonjë shenjë, janë librat që nuk lexohen. I ke parë sa bukur shndrrisin librat e “atij”, ata me kopertina të bukura e me faqe të bardha? - dhe ngriti kokën lart për të konkretizuar mendimin e tij.
Ky ishte Beni i parë, Beni student. Pasi përfundoi studimet e emëruan larg, shumë larg, në një fshat të thellë diku nga veriu. E takoja më rrallë, vetëm gjatë verës kur vinte në plazh. Me vitet që kalonin nga pak fillova të shikoja se po degradonte, vishej keq, rrinte parruar, pinte cigare njëra pas tjetrës e mbante me vete gjithnjë një shishe petashuqe të mbushur me konjak. Ai Beni simpatik i universitetit, nga pak u shndërrua në një bohem, i cili veç pinte dhe lexonte e asgjë tjetër nuk e tërhiqte. Mësonte me zell edhe gjuhë të huaja dhe në ato vite filloi të komunikonte me mua vetëm në anglisht. Unë me anglishten time copa copa e ai më jepte kurajo që të shprehesha qoftë edhe gabim, se veç kështu mund të mësohej një gjuhë e huaj.
Ai vazhdoi jetën e tij prej bohemi, ndonëse u kthye në qytetin e tij të lindjes. Nuk krijoi familje, por prej letërsisë nuk hoqi dorë.
Para disa muajsh Beni më thotë se kishte vendosur të dilte në pension, pas plot 50 vjetësh mësues letërsie e një grup ish-nxënësish të tij kishin planifikuar një takim të vogël, në një lokal diku në bregdet. Donte që në atë takim të merrja pjesë edhe unë. Pranova pa hezitim e një ditë shtatori u nisa drejt tek një nga hotelet e Plazhit, në restorantin ku organizohej takimi.
Atje takova kushëririn tim dhe u përshëndeta me disa nga ish-nxënësit e tij. Vura re se ish-nxënësit ishin të të gjitha moshave, kishte të rinj e të reja, burra e gra, bile edhe disa me flokë të thinjur apo të rëna krejt.
Në takim për mësuesin folën disa nga ish-nxënësit e tij. Secili filloi të shprehte përshtypjet e tij dhe diku gjeta rastin të thoja disa fjalë edhe unë. Ngaqë ambienti ishte shumë i ngrohtë, pa ndonjë emocion fillova të flas:
“Më kujtohet vite më parë kur isha në gjimnaz, mësues Beni më pyeti nëse më pëlqente lënda e letërsisë në shkollë, por kërkontë një përgjigje të sinqertë. Pa u menduar shumë i them me bindje se jo, - gjimnazi asnjëherë nuk më ka përmbushur kërkesat e mia për letërsinë e bukur.
Kujtoj që mësues Beni u vrejt.
-Përse nuk të ka pëlqyer lenda e letërsisë në shkollë? - më pyeti.
-Pasi ishte politizuar krejt. Si mund të besh letërsi e mos të përmendësh autorët e mëdhenj të botës së letrave? Me Nikollaj Ostrovskin e Maksim Gorkin fillon e mbaron letërsia botërore? Po për autorët shqiptarë, vetëm “Këneta” e “Një vjeshtë me stuhi” do të analizohen, apo poemat “Epopeja e ballit Kombëtar” e “Shqiponjat fluturojnë lart”? Eh, ç’flas edhe unë! E çfarë mund të presësh nga një mësuese e cila sapo përfundoi universitetin emërohet në gjimnazin më të rëndësishëm të qytetit?
Profesor Beni, më dëgjoi me vëmendje e shpejt më dha përgjigjen:
-Dëgjo Ermir! Nuk ka lëndë më të bukur se letërsia, por që ta japësh si lëndë duhet ta dashurosh në thellësi, duhet të keshë lexuar shumë libra në gjuhën shqipe apo në gjuhë të huaj, të kesh lexuar kritika, studime, komente e analiza pse jo, të kesh bërë edhe analiza vetë. Prej mësuesit të letërsisë që ka lexuar vetëm letërsinë e Realizmit Socialist, nuk mund të përfitosh gjë. Ti po thua se mësuesen tënde të letërsisë nga universiteti e emëruan direkt në gjimnaz. 22 vjeç mësuese letërsie në gjimnaz. Këtu është gabimi. Mësuesi i letërsisë nuk mundet të gjejë shpirtin e lëndës pa kaluar vite si mësues fshati, pa provuar kënaqësinë kur i bën fshatarët e varfër të lexojnë, të recitojnë e të komentojnë, pa marrë frymëzimin aty ku rrjedh jeta, aty midis maleve, aty ku njerëzit luftojnë ditë e natë për të siguruar mbijetesën. Si mundet të japësh letërsi në gjimnaz, nëse nuk je ulur të bisedosh me minatorët, me fshatarët, me shoferët, me ushatarakët, më mjekët apo mësuesit e zonave të thella. Atje njeh realitetin, atje njeh vuajtjen, pikërisht aty gjen shpirtin poetik, aty pasurohet gjuha e folur dhe e shkruar e mësuesi frymëzohet duke e bërë lëndën e letërsisë më tërheqëse.
