Trashëgimi

Vjen të jesh drita jonë! - Nga Përparim Kabo

 Përparim Kabo

Kjo letër në eter, i është drejtuar Nënë Terezës më 26 gusht 2010 me rastin e 100 vjetorit të lindjes së saj.

Nënë Tereza, të shoh tek çapit udhëve të njerëzve në nevojë, megjithëse kaloi më shumë se një dekadë që ke ndërruar jetë. Por sot, do duhet të ndalesh një hop e qetësisht të bisedojmë, sepse është 100-vjetori yt i lindjes. Ju kurrë nuk patët predispozitë për ceremoni personale dhe për veneracion vetjak, ndaj le t'u rrëfej për ato ç'kanë ndodhur, pasi zemra jote pushoi së rrahuri.

Në dhjetëvjetorin e largimit tënd për në Providencë, doli në qarkullim një libër i titulluar "Vjen të jesh drita ime". Tronditi ky botim. Mathiew Lamb, kryetari i Departamentit të Teologjisë në Universitetin Konservator "Ave Maria" në Florida të SHBA-së, mendon se "Vjen të jesh drita ime" do të rreshtohet eventualisht me "Rrëfenjat" e Shën Agustinit dhe me "Mali shtatëkatësh" i Thomas Merton, si një biografi universale e ngritjes spirituale. Një tjetër institucion shumë më liberal, dhe ky amerikan, duke u fokusuar më së shumti në aspektin njerëzor të shërbimit tuaj terezian, e quajti këtë libër "një ministri" e shkruar për jetën tënde të brendshme Nënë Tereza. Zoti Martin nga ky institucion thotë: "Do të kujtohet pikërisht sa e rëndësishme është ministria e saj për të varfrit. Ajo do të ishte një ministri për popullin, e cila pati provuar disa dyshime, disa mungesa të Zotit në jetën e tyre. Dhe ju e dini cilët janë ata, çdokush, ateistët, dyshuesit, kërkuesit, besimtarët".

Jam i sigurt që ju vura në mendime Nënë TEREZA! Fjalët "mungesa e Zotit" janë shndërruar për disa vjet dhe në disa qarqe në një objekt diskutimi, keqinterpretimesh dhe hije-dyshimesh, sepse pabesisht janë botuar edhe disa letra tuajat të viteve '50-të të shekullit të kaluar, megjithëse ju kishit porositur që ato të asgjësoheshin. Gjithsesi, kjo na jep shkas dhe arsye që të kryejmë një udhëtim mes ngjarjesh dhe raportesh me institucionet fetare dhe ato laike përgjatë jetës tënde, çka do të shërbente për të sqaruar shumë momente dhe qëndrime, reflektime dhe deklarime. Unë j’ua kërkoj këtë leje në emër të gjakut shqiptar që na bashkon, si një njeri që ju adhuron dhe si një studiues që do të sjellë në dritë të diellit përballë dashakeqëve që duan të denigrojnë veprën tënde, sa humane po aq edhe të sakrificës, sa të krishterë, po aq gjithëfrymëzuese. Është koha kur ju me përvojën dhe statusin që keni, mund ta vështroni botën njerëzore dhe kujdesin ndaj njeriut me aftësinë për ta diagnostikuar dhe për t'i dhënë këshilla shpirtit njerëzor.

Ky vit në Europë është shpallur si viti në luftë kundër varfërisë. U zhvillua para ndoca javësh edhe një "Konferencë Ekumenike", veçse ju nuk ishit fizikisht prezente. Filozofia juaj, se bota nuk është e rregullt, e qetë dhe në paqe me njerëz të varfër dhe në nevojë, ishte atje. Një kumt i tillë antropo-moral nuk zhbëhet. Rrënjët shkojnë thellë në kozmogonitë fetare dhe filozofike të të gjitha kohërave. Ka në atë përunjësinë dhe sakrificën tënde edhe nga morali budist, si një sjellje e njeriut në përgjërim për të mos u dorëzuar pa vënë në vend drejtësinë. Frymëzimi yt për t'i shërbyer pa dallim çdo njeriu, del nga ajo grahma e fundit e shpirtit të Jezusit në Kryq: "Kam etje"! Me lejen tuaj, Nënë Tereza, po mundohem t'u jap përgjigjen që meritojnë atyre shkruesve të llojit të dyshuesve dhe denigruesve pa moral dhe helmonjës. Të ftoj përunjësisht të dëgjosh e të gjykosh, të analizosh dhe të vlerësosh se si kanë rrjedhur kohët.

