Në Shëngjin përputhen të bukurat - Nga Frano Kulli
Frano Kulli
Reportazh
1)
“Deti është i bukur jo vetëm në Sarandë... Shëngjin, 25.05.2022”. Kjo ishte diçitura e një fotoje, që kolegu im, gazetar i hershëm e miku i gjithëhershëm, Shkëlqim Hajno nga Saranda, kishte postuar pardje në profilin e tij dhe, ndoshta edhe për shkak të tollovisë që përsillet këto ditë përreth Butrintit, më joshën në shkrimin e do radhëve për Shëngjinin. Nga Saranda, Shëngjini është nyja e parafundit në vijën bregdetare të Shqipërisë, po më e rëndësishmja në veri-perëndim të saj. Si nyje portuale është shumë e lashtë. Përmendet si i krijuar 2400 vjet para lindjes së Krishtit; thirrej Nimfeu, ose ndryshe vendqëndrimi i nimfave (zanave). Kurse Jul Qezari, në veprën “Lufta Civile”, në vitin 48 para Krishtit e përmend këtë liman me emrin Nymfeum dhe përshkruhet nga ai si vendstrehim i mirë për ushtarët e tij, ku ata mund të ishin të mbrojtur prej ernave. Më vonë në Mesjetë do të thirrej San Giovani di Medua. Emrin thonë se e pati marrë nga një kishë me të njëjtin emër, e cila ndodhej në malin sipër. Mirëpo kisha nuk rrnoi gjatë e po kështu emri i gjatë, i shqipëruar u shkurtua në Shëngjini. Dhe kështu njihet atëherë e deri sot.

Përposë një kohe krejt të shkurtë, do pak viteve, kur Limani (Porti) i tij, që në vetvete ishte vetë Shëngjini u pagëzua me një emër të ri; me emrin e përveçëm të Presidentit të 27-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Woodrow Wilson, (28.12.1856-3.02.1924), Nobel për Paqen. Pagëzimin e pati bërë prifti ortodoks Fan Noli, asokohe Kryeministër i Shqipërisë, me një vendim të Këshillit të Ministrave që mban datën 9 gusht 1924. Një fakt e histori krejt pak e njohur edhe pse për ngjarjen pati shkruar edhe revista e njohur TIMES në SHBA: “Nga Kryeministri i Shqipërisë Fan Noli... në nder të ish-presidentit Woodrow Wilson, portit të Shëngjinit, një nga katër portet e Shqipërisë, iu vu emri Wilson. Kryeministri u shpreh se shqiptarët mendojnë se Presidenti i SHBA-së i pengoi Fuqitë që të ndërhynin në kufijtë e vendit në Konferencën e Paqes të vitit 1919…”.
2)
Shëngjini sot, pa mëdyshjen më të vogël është atraksioni më i kërkuar turistik e me dendurinë më të madhe të vizitorëve, soditësve e pushuesve gjithashtu, në krejt vijën tonë bregdetare. Në mbrëmjen e djeshme ishte edhe hapja festive e sezonit, një mbrëmje me të vërtetë e bukur e mjaft e paraqitshme. Konceptuar edhe si një panair me prodhime të zejtarisë e agrobiznesit të zonës dhe përsëdyti një darkë gala ku mostruan shefat e guzhinës të lokaleve të njohur “Mrizi i Zanave”, “Rapsodia”, “Hoteli i gjuetisë” e 3 a 4 të tjerë, kampionë të këtushëm, por të njohur shumë në Shqipëri e më përtej. Nën një “regji” perfekte e plot shije të Pjerin Ndreut, kryetarit të Bashkisë, po falë aseteve të çmueshëm të këtyre djemve emermirë, zëri dhe fama e punës së të cilëve kumbon fort, jo vetëm në Shqipëri e ndër shqiptarë, por edhe më përtej në Europë. Po dhe me pjesmarrje përfaqësuese të rangut më të lartë nga Shqipëria e trevat shqipfolëse përreth...

Prej ku “Rana e Hedhun”, me kokrriza të mëdha, që vezullojnë si perla, i vishet rrëzës së malit të Shëngjinit dhe ka krijuar aty peisazhin e magjishëm e krejt të përvetçëm në sojin e vet, të pagjindshëm askund edhe përgjatë vijës dalmatine, shquar për peisazhet e magjishme e deri në Kune, emri i lagunës së dikurshme, prej së cilës vetëm emri është i hershëm..., krejt vija bregdetare, dikund nja 6 kilometra e gjatë rrok plazhin e Shëngjinit. Një plazh që përbashkon tre të tillë; i “Ranës së hedhun”, plazhi i vjetër i Shëngjinit dhe më i riu, ai i Kunes, i cili vijon e zgjatet e rritet. Shetitorja e vjetër, në qendrën e Shëngjinit të dikurshëm, e gjatë rreth një kilometër, ka mbaruar së ndërtuari nja shtatë a tetë vera më parë. Aty, dendësia e popullsisë “transit”, siç janë zakonisht popullimet e verës në bregdet, është më e larta përgjatë vijës së kaltër dhe nuk bie gjatë gjithë verës.
3)
Një kumt, përhapë në formën e një anektode, do kohë më parë thotë se një njoftim imobiliar, shkruar në një letër format, është i vendosur në një kënd njoftimesh në qytetin e Prizrenit. “Shitet banesë... dy orë larg detit”, shkruhet në njoftim. Duket si e stisur për humor, por jo; asgjë s’është për t’u shpotitë. Prizrenasit, po edhe gjakovarët a prishtinalitë janë blerës të dorës së parë edhe qiramarrës gjithashtu, të banesave në Shëngjin. Përreth 60% e tyre popullohet prej qytetarëve nga Kosova, thonë statistikat e verës së shkuar. Por edhe tani e dy a më shumë muaj më parë, qyshsekur ka filluat të ngrohet koha, fundjavat janë gjithashtu plot me të ardhur nga Kosova. Ai makthi i trishtë i ndarjes shekullore, tashmë nuk ekziston dhe kjo, më e dallueshme se shumkund është këtu në Shëngjin.

