Shqiptari Abidin Dino, regjisori i filmit për Botërorin 1966 - Nga Saimir Kadiu

Saimir Kadiu
55 vjet më parë, më 30 korrik 1966, Anglia mundi në finalen e madhe RFGJ 4-2, pas kohës shtesë dhe u shpall Kampione e Botës. Për arsye të moshës (kam qenë vetem 3 vjeç) nuk kam patur fatin ta shikoja live atë Botëror fantastik, por disa vite më pas, një film fantastik për këtë Botëror, munda ta shihja dhjetëra herë tek kinema “Dajti”. Dhe yjet e 66-tës Bobby Charlton, Bobby Moore, Jeff Hurst, Seeler, Beckenbauer, Eusebio, Haller, Jashin, Albert, Ratini etj. me dukeshin si fqinjë që i takoje çdo ditë tek kinemaja…
Filmi "Gol" do të bëhej dashuria e madhe e brezit tim që luante "mendsh" për këmbëtopin, por askush nga ne nuk e dinte që ky film dokumentar i jashtëzakonshëm kishte lidhje edhe me shqiptarët. Një nga regjisoret e tij, ai më artisti, ai më fantazisti, ai më romantiku ishte me gjak shqiptar, nga një familje e madhe shqiptare. Quhej Abidin Dino.
Abidin Dino vizatoi një numër skicash të shpejta të skenave në Londër në vitin 1966 në format A4 në përgatitje të dokumentarit "Goal! World Cup 1966". Me regji nga Abidin Dino dhe Ross Devenish, filmi "Goal", fitoi Çmimin BAFTA për dokumentarin më të mire për Kupën e Botës 1966.
Ka qenë një nga dokumentarët më të mirë të historisë së futbollit. Detajet fantastike të filmit janë të gjithë made in Abidin Dino. Nuk ishte thjesht një film për futbollin, por përfshinte jetën, ndjenjat dhe botën e njerëzve që ndiqnin lojën magjike të topit.
Po kush ishte Abidin Dino?
Dino ishte një nga mjeshtrat e pikturës moderne turke, me i madhi piktor turk i shekullit XX. Ka lindur në Stamboll 109 vjet më parë, më 23 mars 1913, në një familje me origjinë shqiptare nga Çamëria. Gjyshi i tij ishte Abedin Dino (lindur në Prevezë të Çamërisë në vitin 1843 dhe vdekur në Turqi në vitin 1906), Ministër i Jashtëm i Turqisë dhe një nga organizatorët e Lidhjes së Prizrenit. Një personalitet i madh i kohës, njëkohësisht edhe themeluesi i Bursës së Stambollit.
Babai i Abidin Dinos se ri ishte Rasih Dino (1865-1928), firmëtar i Pavarësisë më 28 nëntor 1912. Në vitin 1913, Rasih Dino ishte kryetar i delegacionit të Shqipërisë së Ismail Qemalit në Londer, në kohën e nënshkrimit të Traktatit të Londrës, i shoqëruar nga Mehmet Konica dhe Filip Noga. Ky delegacion i paraqiti kryetarit të konferencës, ministrit të Punëve të Jashtme të Perandorisë Britanike, Eduard Greit vijën e kufirit shtetëror të viseve etnike shqiptare dhe një pasqyrë të hollësishme mbi përbërjen e popullatës që banonte krahinat që duheshin përmbledhur brenda shtetit shqiptar.
Artisti i ardhshëm jetoi bashkë me familjen e tij në Zvicër dhe Francë deri në moshën 12 vjeç. Më pas filloi shkollën e mesme amerikane “Robert College” në Stamboll, por u largua për t’u bërë piktor. Punoi si karikaturist dhe ilustrues, i përfshirë në projekte në Paris, Leningrad, Moskë, Kiev (i ftuar nga kineasti i famshëm rus Sergey Yutkevich, regjisori i ardhshem i fimit “Skenderbeu”). Dino projektoi gjithashtu Pavionin turk për Panairin e New York-ut në 1939.
Pas Luftës së Dytë Botërore ai nuk parapelqehej nga politika turke e kohës. U internua në Turqinë juglindore dhe më pas me ndihmen e miqve të tij emigron në Paris, ku jetoi deri sa vdiq në vitin 1993. Ishte mik i ngushtë i personaliteteve të tillë si Picaso, Gertrud Stein, Tristan Tzara, Nazim Hikmet, Jashar Qemal, Max Ernst etj.
Para tre vitesh isha për një vizite pune në Stamboll. Shfrytëzova rastin edhe për të parë disa librari të njohura të qytetit me të rëndesishëm turk, midis të cilave edhe librarinë e famshme Denizler Kitabevi në Beyoglu, sidomos për librat e vjetër, hartat e shekujve të kaluar, gravurat, vizatimet e piktorëve të mëdhenj turq apo fotografitë e të madhit Ara Guler.
Krenari të veçantë ndjeva kur librashitësi shumë i kulturuar përmendi “arnautin” Abidin Dinon, si piktorin më të madh dhe më të rendësishëm turk të shekullit XX. Nga fisi Dino kanë dalë edhe dy piktorë të tjerë të shquar, Arif Dino (vëllai i Abidinit) i cili jetoi dhe krijoi në Stamboll dhe në Paris, si dhe Ali Dino (1890-1938), një nga piktorët më të njohur në Greqinë e viteve ’30-të si dhe deputet në Parlamentin grek. Motra e tij Lejla Dino ishte kryetare e Shoqatës së Grave shqiptare të diasporës që do t’i shkruante letër gruas së presidentit Wilson, për mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore. Vëllai tjetër, Ahmet Dino, ishte një nga vallëzuesit modernë më në zë të Zvicrës në kohën e vet. Në atdheun e të parëve të tij, në Sarandë, ka një rruge që mban emrin Abedin Dino. Është në kutjim të gjyshit të tij, se nipin nuk e njohin.
Përkthyesi i njohur Jusuf Vrioni, ishte kushëri i afërt (nga nëna) i Abidin Dinos (gjyshërit vëllezër). Të dy personalitetet u takuan me njëri-tjetrin në Paris në tetor 1992. Dino vdiq më 7 dhjetor 1993 në spitalin Villejuif në Paris. Trupi i tij prehet në varrezat Asiyan në Stamboll.
©Saimir Kadiu