* * *

Ishte 10 shtatori i vitit 1946, kur Ju morët trenin dhe udhëtuat 645 km për në Dargeeling, megjithëse e sëmurë dhe e këshilluar të shkonit me pushime. Atje në atë rrugëtim, Ai t'u shfaq. Ju biseduat me Jezusin dhe e quajtët: "Ju jeni drita ime"! Ai të foli dhe të bindi si një mësimdhënës për të punuar me "më të varfrit e të varfërve", me të sëmurët, me njerëzit me ngjyrë, me lypsat dhe fëmijët e rrugës! Si iu drejtuat Hyut Nënë Terezë: "Eja, eja më ndihmo mua në të gjitha skutat e të varfërve, t'i ndihmojmë ata të jetojnë me dinjitet jetën e tyre! Kështu ata do të llogarisnin dashurinë e pafundme të Zotit dhe duke njohur atë, do ta duan dhe do t'i shërbejnë atij në kthimin e tij".

Ky është dialogu i asaj dite, që ndërgjegjja dhe thellësia e Nënë Terezës bëri me Jezusin. Kjo do të ishte udha e saj, prej së cilës ajo kurrë nuk devijoi. Ky do të ishte frymëzimi i saj që asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk u zbeh. Ky do të ishte botëkuptimi i saj, që edhe në momentet më të vështira nuk u vu në dyshim, si edhe rreken disa të manipulojnë pas vdekjes së saj. Këto insinuata janë ose devijime paqëndrueshmërie në arsyetim, ose paramendime dashakeqe jashtë motiveve fetare.

"Pretendohet" (më fal Nënë Tereza) se i është zbuluar sekreti i jetës, pra një lloj "ateizmi i fshehur", apo bazuar tek eksperienca e saj, një lloj "filozofi e vlerave të dyshimit". Në këto arsyetime ka pasaktësi jo të vogla. Merren referenca nga disa letra të saj, që u bënë publike këto tri vitet e fundit. Fillimisht më duhet të them se kur letrat i drejtohen dikujt, pikërisht në këto rrethana nuk ka kuptim të flitet për gjëra të fshehura. Shqetësimet e hedhura në letër nuk ishin sekrete dhe ato iu dërguan dikujt, pa ndonjë shënim special, si "krejt imtime" apo "të papublikueshme".

Rimerren dy argumente në komentin e librit të sipërpërmendur; Rregullat e Kishës, që në disa raste Nënë Tereza i shikonte si pengesë në misionin e saj dhe gjendja e mjeruar në Kalkuta, e cila konvertohej prej saj si "një boshllëk i mungesës së perëndisë", në kuptimin që Zoti nuk ishte më në zemrat, mendjet dhe sytë e njerëzve, të cilët do duhej të përfshiheshin në një veprim masiv për ta ndryshuar këtë gjendje".

Arsyetimi i saj është i qartë dhe pa ekuivoke. Nuk vihet në dyshim ekzistenca e Zotit, por shprehej shqetësimi për praninë e tij në shpirtin njerëzor, sa dhe si filozofia dhe morali fetar ishte në themel të formimit dhe të veprimit përball mizerjes ku jeta e njerëzve nuk konsiderohej. Në këto rrethana të zhbërjes së njeriut lypsej fleksibilitet dhe konvertim i domosdoshëm për të komunikuar, për t'u shprehur, për të dëshmuar. Ata "skrupulozët" pa motive të thella që kurrë nuk kanë realizuar një humanizëm të tillë si ai terezian, shtyhen të thonë se: "Ajo hipokrizia rutinë e buzëqeshjes, që thjesht mban një komunikim jashtë ndryshimit të gjendjes së njerëzve në nevojë, ishte shqetësimi i tretë që përvuajti Nënë Tereza".

Ajo qartazi deklaroi se: "Buzëqeshja është një maskë, ose një mantel që mbulon gjithçka". Më duhet të them se këtu nuk ka hipokrizi me vetveten, si edhe rreken disa "analistë", "këta heronj pa ide", që duan me ngulm të "zbulojnë" dritëhije mes misionit të Nënë Terezës dhe të sjellurit të saj. Nënë Tereza e ka shprehur hapur se, ajo vuan që është e detyruar të vërë buzën në gaz kur hyn në kontakt me hipokrizinë shtetërore, institucionale dhe atë antropologjike të pasurisë dhe luksit, sepse brenda saj ishte e vizatuar dhe këlthiste ajo pjesë e njerëzimit në nevojë, e braktisur, së cilës ajo i dhuronte ndihmë, mëshirë njerëzore. "Maska" ishte buzëqeshja ndaj atyre që nuk janë pjesë e këtij komuniteti, por që mbajnë përgjegjësi për të. Kjo gjendje shpirtërore e saj që merr trajtën e një thatësire, errësire, vetmie e torture që ajo po kalonte, për asnjë moment nuk pati forcën negative për ta ndaluar.