Një “shesh” i vogël diku në mes, i përftuar prej një udhakryqi, që degëzon shetitoren e bregut me rrugën kryesore që i bie përmes qytetit, tashmë, për shkakun e së resë e ka humbë funksionin e shetitores që kishte dikur, Aty është vendosë shtatorja e At Zef Pllumbit. Françeskanit, që fati me rrnue gjatë, një jetë të mnershme duke kaluar nëpër kalvarin e mundimeve përplot me sakrilegje, si thuajse të gjithë bashkëvëllezërit e tij vërsnikë, i dha privilegjin me u shënjue në kapërcyell të moshës së vet si rrëfimtari memorialist par exellencë në letrat shqipe të shekullit të shkuar e deri sot.
Pader Zefi ka lindë aty sipër, në Malin e Rrencit, që zbret teposhtë, thikë. Aq afër detit “sa me hedh gurin prej malit bie në det”. Aty kishin zatetë të parët e tij një shekull e gjysë më parë prej Shkrelit të Malësisë së Madhe, prej Boge ku deri vonë kishin stanet e tyre e për shumë vite kishin bërë jetën e përpjesshme, ashtu si krejt malësorët e zbritur në fushë nga Velipoja e deri në Gurzë e më përtej, përgjatë gjysmës së dytë të shekullit të tetëmbëdhjetë. Dimrat këtu poshtë e verat atje lart në bjeshkë, në malësi. E megjithatë fëminia e më pas krejt jeta e tij pati tjetër rrjedhë. Merret qysh 5 vjeç si bir në shpirt prej priftit gjerman-martir i fesë e i besimit, don Alfons Tracki. Merr mësimet e para në edukatë e sjellje, më tepër prej shembëlltyrës së tij, mandej kur mbush 7 vjeç hyn në Kolegjin françeskan të Shkodres. Nxënës aty merr dijet e kulturën që jepej prej mësuesve - personalitetet më spikatur të kulturës sonë kombëtare, Fishta, Harapi, kompozitori At Martin Gjoka, historiani At Marin Sirdani e të tjerë, dije e kulturë e njëjtë me atë që merrej në licetë europiane të kohës. Po në shtëpinë e prindërve tash kthehej rrallë e më rrallë, i përshtatur me rregullat e Urdhnit Françeskan, të cilit i u kushtua… Mandej në burg, mandej frat në Dukagjin, mandej në burg prapë, po kësaj here gjatë…
E kështu, detit i ndejti larg. Ai detit dhe deti atij. Po aty në atë patalog (vend i sheshtë) të shetitores shtatorja e tij është “gur i vumë në vend të vet”… Kurse vetë shetitorja mban emrin e Wilsonit dhe jo më larg se 5-6 metra a e shumta 10 prej shtatores së lartë të pader Zefit është edhe një bust i tij.
Për krejt verat e shkuara ajo ka gjallëruar përherë e më shumë, mbrëmje për mbrëmje ajo ka qenë ding (plot, e mbushur). Këto ditë është punuar edhe rana përgjatë bregut e kanë zënë vend çadrat e shezlongët. Nuk janë më dhe kioskat e tezgat, që estetikisht të rrëmujëshme patën shërbyer ritualin e ecjeve të mbrëmjes. Aty, pati ndërtuar mardhënien me lexuesin e vet edhe prozatori prodhimtar vendas Ndue Gaspri… Ai, tani nuk është më, po bashkë me veprën e begatë është për t’u shënuar në mbamendje përvoja e tij e takimit të përmbrëmshëm aty në cep të shetitores edhe prej kolegëve krijues...

Nga vera e shkuar, “Wilson”-it i janë shtuar edhe 1,2 km dhe gjithë gjithë lungomarja Shëngjin-Kune zgjatohet 2 km e më. Është 5 metra e gjerë, ndërsa përtej bordurës ka edhe 2 metra të tjerë gjelbërim duke iu përshtatur në këtë mënyrë brezit të pishave që përshkon thuajse të gjithë bregdetin e Kunes. E ndriçuar për bukuri i vesh mbrëmjet e pushuesve plot romantikë e sharm. Investimi është realizuar prej biznesit të atyshëm. Bashkia ka ofruar projektin.
Të bën me u ngjall shpresa se kaosin e dendurinë e ngrehinave, të ndërtuara ndër vite pa studime e plane të mirëfilltë afatgjatë e perspektivë urbane, sëmundja që na e ka bërë të neveritëshme Shqipërinë tonë përtej dhuntive që Zoti e natyra i ka falë, mund të bëhen edhe gjëra të dobishme. E të bukura, pse jo mor Zot! Në sintoni me bukuritë dhunti…
Kurse rruga për në Vain, në lagunën tjetër të bukur shumë të bregdetit të Lezhës ka përfunduar qysh verën e shkuar. Shkon deri në fund te “Trëndafili mistik” i Diellës e pak më përtej. E ngushtë, njëkalimshe për makina të vogla, të cilat mund të kryqëzohen në vajtje-ardhjen e tyre vetëm përmes xhepave të improvizuar. E konstruktuar edhe si një pedonale, po ka edhe një korsi biçikletash, nëpër të cilën mund të kundrohet e shijohet me të gjitha shqisat e gjymtyrët pylli i mrekullueshëm që shtrihet deri në rërën kokrrizëartë në derdhjen e Drinit… Ma bukur se gjithherë sivjet.
©Frano Kulli












