Andej-Këtej

Ushtari - Nga Bamir Bebeziqi

Një nga poetët më “vagabond” e më të dashur, për shumë të marrosur pas poezisë, ka qenë skocezi Robert Burns. Ka shumë poezi, bile edhe të përkthyera në shqip ku në përgjithësi i ka thurur vargje dashurisë me të gjitha format e pozicionet e saj. Sot, megjithëse ka kaluar më shumë se 200 vjet që poeti nuk jeton, akoma skocezet mblidhen e përkujtojne “vagabondin” me festime, duke e shoqëruar me të ngrëna e të pira, ku kanë si menu kryesisht, mish deleje të futur brenda në plënc e të gatuar, uiski dhe plot argëtime.

Ndër poezite e tij, të preferuara për mua, është njera për një prostitutë, e cila gjatë gjithë jetës së saj aktive, kur përzgjidhte klientët, preferencën e kishte për ushtarët, bile edhe kur u plak e vlera e saj në treg kishte rënë shumë, si klient të rregullt kishte një lypës i cili mbante të veshur një kapotë ushtari.

Tek, “Asgjë e re nga fronti i perëndimit”, Remarku i ka kushtuar një pershkrim përtej imagjinatës, karakterit të ushtarit. Ndonëse romani është tragjik e dramatik, ka momente në pushime betejash me disa përshkrime të bukura, ku njëri më tërheq shumë. Është momenti kur katër shokë, ulen në disa arka, të cilave u kishin hapur nga një vrimë të madhe e ashtu ulur, duke kryer nevojën personale, luanin bixhoz. S’ka gjë më qetësuese per ushtarin, dy veprime të kënaqshme në të njejtën kohë.

Më kujtohet si në mjegull im atë me uniforme ushtari, kur isha vetëm tre vjeç, diku nga viti 1965. Kur u rrita, mësova se im atë kishte kryer shërbimin ushatark në vitet 1963-1965, kur unë dhe im vëlla ishim foshnje. Mua më la vetëm 10 muajsh e tim vëlla 2 vjeç e pak muaj. E çuan mësuesin të kryejë ushtrinë në xhenjo në Lushnje, pa të drejtë arme, megjithëse i kishte syzet me numër -6.

Pra ushtrinë e njoh herët. Në vitin 1982, kur isha në vitin e parë në universitet, marrin tim vëlla dhe e çojnë ushtar, përsëri në xhenjo, pa të drejtë arme, në Porto Palermo. U merzitën të gjithë në shtëpi, por im vëlla nuk e vrau mendjen shumë, pasi ata dy vite, vetëm lahej në det, në plazhet më të bukura të Rivierës shqiptare. Kujtoj edhe shumë shokë të mi në marinë apo ushtri, si Tanin, Artin, Mirandin, Sandrin, Lirin, Benin, Çevin e me radhë.

Ushtarët në atë kohë i shihnim kudo, në stadium, në rrugë, disa të veshur e të rregullt, disa të çrregullt me rripin poshtë mesit sipas statusit, daut apo rrul dhe qemë mësuar me atë pamje, bile të gjithë kujtojmë brohoritjet e tyre kur liroheshin nga ushtria, kryesisht në muajin dhjetor.

Nuk besoj se ka ndonjë nga brezi im, që kemi jetuar në ata vite, që të mos ketë provuar një herë të veshur uniformën e ushtarit, si djemte ashtu edhe vajzat. Në shkollë të mesme, apo nëpër zbore, të gjithë e kishim nga një uniforme që në rast lufte do ta përdornim.

***

Në shkurt 1986, 13 studentë të sadiplomuar të Elektronikës, mes të cilëve edhe unë, kryenim zborin tre mujor, në Rrapin e Treshit në rrethinat e Tiranës. Na caktuan në një kompani, e cila përbëhej nga ne, pesë studentë nga Kimia Industriale, Gjergji, i cili sapo kishte përfunduar studimet në Francë, Remziu, një gazetar i ri në atë kohë dhe të famshmit, i paharruari Miriam Hakani, ish-portieri i tretë i Tiranës, Fatmir Petrela, futbollistët e shkëlqyer Shkëlqim Muça e Agustin Kola dhe një atlet, Artur Dibra.

Të zhvilloje mësim ndërlidhje me Miriam Hakanin e Mir Petrelën ishte e pamundur, pasi e qeshura tundte klasën. Kishim një instruktor, të cilin e thërrisnim komandant Hyseni. Ishte tipik personazh Orwell-ian, i ardhur nga një fshat i thellë i Vlorës qysh femijë si skënderbegas në Tiranë, hequr trurin e mbushur... nuk po e them se me çfarë. Ai na bente leksione të artit ushtarak e një ditë na thotë me seriozitetin më të madh: “Imperializmi amerikan, socialimperializmi sovjetik e kinez si dhe sionistet izraelite, po kërcënojnë atdheun tonë e ne duhet që të mbrohemi”.