Në misionin e saj, ajo do duhej të komunikonte me njerëzit në dhe me pushtet, me institucionet, me shtetin, me organizatat ndërkombëtare si UNICEF, Kryqi i Kuq, por edhe me tërësinë e institucioneve hierarkike fetare deri në Selinë e Shenjtë. Në këtë komunikim, ajo nuk shpërfaq jashtë atë që kishte brenda saj, atë që e vuante si një përvuajtje me një strukturë të dyfishtë. Edhe si vuajtje e njerëzve në nevojë, të cilëve iu kushtoi jetën dhe si vuajtje e saj, kur evidentonte se vlerat e Jezusit në shërbim të të tjerëve nuk i gjente, si dhe për faktin që morali shtetëror dhe udhërrëfimi laik institucional tregonin një lloj ftohtësie dhe hipokrizie përballë krizës ekzistenciale të vetë jetës.

Ajo shqetësonte madje edhe hierarkinë papale me thjeshtësinë e asketizmin e saj. Nënë Tereza e pohon praninë e Zotit me tregues thelbësorë. Ajo jetoi në shekullin e XX-të si Jezusi, në thjeshtësi, në varfëri dhe në shërbim të të tjerëve. Gjithashtu, ajo si edhe Mesia, kërkonte mënjanimin e varfërisë, sëmundjeve e vdekjes për njerëzit në tokë. Tek Jezusi nuk gjejmë "propagandë të parajsës", por vullnet për ndryshim të realitetit tokësor. Po kështu edhe tek veprimtaria e Nënë Terezës, boshllëku që ajo ndjen dhe vuan për "mungesë të perëndisë" tek njerëzit, ishte simetrik me përfundimin e Moisiut, që kur u kthye nga takimi me Perëndinë i gjeti njerëzit në kodrën, ku me pasurinë po ndërtonin "Viçin e Artë", e gjithë kjo e drejtuar nga vëllai i tij. Moisiu shpërtheu me fjalët: "Ju jeni të gjithë mëkatarë"!

Nëse Nënë Tereza nuk qenkësh frymëzuar nga Jezusi, si edhe mëtojnë nisur nga qëllime të mbrapshta ata që "argumentojnë" alogjikisht disa nga letrat e saj, atëherë një pyetje pezull kërkon përgjigje, nga u frymëzua ajo? Nga interesi ekonomik? Jo, sepse ajo përbuzi pasurinë dhe jetoi vetë në mjerim. Nga shkenca? Jo, sepse veprimtaria e saj ishte thjesht njerëzore, si shërbesë ndaj njerëzve në nevojë.

Autorja Kathryn Spink, në librin e saj "Mother Teresa - an Authorized Biography" shkruan: "Sa herë që fondet bëheshin plotësisht gati, Nënë Tereza përcaktonte me një emfazë më të madhe rolin shpirtëror të bashkëpunëtoreve, duke insistuar se ato qenë jo thjesht bashkëpunëtore të Nënë Terezës, por bashkëpunëtore të Krishtit. (libri i përmendur, faqe 137).

Veprimtarinë e të shërbyerit si "MISIONARE të MËSHIRËS", Nënë Tereza nuk e shihte thjesht si një sakrificë vuajtjeje për të shërbyer ndaj njerëzve në nevojë, por e konsideronte njëherësh edhe si një veprimtari spirituale. Kur "misionaret e mëshirës" kishin filluar të rriteshin në numër, vizioni i Nënë Terezës për të sëmurët dhe ata që vuanin, si jetë të cilat do të duhej të normëzonin "një dritë që digjej e konsumohej për shpirtrat, po rritej në përputhje me to". Në janar të vitit 1953, Nënë Tereza draftoi bazat e lidhjes së bashkëpunëtorëve për të sëmurët dhe ata që vuanin. Në një vend tjetër ajo shprehet: "Çdokush dhe cilido që dëshiron të bëhet "misionar i mëshirës" si një bartës i dashurisë së Zotit, është i mirëpritur, por unë dua në mënyrë të veçantë të paralizuarit, të gjymtuarit, të pashërueshmit të bashkohen me ne, sepse unë e di se ata sjellin tek këmbët e Jezusit shumë shpirtra. Ju e shikoni motrat e mia të dashura, puna jonë është një punë mjaft e vështirë. Nëse ju jeni me ne, lutuni dhe vuani për ne dhe punën, ne do të jemi në gjendje të bëjmë gjëra të mëdha për dashurinë ndaj tij. Në saje tuaj, unë ndjehem shumë e lumtur dhe një forcë e re ka ardhur në shpirtin tim nga mendimi se ju dhe të tjerë do të punojnë me ne. Ne nuk do të bëjmë vetëm atë që nuk ka të bëjë me Jezusin".

