Fëmijët e lagjes Lirim - Nga Rushan Xhaferi
Rushan Xhaferi
Gjatë periudhës së verës në Vlorën e nxehtë, ku shkolla kishte mbaruar dhe prindërit na lihnin rehat nga detyrat dhe mësimet, ne fëmijët e pandërgjegjshëm zhbironim natyrën, lagjen dhe rrethinat pa kokëçarje. Luftra midis lagjesh, gjah për zoq, shëtitje në qytet si dhe sorollatje anë e mbanë mbushnin verën e viteve të mia fëmijërore.
Një herë, dikush kishte sjellë parafinë. Me të, bëmë qirinj pasi e shkrimë dhe e derdhëm në kallam ku më parë kishim futur një spango që do të shërbente si fitil. Të pajisur, ju ngjitëm kodrës së qytetit sepse dikush, ndoshta Geri një djalë sa dredharak dhe i zgjuar, kishte dëgjuar për një tunel ku mbi të gjitha na duhej ta zbulonim me idenë se ndoshta një thesar i Luftës së Dytë Botërore fshihej aty. Jo për gjë, por në majë të kodrës ndodhej një lloj topi i cili kishte shërbyer në luftën e 20-tës apo të 40-tës, kush e mban mënd.
Mjaftonte historia e topit që të fuste midis nesh idenë që me doemos duhet të kishte një thesar në majë të malit dhe dhjetë djem të sfidonin vapën. Nga ana tjetër, secili prej nesh donte një sebep për të jetuar aventurën e radhës.
Të pajisur me qirinj në brez, iu ngjitëm malit-kodër. Mali i Topit ishte një kodër prej 200 metra i lartë që ndodhet në hyrje të Vlorës në të majtë të lagjes Lirim. Ndoshta krenaria e Vlorës. Shumë njerëz mendojnë se bukuria e qytetit bregdetar qëndron në Lungomare. Gabohen rëndë! Hyrja e Vlorës mbart shumicën e thelbit vlonjat. Aty ndodhet Fabrika e tullave, Peshorja e qytetit, një gomisteri, parrulla që uron mirëseardhjen në qytet, komisariati i policisë së shtetit, por mbi të gjitha degëzimet që të lejojnë të hysh në Vlorë. Siç thashë, vëndi kyç i Vlorës. Dhe kur mendon që Vlora është vëndi kyç i Shqipërisë, i kam thënë të gjitha.
…
Ndoshta në këtë moment, një qartësim është i nevojshëm.
Kur je vlonjat, ndihesh më parë vlonjat se sa shqiptar. Është e çuditshme, sepse është një ndjesi që nuk e shpjegon dot me fjalë, sepse edhe kur mundohesh ta shpjegosh, të tjerët të shikojnë me habi. Hapin sytë dhe qeshin me të madhe. Ti si vlonjat habitesh si të tjerët nuk e kuptojnë gjëndjen tënde të thellë. Nga ana tjetër, tiranasit, dhe të tjerët (të cilët po i fusim në një thes duke shpresuar se nuk do tu ngelet qejfi) nuk mund të arrijnë në atë nivel që të kuptojnë se po na shave detin duke thënë që është i ftohtë hyn në hasmëri me çdo vlonjat. Nejse, po e kalojmë se është shumë e komplikuar për jo-vlonjatët.
…
Kur iu ngjitëm malit të Topit, dëshira për të zbuluar thesarin më të madh na nxiste të shtonim hapat edhe pse kur je 10 vjeç lodhesh shpejt. Rrugën malore e dinim përmendësh. E kishim bërë dhjetra apo qindra herë, por aventura e radhës kishte qëllim më me vlerë.
Hyrja e tunelit ishte e vogël dhe fshihej mbas disa ferrave prandaj në sytë tanë e bënte legjendën më të besueshme. Drita e qirinjve ndriçoi sadopak rrugën drejt të papriturës. Nga mesi i tunelit hyrja nuk dukej më. Shenjë që diçka po ndodhte. Dikush propozoi të uleshim sepse ishim lodhur duke ecur ndoshta 50 metra që ne na ishin dukur si kilometra të tëra drejt qëndrës së tokës.
Geri, Xhojza, Rezi, Mandi, Genti, Galba e të tjerë treguan nga një histori në mes të malit të Topit duke mbajtur qiririn përpara fytyrës duke u munduar ta bënin historinë e tyre sa më të besueshme. Të qeshurat si dhe talljet mbuluan heshtjen e tunelit magjik.
Pasi fjalët mbaruan, Geri propozoi të vazhdonim rrugën e ndërmarrë deri në fund. Thesar nuk gjetëm por drita e parafinës na ndihmoi të gjenim një dalje nga ana tjetër e malit. Kur pamë dritën e diellit, një kanal me pllaka betoni u shfaq para nesh si për magji. Një rëke uji ndiqte gravitetin në drejtim të panjohur. Kanali në formë U ofronte thesarin më të madh në një ditë vere ku temperatura kalonte 30 gr adë celsius. «Le të rrëshkasim!» - tha dikush dhe ne të gjithë ndoqëm zërin.
Kur arritëm në fund, kënaqësia e aventurës ishte në maksimum. U desh të mbërrinim në shtëpi për të vënë re që kur rrëshket në pllaka betoni prapanica mund të vuajë dhe një krem mbrojtës është i rëndësishëm. Galba falënderonte çdo ditë Gentin e Cenit për pomadën shëruese.
…
Sa herë më kujtohet ai tunel dhe ajo ditë vere, kam ndjesinë se kam pasur një fëmijëri të magjishme, midis të tjerave. Çdo ditë e pranonim aventurën e radhës pa iu shmangur. Për ne ishte një ditë si të tjerat pa marrë parasysh se mund të rrezikonim jetën tonë sikurse djali 9 vjeç i një mësuese qe ra nga kati i pestë i një pallati në ndërtim apo një komshi 10 vjeç që u mbyt tek moli sepse nuk dinte të notonte.
Vdekja na vinte rrotull në çdo moment, por ne e donim më shumë jetën dhe e shijonim çdo ditë pushimesh deri në fund sepse ndoshta e dinim që në shtator shkolla do të fillonte dhe prindërit do të na detyronin të mbylleshim në dhomë për të mësuar gjëra që ne nuk na interesonin. Prandaj fundi i verës kishte një shije magjike për djemtë e lagjes Lirim.
…
Prindër në 2020, djemtë dhe vajzat e lagjes Lirim, por jo vetëm, mundohen të gjejnë një zgjidhje për fëmijët e tyre në këto kohë të çuditshme. Vështirë kur e krahason me fëmijërinë tonë. U uroj djemve dhe vajzave që kanë jetuar momente magjike, kudo që të jenë, të mos harrojnë që kemi jetuar një nga fëmijëritë më të pasura! Shkolla e jetës jashtë mureve vlen më shumë se bankat e shkollës.
Është koha për të menduar dhe ndoshta jetuar ndryshe!