Pikerisht ne kulmin e seriozitetit, ndërhyri Mir Hakani: “Me leje shoku komandant, të dal pak jashtë se dua të bërtas fort, me gjithë shpirt”?

Klasa ia dha gazit. Miri ishte mësuar me shtangën, që në stilin e shtytjes, kur e vinte mbi supe, ngritjen lart e shoqëronte me një ulurimë të tmerrshme.

E si mos të qeshje, kur Mir Petrela ngrihej në mësim e me seriozitetin më të madh thoshte: “Partia i ka kushtuar një rëndësi shumë të madhe, vrapimit në kthesë”.

Ky ishte mesimi jonë e nuk kishte bir nëne që të na vinte për të mësuar. S’kishin ç’të na bënin e na linin të lirë e ne fillonim të ndanim katërshet e luanim bixhoz, brixh. Bënim zbor e luanim brixh!

Në repart kishte edhe disa derra e dosa. Ishte edhe një dosë e re, të cilës ia kishim ngjitur emrin “komandant Hyseni”. Gjithë kohës së mësimit një derr i vardisej e një zhurmë vinte nga poshtë dritares së klasës. Gimi, një shoku ynë, sa herë dëgjonte zhurmën e derrit, shkonte tek dritarja të shikonte se çfare ndodhte e vinte përsëri me fytyrë të varur duke thënë: “S’kemi gjë edhe kësaj rradhe shoku komandant”.

Zgjimi për ushtarin në pesë të mëngjesit, ishte momenti me i vështire e kur komandant Hyseni vinte të na zgjonte, fillonte si fillim artileria e lehtë e pastaj në krahun tjeter fillonte artileria e rëndë e kapanoni mbushej me gaz të thatë e të njomë e vetëm me kundragaz mund të dilje. Dilnim ashtu me zor, bënim gjimnastikë e pastaj drejt e tek grosha, të cilën falë zotit e kishim me shumicë.

Ditët që kryenim stervitje në natyrë ishin më të bukurat. Kishim një shok, Shuaipin, i cili ishte ekspert për të gjetur vendet më të bukura për të kryer nevojën personale. Se ku kishte gjetur një vend të mrekullueshëm si me gropa, sikur i kishin rënë predhat e ne secili, zinim nga një e fillonim proçesin. Nga lart, dukeshin vetëm kapelet e ushtarit. Më pas fillonim përgatitjen për mbrojtje e nxirnim përsëri letrat e bixhozit e vazhdonim brixhin. Nuk kishte stërvitje më të bukur.

Në drekë ishim të uritur e me vrap tek menca. Do hanim prasin me lëng ose pilaf me miza, shoqëruar me mish gjel deti, që dukej si mish struci. Pasdite fillonim lojrat si futboll, volejboll e ping-pong deri në mbrëmje, e në darkë na priste çaji me klor.

Zakonisht të shtunën në darkë, ne durrsakët e tironcit shkonim në shtëpitë tona dhe e kishim tmerr, kur na mbanin të dielën në repart, por një ditë të dielë prilli nuk na lejuan të shkonim në shtëpi. Ishte një vjetori i vdekjes së absurdit, e duhet të pastronim repartin. Ne të gjithe ishim hundë e buzë e shanim nëpër dhëmbë me fjalorin më të rëndë, pasi nuk donim të pastronim.

Pikërisht atë ditë, një ngjarje e çuditshme ndodhi. Derri që kishte mbi dy muaj që i shkonte pas dosës, e kapi dhe e mbertheu me dy këmbët e para. Të gjithë ne ushtaret, bashkë me një kompani zboristësh, rrethuam dy kafshët e gjora, që ishin për qejf të vet, e i vështronim me endje, sikur po shijonim një film me dashuri. Kafshët qëndruan të ngjitura për rreth çerek ore e na shikonin ne kuriozët me habi.

Si qenka puna e ushtarit! Sapo vishka uniformën, megjithë edukimin që mund të ketë, inxhinier i sapodiplomuar apo fshatar i thjeshtë e injorant, trurin sikur ia kanë hequr e mendjen e ka të përqëndruar vetëm tek një vend…

Eh Robert Burns, e kupton se përse ajo prostitutë donte vetëm ushtarët?

© Bamir Bebeziqi