Trashëgimi

Gjomarkaj, pesha e një (mbi)emri historik - Nga Ndue Dedaj

Ishte fillimi i viteve ‘90, kur drejt Oroshit do të udhëtonin diplomatët amerikanë në Tiranë, në fillim i ngarkuari me punë, Kristofer Hill, dhe më pas ambasadori Uilliam Rajerson, për t’u njohur me një burrë të atyre maleve, që personifikonte historinë e salvimit të një dere në zë, asaj të Gjomarkajve, që në tetor të vitit 1944 partizanët ua kishin bërë shkrumb e hi “sarajet” (kullat), duke zhdukur përgjithmonë një nga monumentet simbol të Mirditës.

Prengë Dedë Gjomarkaj, burri me të cilin dilnin në fotografi miqtë nga SHBA-ja, më shumë heshtte sesa fliste. Ai do t’iu thoshte atyre: “Merita juej asht se ma në fund na e hoqët komunizmin qafet, por na e latë gjatë!…” Ishin fjalët e një mirditasi që në trollin e vet e quanin “pika e burrit”, kurse brenda hekurave të kryqëzuar thirrej “plaku i burgut”. Një nga bashkëvuajtësit e portretizon: “Ishte një burrë i gjatë dhe elegant. Të bante përshtypje rregulli i tij personal në burg, i përpiktë në çdo gjë, kishte mbetë ai ushtaraku i vërtetë i kohës së Mbretërisë”. Në Orosh, më 1992, për të nderuar kujtimin e Prengës, do të ngjitej dhe kryetari i Kuvendit, Pjetër Arbnori.

Kishte qenë dënuar në vitin 1945 nga Gjykata Ushtarake e Shkodrës, që kishte ngritur shpatën e Demokleut mbi “kriminelët e luftës”, shpesh të paqenë, ndër të cilët dhe major Prengë Dedë Gjomarkaj. Nuk është legjendë, por e vërtetë. Kur ai po dënohej me pushkatim, si ish-komisar policie në Shkodër, shkon te kreu i gjyqit ushtarak nëna e Heroit të Popullit Tom Kola dhe dëshmon në favor të tij. “Prenga ka shpëtue djalin tim nga pushkatimi”. Nëna e Heroit dhe disa shkodranë të tjerë që ndërhynë për lehtësimin e pozitës së tij, ia hoqën litarin, por jo dënimin prej 101 vitesh (më pas ulur në 25 vite) në Burgun e Burrelit.

Prenga kishte folur me rezistencën e tij morale 30-vjeçare në burgjet komuniste dhe sidomos me martirizimin e familjes së tij të madhe e të vogël, gjëmën e një “fisi” të tërë Gjomarkajsh, që niste me bijtë e vrarë, të burgosur e të arratisur të Kapidanit Gjon Marka Gjonit e deri tek i ati i Prengës, Deda, dënuar me vdekje më 1949 dhe i vëllai Marku që do të vdiste në burgun politik pak vite më vonë.

Gjomarkajt dhe “dyert e para” ishin preja e gjuetisë politike të diktaturës së proletariatit, ku nuk do të burgoseshin e internoheshin vetëm burrat, por dhe gratë e fëmijët. Njihet tashmë historia e shenjtneshës Marie Tuci, bijë e kësaj dere, njëra nga dyzetë martirët e Kishës Katolike në Shqipëri. Mjerisht hendeku klasor mes njerëzve të pushtetit dhe atyre të malit ishte bërë i pakapërcyeshëm; në radhët e Forcave të Ndjekjes në vitet 1944-1953 kishte njerëz me yllin e kuq në ballë që ua kishin bërë benë “Lleshave” e “Prengave”, dëshmuar kjo dhe në veprimet kriminale të një oficeri çnjerëzor, i njohur si “Toger Baba”.

U shfrytëzua vrasja e Bardhok Bibës, drejtues politik i Mirditës dhe deputet i saj, i Gjomarkaj dhe ai, për t’i faruar (“qitun fare”) Gjomarkajt si Derë, bashkë me bajraktarët dhe krerët e tjerë, në internime familjarisht dhe burgime të gjata e disa sosh përshkuar nga plumbat e “Qafë Valmirit”, procesit më të bujshëm e njëherësh më të përgjakshëm të mbas Luftës në shkallë vendi. Në Rrëshen, në mjediset e muzeut, është mbjellë një man, në kujtim të nacionalistëve që gjetën vdekjen te “Mani i Lal Ndreut”, në bregun e Zmesë. Mjerisht nuk ka qenë një skenë krimi, por një arenë krimi vrastar për disa vite, pa ndriçimin e së cilës nuk mund të rishkruhet historia e kësaj periudhe.