-Mund të flas shumë, por po ia lë radhën të tjerëve, - e mbylla fjalën e iu afrova profesor Benit:
-Ti më dhe shtysën që të dashuroja letërsinë, - i them duke e përqafuar.
Pas meje e morën fjalën disa ish-nxënës e në fund i erdhi rradha një gruaje rreth të pesëdhjetave. Dukej grua e fisme. Ajo tregoi pak për jetën e saj e mesa kuptova jetonte në Gjermani. Kishte shkruar edhe disa libra në gjermanisht dhe shqip. E quanin Marjana. Menjëherë më tërhoqi vëmendje pamja e saj, qetësia dhe fjalët që i zgjidhte aq bukur:
-Isha në klasë të tetë. Na vjen një mësues i ri në shkollë. Vinte nga Tirana e në fshat flitej se ishte pak i mbyllur, apo i parregullt e ndonje thoshte edhe se ishte pak i çmendur. Unë qysh në fillim fillova ta pëlqeja, ndonëse e shprehja pëlqimin tim krejt në heshtje, pasi unë nuk dija të pëlqeja, apo më mirë, nuk dija si t’i shprehja ndjenjat e mia. Isha lindur e rritur në internim e isha mësuar me ftohtësirën rrethuese e mbytëse, që më kishte kthyer në një vajzë të ngurtë, pa ndjenja, pa ndonjë dashuri për jetën, por ky mësues, që sot del në pension luajti rol në drejtimin e jetës sime. A e dini ju se ai, ishte i pari dhe i fundit që më vuri notën dhjetë në lexim letrar? - e i drejtoi shikimin shoqëruar me një buzëqeshje profesor Benit.
-Po po, kur komentoja dhe recitoja pjesë nga poezia e Vaso Pashës, “Oh moj e mjera Shqypni” para klasës e unë lotoja nga emocioni, ai u mek, kur më thotë që të ulesha në bangë. Ai më vuri notën 10 e një ditë, pas mësimit m’u afrua e më dha revistën “Nëntori”, ku ishte botuar një novelë e shkrimtarit tonë të shquar, Kadaresë. Titullohej “Natë me Hënë” e më thotë që aty gjendet një personazh që quhet Marjana e pasi ta lexoja novelën duhet t’i jepja përshtypjet, por për fatin e keq nuk pata mundësinë që ta shikoja më mësuesin. Atë e transferuan në një fshat shumë të thellë malor, si dënim, për sjelljet e tij jo sipas moralit të asaj kohe. Sot kam ardhur nga Gjermania veçse për t’i thënë se nuk e harroj kurrë, bile e kam personazh në librin tim “Gruaja me doreza” që e kam shkruar në gjermanisht.
Profesor Beni, pasi gruaja foli, qëndroi pak në heshtje dhe fërkoi ballin. E pashë që i kërcyen damarët mbi tëmbla dhe u çua në këmbë, Pastaj u drejtua për nga gruaja të cilën e përqafoi duke iu drejtuar me fjalët:
-Po, e kujtoj shumë mirë atë ditë Marjana. Unë e dija se kush ishe, por nuk durova dot më. Mjaft më i thashë vetes. Le të më heqin nga shkolla. Notën 10 do ta vë sepse e meriton. Letërsia nuk duhet t’i ndajë njerëzit sipas statusit të tyre. Mjaft më me kufizime, mjaft më me mësues të politizuar. Çdo njeri, çdo nxënës duhet të ketë të drejtë të shkruajë, të kompozojë, të krijojë e të mendojë siç ia do shpirti. Vetëm atëhere mund të shpërthejnë energjitë krijuese, vetëm atëhere do të mund të krijojmë kryevepra.
Profesor Beni po fliste me emocion, ishte skuqur krejt në fytyrë e i bëra shenjë të qetësohej pak, se emocioni i bënte dëm për shëndetin, por ai vazhdonte të fliste me pasion e ish-nxënësit e tij veç e dëgjonin. Dukej, se për profesorin e letërsisë, ishte ora e fundit e mësimit.
***
Mbrëmja e organizuar për profesor Benin u mbyll shumë bukur. Të gjithë ish-nxënësit e tij ndër vite, që kishin ardhur në atë takim, duke më ftuar edhe mua u mblodhën dhe bënë një foto me profesorin në mes. Marjana qëlloi në krahun tim. Sa grua hijerëndë që ishte!
© Bamir Bebeziqi