Këto fjalë, Nënë Tereza i shkruante në 12 prill 1953. Ishte koha kur 10 motrat e para kishin shfaqur kënaqësinë për këtë mision human. Në një letër tjetër në tetor 1954, ajo shkruante: "Çfarë vokacioni i bukur ky juaji, 'një misionar i mëshirës', një bartës i dashurisë së Zotit - në mbajmë në trupat tanë dhe në shpirtrat tanë dashurinë e një etje të pafund të Zotit, dhe ne, ju dhe unë dhe të gjitha motrat e dashura, të sëmurët dhe ata që vuajnë, do ta shuajnë etjen përvëluese, ju me vuajtjen tuaj të patreguar, ne me punën e rëndë. Por, a nuk jeni ju të gjithë të ngjashëm në një, si Ati juaj brenda meje dhe unë brenda jush - si thoshte Jezusi"!

Të gjithë jetën e saj Nënë Tereza e sheh si një pelegrinazh për tek Jezusi, si një detyrim ekzistencial në emër të tij dhe misionit të tij udhërrëfyes e të pashtershëm, si një universalitet gjithë-epokal. Ajo vetë besonte se kur orët e fundit do kishin ardhur për të, për të shkuar në "Shtëpinë e Zotit", ajo do të gjykohej për veprimet e saj dhe për dashurinë që ajo pat vënë brenda tyre.

Ja si shkruante Nënë Tereza: "Sot të varfrit janë të uritur për bukë dhe oriz, për dashuri dhe për të jetuar me fjalën e Zotit; të varfrit janë të etur për ujë dhe për paqe, janë të etur për të vërtetën dhe drejtësinë, të varfrit janë lakuriq, pa rroba, janë pa dinjitet njerëzor dhe pa dhembshurinë për gjynahqarët e lakuriqtë. Të varfrit janë pa banesë, pa një strehëz të bërë me tulla dhe pa një zemër gëzimplotë që kupton, mbulon dhe dashuron. Mbyllja e derës, mosdashja, padashuria dhe të alkoolizuarit, njerëzit e skamur me ngjyrë, të braktisurit dhe të vetmuarit, ata pa plang dhe ata që nuk prehen se vuajnë nga lebroza; të gjithë ata që janë një barrë për shoqërinë njerëzore - ndaj atyre që kanë humbur ndjeshmërinë ndaj dashurisë e miqësisë, ndaj prekjes së dorës së ngrohtë; të gjithë ata shohin tek ne për mbështetje. Nëse ne u kthejmë shpinën atyre, ne ia kthejmë atë Krishtit dhe në orët e vdekjes sonë ne do të jemi të gjykuar nëse nuk kemi shquar Jezusin brenda tyre, do të gjykohemi për çfarë ne kemi bërë, për dhe ndaj tyre. Do të ketë vetëm dy rrugë; eja ose shko"! ( Shënimi im - lexo ta pranosh hyun ose ta përzësh atë - udhë të mesme për Nënë Terezën nuk kishte).

Si në një shkallëzim "zenonian të aforizmave" duke pikëzuar si ekzistencë frytin, Nënë Tereza sjell si rrjedhojë të njëra-tjetrës ndjenjat universale dhe detyrimet më fisnike që lidhen me humanizmin dhe përkushtimin njerëzor. "Fryti i qetësisë është lutja, fryti i lutjes është besimi, (u krijua trinomi i parë; qetësi-lutje-besim). Fryti i besimit është dashuria, fryti i dashurisë është shërbimi, fryti i shërbimit është paqja (krijohet edhe trinomi i dytë; dashuri-shërbim-paqe). Fillohet me qetësinë dhe mbarohet me paqen, aksioni është besimi dhe të shërbyerit me dashuri. Mekanizmi i realizimit të të qenit i pranishëm Zoti, nga struktura, është marrëdhënie njerëzore me kontributin e tij. Nga objekti, është të shërbyerit ndaj njeriut me moralin e tij. Nga emotiviteti, është dashuria e njeriut në nevojë.