Pushteti i asaj kohe ishte në luftë të përditshme me armiqtë e tij, nga Oroshi në Romë, Nju Jork, Bruksel etj. Diaspora shqiptare në Europë e Amerikë ishte e mbushur plot me të afërm të gjakut dhe vërsnike të Prengë Dedë Gjomarkajt, që kishte zgjedhur të qëndronte në dheun e vet, edhe pse e dinte mirë se ishte në shënjestër dhe se dera e burgut për të asnjëherë nuk do të mbyllej, ai ishte gjithnjë aty në pritje të prangave në duar, siç dhe ndodhi më 1977, kur do të arrestohej për së dyti, 13 vjet pasi kishte kryer dënimin e parë. Ky ishte rituali politik për thuajse gjithë ish të dënuarit, ridënimi me sot më nesër. Si për t’iu treguar kapedanëve dhe bajraktarëve fuqinë e saj shtypëse e persekutuese, diktatura kishte ngritur në Spaç, mu përballë Oroshit, një nga kampet politikë më të rëndë, ku në maj të vitit 1973 të burgosurit do të përfshiheshin në një revoltë të pazakontë.

“Orosh, ovend i Marksizmit”!?

Kur Prenga lirohet nga dënimi i parë në vitin 1964 dhe kthehet në Ndërshenë, vendlindja e tij po zhbëhej, duke u bërë kooperativë bujqësore. Dhe për ironi të fatit, asokohe, drejt atyre bjeshkëve do të ngjitej një funksionar i lartë i Ministrisë së Bujqësisë, i cili i frymëzuar nga ideologjia do të shqiptonte frazën më të pakuptimtë: “Orosh, o vend i Marksizmit”!? Bash në qendrën e reaksionit. Dënimi i dytë vinte për shkak se Prenga nuk kishte pushuar së qeni një njeri i rrezikshëm për regjimin, qoftë dhe duke mos bërë veprimtari konkrete kundër tij, por mjaftonte emri i mirë që kishte në popull, vetëdija e të cilit asnjëherë nuk kishte reshtur ndaj traditës.

Nëse Lalë Prenga, siç thirrej, nuk do të ishte më i tillë, qëndrestar moral, njeri që i bënte hije “epokës së ndritur” komuniste, asgjë nuk do ta kishte gjetur, nuk do të kishte “hëngër” dhe dhjetë vite të tjera për agjitacion e propagandë. Por regjimi nuk e kishte tjetërsuar e zhbërë aspak personalitetin e tij. Ky është thelbi. Edhe pse propaganda puniste përpiqej më të gjitha armët e saj ta zhbënte derën e Gjomarkajve, qysh se i kishte vënë flakën selisë kapidanore, ekzistenca jashtë telave të burgut e nacionalistëve si Preng Ded Gjomarkaj nuk mund t’i linte të qetë organet e Sigurimit të Shtetit, që vigjilonin dhe mbi komunistët.

Në Oroshin e viteve 1960-1970 kishte dhe të tjerë kundërshtarë të pushtetit, si ish i dënuari politik Gjon Mark Ndoj, që ditën punonte në mirëmbajtjen e rrugëve dhe mbrëmjeve shkruante novela, kujtime etj., apo Zef Bajraktari që do të mund të arratisej për në Amerikë. Prandaj dhe shteti ishte përherë në alarm. Publiku shihte anën e dukshme të regjimit, punën e përditshme në miniera e qendrat e tjera të punës, kurse të persekutuarit preknin anën e errët të tij.

Nuk është e rastit që në Mirditë, në këtë periudhë, pati një valë të re goditjesh politike, me gjyqe dhe burgime të rëndë individësh të spikatur, si Gjok Çup Blini, Llesh Duka, Gjok Gera, Nikollë Zef Tuci, Devi Radhima, Nikollë Skana, kosovarët Kol Nikçi e Ymer Llugaliu, përfshi dhe kuadro komunistë si Pal Marka Deda, një nga drejtuesit më të suksesshëm të kohës. Nga ana tjetër, për të treguar se socializmi kishte ngadhënjyer, shpalleshin dita-ditës heronj të punës në miniera, uzina, gjeologji, kooperativa, si “kompensim” për luftën politike që shteti komunist bënte pa u ndalur kundër elementit armik, përfshi dhe nga të vetët.

