Trashëgimi

Në Ditën botërore të teatrit, kujtojmë Aleksandër Mosiun - Nga Saimir Kadiu

Saimir Kadiu

Në këte ditë të shënuar për Teatrin do të dëshiroja të kujtonim aktorin më të famshëm me origjinë shqiptare dhe një nga zërat ikonikë të teatrit botëror të gjysmës së parë të shekullit XX, të madhin Aleksandër Mosiu.

Sipas Erika dhe Klaus Man, “vetëm një aktor gjenial si Moisiu bashkonte  pikëllimin e Hamletit me sharmin e Romeos…”, apo sipas Maks Brodit “Hamlet është shkruajtur për Moisiun dhe Moisiu ishte lindur unik për të interpretuar Princin e Danimarkës.”

Gjenia e Moisiut vuri në “krizë” edhe “Unazën e Ifflandit”, çmimin më prestigjoz gjerman për aktorin më të madh të botës gjermanike. Dhe kjo ndodhi në diten e varrimit të tij, 87 vjet më parë në 23 mars 1935.

Iffland-i la trashëgimi një nga unazat e tij, që të përcillej nga aktori më i mire gjerman, që do ta zëvendësonte, atij, që ai do ta konsideronte si zëvendësuesin e tij në artin dramatik. Kjo traditë vazhdoi dhe unaza kaloi nëpër duart e shtatë aktorëve të famshëm për të përfunduar në gishtin e Albert Basserman (1867-1952), si një lloj vlerësimi artistik. Albert Bassermann, ishte mbajtësi i kësaj unaze. Ishte 68 vjeç në kohën e vdekjes së Moisiut dhe ishte në kohën që duhet të zgjidhte pasardhësin. Atij i përkiste kujdesi delikat që të linte trashëgimi unazën e Iffland-it. Cili do të ishte fatlumi i zgjedhur?

Disa emra qarkullonin. Dy zgjedhjet e tij te meparshme Alexander Girardi dhe Max Pallenberg kishin vdekur, por Albert Bassermann në momentin e vendosjes së arkivolit, e hodhi unazën e famshme mbi trupin e të ndjerit Moisiu.

-Skena gjermane vdiq! - tha ai. Unë nuk do t’ia jap askujt këtë unazë.

Drejtori i Burgtheater, Hermann Röbbeling e mori unazën nga arkivoli duke thënë se ajo i jepet vetëm aktorit më të mirë që është gjallë. Kjo ngjarje bëri që unaza e Ifflandit të harrohej për 11 vjet. Bassermani kurrë më nuk e mbajti në gishtin e tij këtë unazë dhe në vitin 1938 emigroi në Amerike. Edhe kur u kthye ne Vienë në vitin 1946, ai refuzoi ta rimerrte unazën.

Basserman mendonte që Moisiu ishte një hebre i teatrit gjerman. Askush nuk e dinte origjinën e tij të vërtetë, bile as miqtë e tij të ngushtë, si Franz Kafka apo Stefan Cvajg. Ata e konsideronin hebre, edhe si një dëshirë të vlerësimit të tyre të madh ndaj Moisiut, e donin ta kishin të “tyrin”.

Gjatë terë jetës Moisiu pati telashe me përkatesinë nacionale dhe me vendlindjen, sado që nga biografia e tij diheshin edhe për njerën edhe për tjetrën. Më në fund, për ta bërë publike, e sigurisht i shtyrë edhe nga atdhedashuria, Mosiu i drejtohet Kosullatës Shqiptare për pranimin e shtetësisë shqiptare.

Disa javë para vdekjes, i vjen lajmi zyrtar nga Tirana për pranimin e shtetësisë shqiptare. Por vetëm me kusht që artisti të bëhej shef ceremonie në oborrin mbretëror të Zogut. Moisiu, lolo i oborrit të Ahmet Zogut!?

Çfarë ironie!

Moisiu, gjithashtu, kishte kërkuar edhe shtetësinë italiane, për çka flet takimi një orësh me Benito Musolinin më 20 prill të vitit 1934, ku u bisedua edhe për çështje të të tjera kulturore në Itali. Për Duçen, Moisiu ishte artisti i madh emigrant i Italisë. Sipas autorit Shaper, lajmi për nënshtetesinë italiane i vjen disa orë para vdekjes dhe ai i thote gruas së vet “Molto tardi! Molto tardi”, pra “Shumë vonë, shume vonë!”

Ishte kjo arsyeja që arkivoli i tij u mbulua me flamurin italian…

©Saimir Kadiu