Vende & Zakone

Mësuesja - Nga Bamir Bebeziqi

Kisha më shumë se tridhjetë vite pa e parë e një ditë m'u shfaq papritur në Facebook mësuesja ime e shkollës fillore. Nuk kishte ndryshuar shumë. Ishte po ashtu siç e mbaja mend, zonjë grua në atë kohë, e përsëri zonjë në pamje edhe tani. Më çoi larg në kujtime, në një ngjarje të hidhur nga fëmijëria, ngjarje që më është ngulitur e nuk mund të më shqitet nga mendja.

Ishim jo me shumë se dhjetë vjeç e bashkë me shokun tim të fëmijërisë Tan Mujkën, pamë në rrugë një të vobektë e filluam ta ngacmonim. Diçka e zakonshme për fëmijët e asaj kohe. E shamë, “u kënaqëm”, e ashtu të dy duke ecur, na çuan këmbët tek kinema “Iliria” dhe ndaluam tek reklamat. Në kinema shfaqej filmi, “Mëshirë për ata që rrëzohen”. Ne sapo ishim kënaqur me ngacmimin e një të vobekti e reklama e filmit na befasoi, na turpëroi e na futi në mendime. Aty para reklamës së kinemasë u betuam, se në jetë nuk do të ngacmonim më të vobektit. E në fakt tani që shkruaj, nuk më kujtohet më ndonjë rast tjetër, që të kem ngacmuar njeri për pamjen, për paaftësinë, apo të mos qënit si gjithë të tjerët.

E bëra këtë parantezë, pasi pikërisht mësuesja ime e shfaqur pas kaq kohësh, kishte një vëlla të sëmurë e shumë në Durrës e njihnin, për një arsye të veçantë, se ajo mesuese e merrte vëllanë kudo me vete e nuk e ndante. Në shetitje, nëpër vizita, apo në rradhat pa fund të asaj kohe, megjithëse ajo ishte e martuar, kishte edhe një djalë. Unë nuk kam parë e dëgjuar ndonjë motër, t’i shërbejë vëllait të saj me paaftesi, në atë mënyrë e duhet të kujtojmë, se mjedisi në Durrës nuk ishte aq i kulturuar, pasi shpesh, fëmijët kur e shihnin mësuesen me të vëllanë, fillonin si në kor duke i ngacmuar, por mësuesja ime ecte drejt e fjalët i hidhte pas shpine.

E mbaj mend mësuesen, se vinte shpesh në shkallën time, pasi kishin lidhje familjare me familjen Vokopola. Vinte e unë fëmijë kisha një ndjesi frike kur ajo kalonte me të vëllane, pasi ai herë pas here, kur më gjente nëpër shkallë, përpiqej të më fërkontë me dorën e tij të butë, në kokë. E kujtoj shumë vështirësinë e tij për të hipur shkallët, por më shumë, kujtoj sytë e tij që të vështronin me një butësi e një dashuri të pazakontë.

Mësuesja ime i shërbeu të vëllait çdo ditë, çdo orë, e u përpoq deri në fund të mos e shkëpuste nga komuniteti, duke na bërë me turp e duke na dhënë të gjithëve ne, nga një “shuplakë” në fytyrë. Ajo na tregoi me shembullin e saj, se njerëzit me vështirësi, apo të ndryshëm, kanë të drejtë të jetojnë e gëzojnë jetën si të gjithë ne.

P.S. Ky shkrim i kushtohet mesueses Tefta Fora, të cilës i uroj shëndet e jetë të gjatë. Ajo është një grua shembull në Durrës, si mesuese, si familjare e si njeri.

©Bamir Bebeziqi