Vende & Zakone

Tango dhe një kujtim i thartë nga adoleshenca - Nga Saimir Skënduli

E kush nuk ka dëgjuar për tangon, vallzimin latin sa elegant e kaq popullor dhe masivisht të përhapur kudo. Është koreografi e lindur në shtresat e thjeshta të Buenos Aires-it dhe jo nga klasa aristokrate. Por për shkak të sharmit intim, finesës dhe spektaklit që krijon, prej më se një shekulli tangoja është pronë e çdo rangu shoqëror. Dikur, në ditët e largëta të fëmijërisë, unë kurrë nuk do ta mendoja se një ditë, diku aty nga fundi i adoleshencës sime, pikërisht ky vallëzim romantik do të më krijonte kaq telashe.

Në fakt, për herë të parë, fjala "tango" duhet të ketë mbërritur në veshët e mi aty nga mosha 10 ose 12 vjeçare. Nga godina e gjimnazit të Gjirokastrës, që binte afër shtëpisë sime, dëgjoheshin të shtunave tingujt e orkestrës që shoqëronte mbrëmjet e vallëzimit të maturantëve.  Por për mua, si një djalkë i vogël që isha, nuk më kishte ardhur akoma koha për të shkuar në mbrëmjet e vallëzimit. Deri atëhere, mua dhe bashkëmoshatarëve të mi, ajo që na pëlqente më së shumti të bënim ishte të rendnim tërë ditën e ditës pas topit të futbollit, aq sa në darkë na dhembnin thembrat e këmbëve nga lodhja.

Në dallim nga fëmijët e rrugës sime, unë kisha edhe një detyrim shtesë, violinën. Sapo kisha kapërcyer moshën 6 vjeçare më testuan veshin muzikor dhe meqënëse dola "i përshtatshëm" dhe "me të dhëna të mira", më futën në shkollën e muzikës. Kështu, tani veç futbollit dhe lojërave të tjera të moshës, ishte shtuar edhe muzika, që aso kohe nuk e mendoja se do të më shoqëronte tërë jetën, madje do të kthehej në profesionin tim bazë. Në fakt si violinist nuk kam qenë gjë. Nuk kam shkëlqyer në atë instrument jo për mungesë talenti, por sepse nuk e prekja thuajse fare me dorë. Me "mbretëreshën" e instrumenteve muzikorë merresha vetëm kur më binte dita e mësimit. Pjesën kryesore të shijeve të mia muzikore e plotësoja me anën e lëndëve teorike dhe literaturës shkollore për violinë, por edhe nga emisionet muzikore të radios (sepse për kohën që flasim, as televizor nuk kishim).

Në rrugën kryesore të lagjes, afër shtëpisë ku banoja, kishim një dyqan me tabelë "Fruta-Perime", por aty mund të bleje sipas nevojës së familjes edhe salcë domatesh, komposto e reçelna, madje nëqoftëse do të shkoje që herët në mëngjes pa zbardhur dita, mund të qëlloje me fat dhe të çoje në shtëpi ndonjë shishe me qumësht ose ndonjë kavanoz me kos. Shitës i dyqanit ishte një burrë i moshuar me emrin Vangjel, ose "xha Vangjeli", siç e thërrisnim ne fëmijët. Ai ishte temperament shumë i butë, i shtruar në të folur dhe i sjellshëm me të gjithë. Xha Vangjeli kishte qenë për shumë vjet emigrant në Argjentinë dhe, më të rriturit e lagjes, tregonin jo pa humor se kur u kthye prej andej, Vangjeli kishte sjellë veç disa teshave personale, vetëm një gramofon dhe një... qysqi; (për ata që nuk e dinë, qysqia është një levë e gjatë dhe e trashë hekuri që shërben për të rrëmuar dhe shkallmuar në terrenet e forta).

Unë shkoja në dyqan vetëm kur më dërgonin nga shtëpia për të blerë gjësendi dhe duke qenë se Vangjeli ishte tip i heshtur, nuk kisha patur kurrë ndonjë bisedë me të. Vetëm se asaj dite, përpara mësimit të violinës, kur u gjenda në dyqanin e tij për të blerë nuk e di çfarë, ai sapo pa valixhen e violinës në dorën time, u çel në fytyrë, buzëqeshi dhe më pyeti ëmbël:

"Studion për violinë, bir"? Unë pohova me kokë dhe pastaj ai vazhdoi:

"Edhe mua më pëlqen muzika. Kur u ktheva nga Argjentina kam sjellë edhe një gramafon ku dëgjoj shpesh tango argjentinase"...