Të varfrit, shprehet Nënë Tereza, "janë njerëz të shkëlqyer, sepse ata na mësojnë shumë gjëra me vlerë". Dhe sjell në mend atë vajzën e varfër që vdiq në duart e saj duke i thënë faleminderit. "Është kaq mrekulliplotë të shohësh madhështinë e këtij njeriu… i cili mund të vdesë si një engjëll, kjo është madhështia e këtyre njerëzve". (v.o. të varfrit nuk nëmin dhe mallkojnë apo ankohen kur largohen nga kjo botë, një i pasur mund të hungërojë, se si është e mundur që me pasurinë nuk e bleu dot pavdekësinë, ose si mund të thotë çdokush nga ne, se kam uri, kam ftohtë apo kam dhimbje). Dhe kjo - e vijon arsyetimin Nënë Tereza - "se ajo që ne besojmë është ajo se çfarë Jezusi ka thënë: 'Unë isha i uritur, unë isha lakuriq, unë isha pa shtëpi, unë isha i padëshiruar, nuk më donin, nuk kujdeseshin për mua - dhe ju e bëtë këtë për mua'".

Duke prekur mizerjen si trup njerëzor, Nënë Tereza artikulon se "ne jemi duke prekur trupin e Jezu Krishtit 24 orë në ditë, ne e kemi prezencën e tij 24 orë në ditë, ju edhe unë. "Ju gjithashtu duhet të përpiqeni të sillni prezencën e Zotit brenda familjes suaj, për familjen që lutet së bashku, që qëndron së bashku. Dhe unë mendoj që ne në familjet tona nuk kemi nevojë për bomba dhe pushkë, për të shkatërruar apo për të sjellë paqen, thjesht po të jemi së bashku, vetëm po të duam njëri-tjetrin, sjellim atë paqe, atë gëzim, atë prezencë të fortë të njëri-tjetrit në shtëpi. Dhe ne do të jemi në gjendje për të kapërcyer të gjithë të keqen që është në këtë botë. Ka kaq shumë përvuajtje, kaq shumë të urryer, kaq shumë mizerje, dhe ne me lutësit tanë, me sakrificat tona, jemi duke e filluar në shtëpitë tona. Dashuria fillon në shtëpi dhe nuk është sa shumë ne bëjmë, por se sa shumë dashuri ne vëmë në veprimin që bëjmë. Është për Zotin gjithë çka ne mundim, sa shumë ne bëjmë nuk ka rëndësi, sepse ai është i pafund, por sa shumë dashuri ne vendosim në këtë veprim. Sa shumë ne bëjmë për të (lexo-Zotin) në personin që ne jemi duke shërbyer". (Kathryn Spink, Mother Teresa-an authorized biography, page 299).

* * *

Nëse ke edhe pakëz durim, Nënë Tereza më lejo t'i shkoj deri në fund detyrimit tim në shërbim të personalitetit dhe veprës suaj. Një dekadë pas vdekjes suaj, pra në vitin 2007, kur diskutimi për shenjtërimin tuaj ishte një diskutim i hapur dhe në proces finalizimi, pikërisht në ato momente sublime, dikush apo disa "shpenzuan" për botimin e letrave ku sipas tyre, ju për 50 vjet nuk e ndjetë prezencën e Zotit.

Ja se ç'thotë, David van Biema: "Çfarë na mëson neve eksperienca e saj, vlerën e dyshimit?! E gjitha kjo lidhet me një letër që në shtator 1979, Nënë Tereza i dërgoi Rev. Michael van Der Peet, ku shkruhet: "Jezusi ka një dëshirë të veçantë për ju, si edhe për mua. Boshllëku dhe heshtja është kaq e madhe, saqë unë vështroj dhe nuk shoh, vë veshin por nuk dëgjoj, gjuha lëviz në lutje, por nuk flet… unë dua që ju të luteni për mua, se unë e lë atë të ketë një dorë të lirë". Një përfundim i tillë nuk është mohues në thelbin ekzistencial, por sillte një shqetësim real për boshatisjen shpirtërore të njerëzve nga humanizmi jezusian. Si edhe shprehet Nënë Tereza, "nuk është e mjaftueshme të themi, unë e dua Zotin, por unë nuk e dua fqinjin tim, sepse Zotin, Jezus në kryq, e bënë të tillë një i uritur, një i zhveshur, një i pastrehë. Në emër të tij, ja se çfarë unë dhe ju mund të lehtësojmë. Krishti është ngado, është tek i varfëri që ju takoni, është në buzëqeshjen që jepni dhe në atë që ju merrni".

