Trashëgimi

Duhet ta kujtojmë dhe nderojmë Esad Mekulin siç e meriton - Nga Enver Robelli

Enver Robelli

Në vitin kur në Plavë u lind Esad Mekuli, treni “Balkanexpress” udhëtoi për herë të parë nga Berlini në Konstantinopojë (Stamboll). Ndodhi kjo më 15 janar 1916. Dhjetë ditë më vonë Mbretëria e Malit të Zi kapitulloi pas një ofensive trijavore të armatës austro-hungareze. Më 5 shkurt 1916 Hugo Ball, autor gjerman, hapi në Zürich “Cabaret Voltaire”, një qendër kulturore ku iu vunë themelet dadaizmit, një lëvizje kulturore që u shtri në Europë e Amerikë. Më 1916 aktori Aleksandër Moisiu, atëbotë ushtar gjerman, u zu peng në Francë nga britanikët. Me Marrëveshjen Sykes-Picot, Britania e Madhe dhe Franca u morën vesh për ndarjen e territoreve të Perandorisë Osmane (pasojat e saj kanë ndikim edhe sot në Lindjen e Afërt). Më 27 maj 1916 presidenti amerikan Woodrow Wilson prezantoi idetë e tij mbi rendin paqësor botëror me të drejtën e vetëvendosjes së popujve. Këtu Wilson e përfshinte edhe kombin atëherë jo aq të njohur: kombin shqiptar. Më 1 korrik 1916 Gjermania shtrenjtoi tatimin e duhanit. Çmimi i cigareve u dyfishua. Filozofi dhe matematikani britanik Bertrand Russel (1872-1970) u përjashtua nga katedra e tij në Universitetin e Kembrixhit (Cambridge). Arsyeja? Thirrjet e tij për pacifizëm dhe refuzim të luftës. Më 17 dhjetor 1916 u lind Esad Mekuli. Një ditë më pas Woodrow Wilson, i saporizgjedhuri president i SHBA-ve, dërgoi një notë paqeje përmes së cilës u kërkonte shteteve ndërluftuese të tregojnë kushtet për negociata për paqe.

Esad Mekuli jetoi 77 vjet. Ishte dhe mbetet zëri më i shquar i poezisë sociale të Kosovës në shekullin e 20-të, Bertolt Brecht-i i Kosovës.

Pararojë shpirtërore e popullit. Krijues i zellshëm. Udhërrëfyes i shumë shkrimtarëve të rinj. Punëtor i palodhur i kulturës.

Kush është rritur e pjekur dhe kush ka mësuar të lexojë më shumë se abetaren në vitet 1950-të, 1960-të, 1970-të, zor të mos e njohë Esad Mekulin. Ose Sat Nokshiqin. Ose Sat Hoxhën.

Si drejtues i revistës së famshme letrare “JETA E RE”, ai hapi portat e botës letrare për shumë shkrimtarë entuziastë të Kosovës.

Ishte antifashist, andaj u burgos në vitin 1940. Ishte mësuesi i parë i shumë atyre burrave e grave të Kosovës që më vonë do të bëheshin personalitete të rëndësishme të jetës kulturore, qe besa edhe politike.

Ai e këndoi këngën e dhimbshme të popullit të vet. Ai denoncoi shtypjen e shqiptarëve në kralevinën jugosllave.  Ai mallkoi zullimin shtetëror ndaj popullit të tij. Ai luftoi shkombëtarizimin dhe kundërshtoi turqizimin, që shpesh përfundonte me shpërngulje familjesh në fusha të Anadollit.

Njëra nga poezitë e tij mban titullin “Malli për t’pambërrijtshmen”.

Esad Mekuli ndërroi jetë më 6 gusht 1993. Nuk e përjetoi çlirimin e Kosovës. Por më 20 janar 1993, disa muaj para së të largohet nga kjo botë Esad Mekuli, në shkallët e Kapitolit dha betimin si president i ri i SHBA Bill Clintoni. 6 vite më vonë do të niste çlirimi përfundimtar i Kosovës.

Ka disa rastësi në këtë botë që nuk i shpjegon asnjë teori apo fe (jo se jo). Kur u lind, më 1916, Woodrow Wilson këmbëngulte për vetëvendosjen e popujve. Më 1993 president i SHBA do të bëhej një politikan amerikan që do të hyjë në histori si flamurtari i lirisë së Kosovës. Ai që e hapi udhën drejt vetëvendosjes së popullit të Kosovës.

Do të duhej ta kujtonim e nderonim Esad Mekulin siç e meriton. Por këto janë kohëra të tjera. Sheshet, rrugët, institucionet e dijes (dhe jo vetëm) janë zaptuar. Muskujt para mendjes.

“Jam n’rrugën e gjanë, i dashtuni populli im, / pararoja jote në luftën e mbrame që të prin”.

Në luftën e mbrame Esad Mekuli do të jetë prapë me neve.

“Atje ku edhe Shqiptari, i paborxh - rob i zi, / do të dalë territ në dritën e Majit - në Liri”.

© Enver Robelli