Bardhok Biba vërtet ngrihej në zenit si figurë politike, por familja e tij përjetonte drama politike, e motra Martinia do të internohej në Fier se nuk kishte pranuar të hynte në kooperativë bujqësore më 1967, në fshatin ku ishte e martuar. Më herët i shoqi i së motrës, Gjin Frrok Maca, ishte dënuar politikisht. I sollëm këta shembuj për të treguar se gjërat nuk duhen parë bardhezi, pasi kishte një “bashkëjetesë” të detyruar mes njerëzve që i bashkonte gjaku, krushqitë e miqësitë familjare dhe i ndante ideologjia për jetë a vdekje. E, megjithatë, propaganda, sokëllinte: “Orosh, o vend i Marksizmit!…”

“Unë e kam mbiemrin më të shenjtë se emrin”

Derës së Gjomarkajve po i rikthehej dinjiteti. Djali i fundit i Kapidanit, Dedë Gjomarkaj, me dy të motrat, Martinen dhe Bardhen, ishte kthyer në selinë princërore në Shkodër, ngjitur me Kafen e Madhe. I biri i Dr. Mark Gjomarkajt, kreut të nacionalistëve të Veriut, Gjon Markagjoni i ri, ishte vënë në krye të Karitasit austriak në Shkodër dhe ndihmonte rimëkëmbjen e Mirditës së varfër të socializmit të sapoperënduar. Më pas ai do të bëhej deputet. Kulla e Lalë Prengës në Ndërshenë ishte kthyer në një vend “pelegrinazhi”, ku venin herë pas here njerëz nga Tirana, Rrësheni, diaspora etj. Ata që i shoqëronin miqtë që vinin nga larg, përpiqeshin t’ua rrëfenin historinë më gjuhën e poezisë.

“Nji Derë paska gjithë Arbnia”, kishte pas shkruar poeti Pjetër Zarishi, abati i Oroshit, në gjysmën e dytë të shekullit XIX, jo se kishte qenë veç një derë historike, por vetëm ajo e Gjomarkajve kishte mundur t’i mbijetonte Perandorisë Otomane, me luftë dhe diplomaci mes Lindjes dhe Perëndimit. Fishta te “Lahuta” na ka sjellë profilin e luftëtarit të shquar për mbrojtjen e trojeve Preng Markola, i Derës së Gjomarkajve: “E ndër t’gjithë por si hyll drite, / Preng Markola prej Mirdite, / Lypë për pushkë ky e për pleqni, / Q’merr prej Shkodre e n’Peshkopi…”

Por dinastia princërore e Markagjonëve do të nxirrte dhe të tjerë “Prenga” në shekullin XX, të pajisur me virtytet më të mirë të racës shqiptare, si protagonisti i këtij shkrimi. Ai dënohej e ridënohej se ishte i Gjomarkaj e jo se kishte bërë ndonjë krim. Gjatë burgut të parë, kur kishte bërë 17 vite dënim, dikush i kishte thënë të bënte një lutje që t’i faleshin dy-tre vitet e fundit, por përgjigjja nga Tirana kishte qenë negative. Komandanti i burgut i ishte drejtuar: “Sa të jetë ky pushtet, mos bëj lutje, se nuk lirohesh pa e bërë dënimin cik më cik. Jo për gjë, por ti e di mbiemrin tënd!?”. Ka mbetur proverbiale përgjigjja e tij atë rast: “Po unë e kam mbiemrin më të shenjtë se emrin”.

Si ushtarak karriere, oficer mbretëror, major Prenga e kishte bërë detyrën e tij duke zbatuar ligjet e Monarkisë, por në rrethanat e Luftës ai duhej të përshtaste, sa ishte e mundur, një sjellje humane, pasi përplasja kishte vënë përballë jo vetëm pushtuesit italianë e gjermanë me shqiptarët, por dhe vëllezërit e një gjaku: nacionalistë dhe komunistë. Në këtë duel të pashmangshëm, Prenga mundi të bënte më të mirën. Ashtu si dhe më parë kur drejtoi për pak kohë komunën e Fushë-Arrësit.

Këto pak radhë, me shkas nga ky burrë i dëgjuar mirditas, janë njëherësh homazh për gjithë ata nacionalistë që u salvuan për parimet e tyre historikë të atdhetarisë, prijës, besës e burrnisë; institucionet tradicionale të vetëqeverisjes, si Kapidani, krerët e Bajrakëve, Pleqtë etj., një elitë e sakrifikuar në emër të triumfit të revolucionit popullor bolshevik. Përndryshe, ata ishin heronjtë e “Lahutës së Malcis’”, apo pasardhësit e tyre, djalë mbas djali të përbashkuar e të përbetuar rreth flamurit kombëtar.

Është një trashëgimi ende e “groposur”. Në mënyrë simbolike e dëfton këtë dhe një detaj i përshkruar në monografinë “Mandela i Mirditës” (kushtuar Prengë Dedë Gjomarkajt) të studiuesit Nikollë Toma. Në vitin 1945, kur Prenga dënohet, e shoqja, Mrika, merr disa sende familjarë me vlerë, dokumente dhe fotografi, i fut në një kuti teneqeje dhe i gropos tek një qershi, që kur të vinte dita të zbuloheshin… dhe dita erdhi vetëm në vitin 1991, kur ai “thesar” u nxor nga toka, ndërkohë që gruaja e fisme kishte ndërruar jetë më 1984… vit që mbase jo rastësisht të ndërmend romanin e famshëm të Xhorxh Oruellit.

©Ndue Dedaj - Panorama