Bazuar në këto thënie të një lakonizmi me sinqeritet dhe përkufizime aksiomatike, kuptohet se Nënë Tereza mbetet në thelb kristiane, por që ka dhe një pikëvështrim krejt të sajin personal. Ka rëndësi argumentive zbërthimi i marrëdhënies së saj me fjalët e fundit të Krishtit në kryq: "Kam etje"! Është një "i gjallë i vdekur", një qenie në kufirin mes jetës dhe vdekjes duke vuajtur. Ai kërkon ta lehtësojë atë. Ka nevojë për ndihmë, për mëshirë, për t'i qëndruar pranë. Frymëzuar nga kjo anatomi përjetimi, Nënë Tereza plazmoi kuptimin e shërbimit ndaj njeriut në nevojë, të varfër, të sëmurë, apo të pastrehë. Prandaj ajo shprehej se Krishtlindjet do ta mbanin botën ku rrezatimi i gëzimit është real sepse Krishti është ngado".

Guxoj të them Nënë Terezë, se atje ku e kërkoni Ju Krishtin, tek zemra (si thoshte Jezusi 'ju dua me zemër'), tek varfëria, tek buzëqeshja, tek dashuria për njëri-tjetrin, përfundimi që ju nxirrni në atë letër është i drejtë. Ju ngrini një shqetësim, pse njerëzit nuk drejtohen më nga kjo filozofi kur mendojnë për Atin në qiell, pse nuk i kanë porositë e tij filozofi jete dhe orientim moral veprimi, shprehje të identifikimit dhe parimësi të aksionit të jetës? Unë nuk gjej në këtë shqetësim të vakuumit për shkak të largimit, as kontradiktë e për më tepër, as braktisje! Ajo (Ju Nënë Terezë) me kurajë paralajmëruat se njerëzit po i largoheshin këtij morali dhe "udhës së perëndisë".

Thuhet se në thënien e dytë të letrës së lartpërmendur, shpërfaqet një "dizonancë ekstravagante". Kjo sepse në thënien e parë shfaqet ajo, gruaja që bota mendonte se e njihte, ndërsa thënia e dytë konsiderohet si një tingëllim si "ato që shëtisnin në dramat ekzistenciale të viteve '70-të." Dhe rreken të shkojnë në skaje, duke thënë se "këto janë dy anë kontradiktore brenda se njëjtës "ikonë" të madhe njerëzore të 100 viteve të fundit.

Unë mendoj që nuk ka kontradiktë brenda Nënë Terezës. Ajo zbuloi kontradiktën në realitet. Evidentoi me guxim "mungesën e Krishtit" tek njerëzit e sotëm që u përçudnuan në shoqërinë e konsumizmit. Ndoshta atë e shqetësonte, apo e bezdiste marrëdhënia me Jezu Krishtin e ngurtësuar thjesht në ceremonial, vetëm në Tempull, si një komunikim steril që nuk bashkëshoqërohet me frymëzim human, me sakrificë për të tjerët (si Jezusi) me dhembshuri për atë që vuan, me kujdes për atë që ka nevojë, me mëshirë për atë që nuk ka fuqi të rrojë, por nuk ka fuqi edhe të vdesë. Ky është ekzistencializëm real, jo artistik apo teatror.

Kjo lloj drame e ka shtyrë Nënë Terezën të shikonte me përparësi pelegrinazhin tokësor të Jezusit, të zbulimit të tij si Mesia (hebraisht), si Kristos (greqisht). Ndaj si jetë e dëshmuar nga apostujt dhe dëshmitarët, e dokumentuar nga faktet dhe ngjarjet historike, nga arrestimi dhe dënimi i tij, kam përshtypjen se "kristianizmi terezian" përball mizerjes së miliona e miliona njerëzve parapëlqen këtë aspekt të Jezu Krishtit. Ajo merret më pak me aspektet e ringjalljes dhe largimit për në qiell, me premtimin e rikthimit. Duket se ajo beson se mund dhe duhet bërë më shumë nëse Jezu Krishtin e kërkojmë brenda njeriut, tek shpirti, tek vullneti, fjala dhe veprimi i tij ndaj atij që ka nevojë, duke dhënë nga vetja si edhe bënte Jezusi. E nëse nuk ndodh kështu, Nënë Tereza pati kurajën të fliste "për një mungesë të tij brenda nesh si individë dhe popullsi, pa bërë dallime etnike apo kombëtare.

Filozofikisht edhe të tjerë kanë mbërritur në këtë përfundim. Erich Fromm, kur flet për Civilizimin Perëndimor gjen një realitet kontradiktor, sepse ai shfaqet si i krishterë në identitetin fetar dhe pagan (me energji shpagimi) në identitetin ekonomik në treg, ku konkurrohet për interesa, për pasuri, për kapital. Si pasojë, në aspektin social ky lloj paganizmi krijon të papunë, vende të varfra, sëmundje të shekullit, problematika të mijëvjeçarit si SIDA, mungesa e ushqimit, ujit të pijshëm etj.