Unë nuk e ngrita kokën, madje për një çast më erdhi edhe për të qeshur, sepse m'u kujtua historia e qysqisë së tij e sjellë që nga anë e anës. Megjithatë, i përmbajtur dhe me gjysmë zëri, kur e pyeta se çfarë është tangoja, ai filloi të më shpjegojë gjithë qejf se:  "Tangoja është muzikë kombëtare argjentinase, që ka lindur në Argjentinë dhe se aty ajo vallëzohet masivisht nga çiftet e çdo moshe"...

Pasi foli e foli edhe për të tjera gjëra që unë nuk po i kuptoja, Vangjeli e mbylli shpjegimin e tij të gjatë me fjalët që do të më linin të trullosur kur po më thoshte se: "Aty, në Argjentinë, gjatë vallëzimit të tangos, partneri mashkull duhet ta shoqërojë kërcimin duke e parë gjatë gjithë kohës partneren drejt e në sy, ndërsa dorën e djathtë e mban shtrënguar në fundin e shpinës së saj"...

M'u duk se deshi të shtonte edhe diçka tjetër, por dikush hyri në dyqan dhe ai iu kthye punës së tij, ndërsa unë, gjatë rrugës deri në shkollë, po bluaja në kokë kuptimin e të gjithë asaj që sapo më kishte treguar. Me përfytyrimin e një fëmije, ajo dora e djathtë e shtrënguar aq poshtë... në fund të kurrizit... po më trazonte pak trurin.

Do të kalonin disa vite dhe, tanimë si më i rritur, isha një nxënës i Shkollës së Mesme të Muzikës në Durrës. Aty do të më vinte përsëri në mendje biseda dhe këshillat e xha Vangjelit se si kërcehet Tangoja Argjentinase. Dukej se rasti ishte duke më ardhur në dorë.

Në vitet e fundit të shkollës, në konviktin tonë filluan të organizoheshin të shtunave mbrëmje vallëzimi. Ne jepnim 10 lekë të vjetra (të asaj kohe) për të hyrë brenda dhe kjo pagesë shërbente për orkestrën. Disa herë orkestrantët e mbrëmjeve qëllonin të ishin muzikantë shumë të mirë dhe luanin çfarëdolloj repertori (përveç pjesëve të ndaluara për kohën).

Atë të shtunë qëlloi që orkestrantët të ishin të njohurit e mi dhe në çast mendova: "O sot, o kurrë! Do të provoj atë që më mësoi xha Vangjeli në dyqanin e tij"!

Në rreshtin përballë ku ishin ulur vajzat, ndesha sytë e një vajze të qeshur e simpatike, por çuditërisht me shprehje të drunjtë në fytyrë. Instiktivisht mendova se asaj duhet t'i drejtohesha. E njihja fare pak. Ajo ishte në Shkollën Industriale, sepse ne, konviktorët e Shkollës së Muzikës, ngaqë ishim më pak në numër, ndanim godinën bashkë me ta. Dija për të që ishte një vit poshtë nesh, por vetëm kaq, sepse deri atëhere nuk kisha patur rast ta ndeshja nga afër. Iu luta drejtuesit të orkestrës të luanin një tango dhe kur muzika filloi, menjëherë u ngrita dhe u drejtova te vajza. M'u desh ndërkohë edhe mua të mposht emocionet e brendshme kur i kërkova të vallëzonim. Ajo në fillim u duk se hezitoi pak, por kur shoqet rreth saj u ngritën me radhë, u bind dhe të dy iu drejtuam sheshit të vallëzimit.

