Përjetësisht i dashuruar me Gjirokastrën - Nga Mevlan Shanaj

Mevlan Shanaj
Gjirokastra. Emër që më së shumti të çon në legjendë se në realitet. Nuk jam në gjendje ta shpjegoj arkitekturën krejtësisht të veçantë dhe shumë sugjestionuese në imazh, po nuk arrij as të kuptoj vështirësitë e jetesës me këtë infrastrukturë. Nuk kuptoj përse kanë ndërtuar jetën e tyre nëpër gurë që duhet të kacavirresh.
Shumë bukur për turistët të cilët këtë vit vazhdojnë të jenë nëpër qytet. Gjirokastritët të ngjeshur me njëri-tjetrin si në një autostradë me rasa guri sa mund të ecësh nëpër çati. Ndihen të gjithë si teoricienë të jetës për të shpalosur krenari.
Rri i dëgjon dhe bindesh se emra shumë mbresëlënës janë lindur e rritur në këtë pejzazh gri. Mos gria të jep mënçuri apo besim? Jam i vonuar për t’u bërë gri.
Ndihesh në gjysëm ëndrre kur je këtu. Në Gjirokastër në çdo stinë guri mbetet ashtu siç ka lindur. Të mbetet në mendje një botë gri që nuk harrohet.
Ti kur largohesh kupton se ke rënë në dashuri me qytetin gri. Me gurët. Përjetësisht mbetesh i malluar apo i dashuruar me pllakat e gurta gri të çative të një qyteti që ruan të njëjtën pamje në heshtje ndër vite. Vazhdon të shkruhet “Kronikë në gur” këtu nisur publikisht që nga 1971.
Po dëgjoj tani në sfond Vojsava Alia “Xhan Vito”: Kujtova se vije te unë/ti veje ku keshe punë…
©Mevlan Shanaj