E veçanta e shqetësimit terezian është se me moralin e ftohtë dhe cinik sekular të institucionalizmit laik, individi nuk frymëzohet që të japë nga vetja, për atë që konsiderohet si "llumi i shoqërisë" së sotme globale. Një autoritet moral i gjithëpranuar si Jezu Krishti mund të nxisë e të frymëzojë kur ai është në zemrën, në sytë, në veshët dhe në gjuhën e çdo njeriu. Kur nuk është, si edhe po ndodh, mos duhet heshtur?

Nënë Tereza nuk heshti. Përballë mizerjes, ajo ka vullnet shërbimi. Filantropitë për dekor të miliarderëve, morali fals i "humanëve" të kamur dhe pseudodashuria e njerëzve të zbrazur nga shpirti, nuk lidhen me betimin "I thirsty" - "Kam etje". Le të provojnë të mbajnë një fëmijë me malarie në duart e tyre, le të kujdesen për një të sëmurë me lebrozë, qoftë edhe një ditë të vetme kur ai është duke dhënë shpirt!

Nënë Tereza modestisht e quante veten e saj "asgjëja e vogël", por të tillë ajo e shihte veten ndaj perëndisë. Kërkesat e saj shpesh i tronditnin hierarkët e majmur, madje shqetësimet shkonin deri tek Papa. Në këtë kuptim ajo ishte "gjëja e vogël - e madhe". Refraktarizmi i kësaj hierarkie përthyhej nga Nënë Tereza si një bisedë me zërin e perëndisë, ku ajo hapur shprehte skepticizmin, boshllëkun e mungesës dhe memecllëkut në lidhje me perëndinë, të cilat nuk lidheshin me të, por me ata që nuk punonin si ajo dhe damkosnin bashkëpunimin në këtë mision. Më vonë, Nënë Tereza shkruan: "Jezusi e dha veten e tij tek unë".

Me një përgjegjësi morale kristiane, ajo çdo mosrealizim të saj ose ndeshjen me një situatë të rënduar që nuk mund ta përmirësonte, nuk e gjykonte si një përgjegjësi të të tjerëve, por si të sajën. Në këto kushte ajo është shprehur, se ajo ndoshta është ende e errët apo jo e plotësuar me Zotin. Edhe në këto rrethana ajo nuk kërkon alibi për t'u larguar nga përgjegjësia. Me bindje vetëngarkohet për ta kryer si duhet shërbimin ndaj Jezusit. Ajo gjykonte se nuk ishte e përplotësuar me të brenda qenies së saj. Ky është besimi që do të shmangë mosbesimin, kjo është bindja fondamentale dhe jo dyshim.

Sa herë që ajo deklaronte sinqerisht se "jam në errësirë, më është ndërprerë lidhja me Zotin", kjo nuk kishte të bënte me mohimin e tij. Ajo e kërkonte prezencën e tij permanente si një dritë, dhe nuk pranonte të hiqej se ajo energji ndodhej brenda saj, qoftë edhe virtualisht ose thjesht se e deklaronte atë. Të jesh në çdo moment nën frymëzimin, drejtimin dhe prezencën e energjisë hyjnore brenda teje dhe në veprimet e tua, kjo është shenjë përgjegjësie. Letra e vitit 1959, ku ajo shkruan: "Për çfarë unë punoj, nëse atje nuk është Zoti, atje nuk ka shpirt, nëse atje nuk është shpirti, atëherë - Jezus, Ju gjithashtu nuk jeni i vërtetë". Kjo është një nga dy letrat, bashkë me atë të vitit 1955, ku ajo shkruante "ç'pritje e gjatë për Zotin" dhe ripulsohet boshllëku, jo besim, jo dashuri, jo zell; janë përpjekje për këtë kontakt që ajo e donte në çdo sekondë sinqerisht të perceptueshëm, frymëzues, si energji dhe dinamizëm për veprim. Ajo është ndoshta e vetme që nuk rreket nga teologjia e ftohtë sterile, por se yshtet nga një sendërtim real brenda saj të prezencës së Jezusit. Ajo kërkon zgjidhjet, pasi a priori e ka pranuar ekzistencën e perëndisë dhe ndaj tij lyp ndihmë.