Morëm qëndrimin e duhur dhe filluam të kërcejmë me po atë mënyrë si të tjerët nën ritmin e tangos. Vendosa dorën time të djathtë në fund të belit të saj dhe me të majtën i kapa dorën, ndërsa ajo me dorën e saj në supin tim. Si fillim, seç dërdëllita disa fjalë të përgjithshme, por vetëm pak, sepse pastaj e ndërpreva të folurit dhe mora pozicionin me shikimin ngultas dhe drejt fytyrës së saj, (gjithnjë sipas Vangjelit). Shqetësimi im i vetëm ishte të mos bëhesha komik, por megjithatë, pas disa çastesh, ajo duke ndeshur për të disatën herë shikimin tim ngulmues, filloi të bezdisej. Frymëmarrja iu rëndua, gishtat në supin tim filluan t'i dridhen, gishtat e dorës tjetër filluan t'i djersijnë nga sikleti. Megjithatë nuk foli një fjalë të vetme, e shtyu si e shtyu deri në fund kërcimin dhe kur muzika pushoi, iku si e zgjidhur nga zinxhiri. Mua, që për ta qetësuar desha së paku ta falenderoja, fjala më mbeti në grykë. Në çast mendova se ishte e tepërt të flisja, sepse po kuptoja që tangoja ime e parë kishte shkuar si mos më keq...

Një ditë më pas, e ndesha në rrugë. Ishte me shoqen që e kishte shoqëruar në mbrëmjen e vallzimit. Mendova me vete se sa idiot do t'i jem dukur gjatë kërcimit të tangos së famshme dhe vendosa t'u dal përpara dhe të sqarohesha për sjelljen time. Kur isha vetëm disa metra para tyre, fillova të belbëzoja fjalë të tilla si: "Vajza..., mund të sqarohemi pak"?... (As emrin nuk ia dija).

"Dje unë..., nuk doja të më keqkuptoje... por... tangoja... tangoja kështu kërcehet në fakt"...

Papritur, vajza që kishte kërcyer me mua ndryshoi në fytyrë, sytë iu errën, bëri dy-tre hapa drejt meje, hapi krahun dhe ... pauuuu... Shpulla e saj ishte shumë e fortë dhe e shoqëruar me fjalët: "Tani po ta mësoj unë ty tangon argjentinase!"

U kthye si triumfatore nga shoqja dhe pastaj të dyja vazhduan rrugën, ndërsa unë po qëndroja paksa i hutuar në trotuar duke i ndjekur me sy. Nuk u ndjeva edhe aq keq, madje më vinte të qeshja.

"Epo vetë e ke fajin, ç'tu desh të kërceje tangon sipas Vangjelit"? - i thashë vetes. "Ai e kishte fjalën për në Argentinë, jo për këtu, në Durrës"!?

Një shok konvikti nga Industrialja që i njihte vajzat dhe e kishte parë nga afër skenën, kur më pa të hutuar në trotuar pas përgjigjes që më dha ish-partnerja ime e tangos, duke u zgërdhirë më tha: "Të janë skuqur veshët, ta paska mbledhur mirë shoqja. Po përse, ç'faj ke bërë a derëzi"?...

Dhe kur e pa që unë akoma nuk po reagoja vazhdoi: "Nuk e di që shoqen e kemi sekretare të Organizatës së Rinisë"? Dhe pastaj ndaloi së qeshuri dhe më vëzhgoi ngultas si të më thoshte: "Ç’ke që kruhesh"?

"Dreq o punë, - mendova - "e gjete tamam kujt duhej t'i tregoje Tangon Argjentinase"!

Pastaj me zë iu drejtova shokut të konviktit: "Po nuk më tregove, nga e kemi shoqen sekretare"? Ai vuri lehtë buzën në gaz dhe si me nxitim m'u përgjigj: "Ja, andej nga Jugu, ku ka det... e kupton vetë ti"... Ktheu shpinën dhe iku edhe ai.

Në moment isha bërë krejt esëll dhe për herë të parë po mendoja se për kohën që jetonim, çiltërsia e moshës, dashuria, komunikimi dhe mirëkuptimi shoqëror nuk ishin gjërat themelore që duhet të ekzistonin mes njerëzve, qoftë edhe në moshën më të bukur siç është rinia. Jo dhe jo! E para në sjellje do të duhej të ishte Ideologjia dhe Morali Komunist.

Duke arsyetuar kështu, më shkoi në kokë mendimi se tani isha rritur mjaftueshëm, pjekuria po vinte pak nga pak dhe se me siguri, ajo ditë do të ishte dita e fundit e adoleshencës sime. Për çudi edhe xha Vangjelin nuk e mora inat që më kishte futur në telashe. Përkundrazi, brenda vetes e falenderoja që më kishte mësuar aq herët gjëra që të tjerët as që i diskutonin me mua.

©Saimir Skënduli