Trashëgimi

Sulejman Pitarka - Nga Mevlan Shanaj

Mevlan Shanaj

E adhuroja Pitarkën, për mënyrën e tij të interpretimit. Gati në çdo karakter të krijuar ai ndërtonte njeriun ala Pitarka, që afeksiononte çdo shikues. Nuk ka, besoj, ndonjë figurë artistike të krijuar prej tij, që nuk të mbetej në mëndje. Sipas meje, kjo ndodhte pasi karakteret e tij ishin shumë jetësorë. Më shumë kishte personazhe të rëndësishëm në një vepër, jo krejt qëndrorë. Vetëm në dy-tre raste pati role kryesorë.

Natyrshmëria ishte tipari i tij dallues. Nuk dinte të sforcohej. Teksti vinte lirshëm sikur po e thoshte aktori aty për aty dhe nuk ishte shkruar nga autori. Kishte besueshmëri në skenë. Përveç të tjerave, drama e shkruar nga Sulejman Pitarka, “Familja e peshkatarit”, kishte bërë jehonë të madhe si një ndër veprat më të arritura sipas stilit të kohës. Ishte vënë dhe rivënë në skenë në Teatrin Popullor. U bë edhe film, “Oshëtimë në bregdet”. Jonuz Bruka u interpretua shkëlqyeshëm nga Kadri Roshi, Naim Frashëri dhe Ndrekë Luca. Meritën kryesore për atë figurë gati mitike të babait patriot e kishte padyshim autori Sulejman Pitarka.

Rastisi të flinim në një dhomë në Hotel Turizmi i vjetër Pogradec. Po xhironim në filmin “Rrethimi i vogël”. Unë kishte vite që nga puna si regjisor në TVSH, pothuajse isha shkëputur nga interpretimet nëpër filma, por edhe nuk më linin nga puna. Kisha dy ditë që kisha vajtur, pas ftesës së dy miqve të mi, shokëve të klasës, regjisorit Saimir Kumbaro dhe Timo Fllokos, që kishte rolin kryesor.

Në dhomën time dyshe e sollën Pitarkën. Natën e parë që erdhi nga Tirana, ashtu i urtë, i qetë, i ditur, mu duk edhe më babaxhan. Ishte ora 21.00 kur më tha: “unë fle me pulat”. Për të mos e shqetësuar zbrita poshtë në lokalin e bukur të turizmit. Për mua ai lokal ishte shumë i ngrohtë. Në mëngjez herët, në ora 4.00, Pitarka u çua dhe po bënte një kafe. Kishte me vete takëmet dhe një plitkë të vogël korenti për kafenë. Filloi të lexonte.

U mësova me regjimin e tij. Flinte herët, zgjohej herët dhe lexonte deri nga ora 8.00. Pothuaj çdo ditë rreth 3 orë lexim. Lexonte italisht. Si dibran i mirë nikoqir, më tha se për këto dy ditë nuk do ia lë paret restorantit. Kishte marrë një pulë të pjekur. Më tregonte kur kishin lëvizur nga Dibra për në Shijak dhe punën që kishte bërë në bankë.

Pas disa kohësh e takova në mëngjez herët te kafja e Radio-Tiranës. Pse ke ardhur kaq herët, i them.                                  

-Për të lexuar ndonjë tekst në programet e mëngjezit, - m’u përgjigj.                               

-Për aq pak para, ndoshta nuk ia vlen, - ia ktheva.                                                                  

- Dëgjo, - më tha. - Lekë lekë bëhet paraja. Në fund të muajit më bëhen 3000 lekë për cigaret dhe kafenë. Rrogën ia çojë plakës pa e prekur dhe ajo më thotë: “Sa djalë i mirë je ti Sulë!”

Më vonë u takuam me regjistrime të dramave në TVSH si “Shënomëni dhe mua” dhe sidomos për rolin e Sulejman Vokshit tek drama “Epoka para gjyqit”. Të dy këta role, realizuar shkëlqyeshëm nga Pitarka, mendoje se ishin shkruar enkas për të. Transformimet e dy tipave krejtësisht të ndryshëm, kishin vulën e tij. Më mirë nuk besoj se mund të bëheshin. Në logjikën time Sulejman Vokshi i Sulejman Pitarkës ishte ashtu siç e kanë imagjinuar gjithë shqiptarët. Figurë madhore me staturë burrërore në fjalë dhe në gjeste.

Sulejman Pitarka ishte bërë aktor i preferuar i regjisorëve. Kishte ngarkesë, po shumë herë edhe i bishtonte. Në atë kohë doli thënia monumentale e Sulejman Pitarkës: I bukur është teatri, shumë i bukur, po ç’e do, ka shfaqje në darkë. (Siç të mbetet në kokë ndonjë gjë në jetë, më ka mbetur shprehja e tij “lekë lekë bëhet paraja, gjë që nuk arrita ta zbatoja.)

©Mevlan Shanaj

Tagged under Mevlan Shanaj