Në gusht të vitit 1959, ajo i shkruajti Rev. Lawrence Pickay. "Më trego at, përse ka kaq dhimbje dhe kaq errësirë në shpirtin tim"? Hapur duket jo dyshimi në ekzistencë apo mohimi ateist, por nevoja për më shumë prezencë të perëndisë. Ky është sinqeritet dhe besim absolut tek Zoti. Ajo e do atë prezent në çdo moment. Aq e sinqertë dhe fondamentale ishte Nënë Tereza, saqë kur mori një çmim në Filipine në vitin 1960, ajo deklaroi: "Kjo nuk do të thotë gjë për mua, sepse unë nuk e kam atë".

Nga fundi i vitit 1950, Nënë Tereza takoi teologun e mirënjohur, Joeph Neuner, tek i cili konfidoi gjendjen e saj. Ai i shpjegoi se nuk ka qenie që mund të shëronte errësirën brenda saj, veç se ajo nuk do duhej të ndjehej përgjegjëse për atë ç'ndodhte, pasi të ndjerit e Jezusit nuk është e vetmja provë e të qenit të tij atje. Ai e porosiste se lutja e saj e vërtetë për Zotin ishte "shenjë e sigurt" e prezencës së tij të fshehur në jetën saj dhe se mungesa ishte në fakt pjesë e anës spirituale të punës së saj për Jezusin. Shqetësim ishte prezenca dhe jo ekzistenca. Ndaj kur Nënë Tereza e përshkruan shpirtin e saj si një "bllok akulli", ajo përdor një nocion tjetër që provon ekzistencën e Zotit dhe praninë e tij brenda saj, vullnetin. "Unë e pranoj jo në ndjeshmëritë e mia, por në vullnetin tim, vullneti i Zotit - unë e pranoj vullnetin e tij".

Në vitin 1960 Nënë Tereza shkruante me një përmbajtje dhe sens të theksuar anticipues: "Nëse ndonjëherë mund të bëhem shenjtë, unë sigurisht do të jem 'Shenjtë e errësirës'. Unë do të vijoj të mungoj në qiell tek drita, do të jem drita e atyre që janë errësira në tokë". Kjo deklaratë sqaron gjithçka, shkakun dhe identitetin e errësirës brenda saj.

"Nata e errët" në teologji lidhet me purgatorin, me pastrimin përpara takimit final me Krishtin dhe me rregullimin e njeriut, për të cilin sakrifikoi Jezusi dhe Maria. Nënë Tereza me "errësirën" e saj është pjesë e bashkësisë katolike të vërtetë, e cila, për shumë arsye vjen duke u rralluar jo në numër, por në ushtrimin pa cen dhe të thellë të besimit fetar. Plagët sociale ende të pashërueshme janë "errësira", së cilës ajo pranon t'i bëhet dritë dhe shenjtë. Nënë Tereza i drejtohej Jezusit: "Në qoftë se kjo sjell tek Ju lavdinë, nëse shpirtrat kanë ardhur tek Ju, me gëzim unë i pranoj të gjitha deri në fund të jetës sime".

Kolodiejchuk e quan librin "Vjen të jesh drita ime", si një antidot të problemeve të sotme kulturore. Kjo sepse marrëdhëniet e Nënë Terezës me njeriun në nevojë dhe mizerje, drejtoheshin nga detyrimi i saj ndaj Zotit. (Në Konferencën Ekumenike europiane në luftë kundër varfërisë, zoti Barroso përshëndeti në emër të KE-së, duke pranuar me veneracion ndihmën e ekumenizmit për shërimin e plagëve të varfërisë.) Nënë Tereza ngrihej në emër të Zotit kundër mizerjes dhe deklaronte: "Lumturia juaj është gjithçka që unë dua"!

* * *

Sot interpretimi i letrave të saj është një subjektivizëm i kulluar, pse jo, me mendjen e gabuar se mund të pengojnë shenjtërimin e saj, thjesht se ajo është shqiptare. Ajo vetë kish kërkuar asgjësimin e tyre. Në prill 1959, ajo i kërkoi Z. Picachy: "Të lutem, të shkatërrohet çdo letër ose ndonjë që unë kam shkrojtur. Unë dëshiroj që çdo gjë t'i mbetet e tija. Sepse nëse letrat do të bëhen publike, njerëzit do të mendojnë më shumë për mua, më pak për Jezusin".

E dashur Nënë Tereza, letrat u botuan dhe bashkë me to, mijëra e mijëra faqe. Ajo që ka vlerë dhe nuk zhbëhet, është vepra juaj humane dhe kristiane në emër të njeriut me frymëzim nga Ai që ishte njeri-perëndi, Jezusi.

Të faleminderit, sepse qenia jote me gjak shqiptar na e rrit detyrimin dhe përgjegjësinë ndaj kombit!

Të faleminderit që më dëgjove!

©Përparim Kabo