Kur stacioni i trenit ishte “vepër e dreqit” - Nga Enver Robelli

Enver Robelli - Zvicër
Gjuajtja me gurë dhe shkatërrimi i trenit të linjës hekurudhore Prishtinë-Pejë ma kujtoi punimin shkencor të historianes Eva Anne Frantz mbi Kosovën në periudhën e vonshme osmane. Aty tregohet se si banorët e Prishtinës në fund të shekullit të 19-të e shihnin stacionin hekurudhor si “vepër të dreqit”.
Eva Anne Frantz shkruan: “U ndërtuan vija hekurudhore dhe më 1874 u hap linja Selanik-Shkup-Mitrovicë. Popullsia lokale në fillim e kundërshtoi me këmbëngulje ndërtimin e hekurudhës, por në vitet vijuese ky qëndrim ndryshoi. Kështu, siç konstatonte diplomati austriak Theodor Ippen, në fund të shekulli XIX, stacioni hekurudhor i Prishtinës ishte e mundshme të ndërtohej 7 kilometra larg qytetit, sepse […] atëbotë banorët e Prishtinës, që nuk ishin aspak të hapur dhe trembeshin nga kultura, donin ta kishin sa më larg vetes atë “vepër” moderne “të dreqit”, derisa tani pandërprerë luten që stacioni të vendoset në një vend më të përshtatshëm.”
Në këtë kontekst ka edhe një histori tjetër nga viti 1908, sipas raporteve konsullore austriake: Më 8 korrik 1908 zyrtari austro-hungarez Adolf Ritter von Zambaur shkruante nga Mitrovica se “lëvizja e re e arnautëve” (shqiptarëve) në qarkun e Prishtinës ishte e drejtuar kundër vizitës (ekskursionit) të shkollës gjermane të Selanikut në trevën e Prishtinës. Vizita ishte planifikuar për datën 5 korrik 1908.
Zambaur raportonte se që më 4 korrik trupa të shqiptarëve u tubuan afër vijës hekurudhore mes Ferizajt dhe Kaçanikut me qëllim që ta ndalin trenin special me pjesëmarrësit e ekskursionit. Kur u bë e ditur se treni nuk do të qarkullonte, shqiptarët e përmendur, të përkrahur nga njerëz të tjerë nga kazaja e Prishtinës, shkuan te vendi ku ishte planifikuar të vendoseshin mysafirët nga Selaniku, një mal që gjendej tre kilometra në veri të Ferizajt, dhe aty e lidhën rojtarin e hekurudhës dhe shkatërruan ulëset dhe tavolinat e bëra gati. Kur materialit prej dërrasave iu vu zjarri, keqbërësit (vlerësohet se ishin 3000, por minimum ishin 1000) deshën të depërtojnë në Ferizaj, por kjo u pengua nga gjenerali Shemsi Pasha, që erdhi nga Prizreni në Ferizaj dhe nga kajmekami Ismail Fevzi Pasha.
Diplomati austro-hungarez Adolf Ritter von Zambaur shkruante se arsyet e kundërshtimit të vizitës së shkollës gjermane në Kosovë kishin të bënin me urrejtjen latente të shqiptarëve kundër të huajve dhe kjo urrejtje në rastin konkret u nxit nga elementët “që kanë qëndrim armiqësor ndaj nesh”. Në mesin e shqiptarëve të tubuar në Ferizaj flitej se do të pasonte pushtimi i Arnautllukut (territore të banuara me shqiptarë) nga 40 batalione austro-hungareze. Ata do të hynin nga Shkupi në Fushë-Kosovë.
Diplomati austro-hungarez këto i quante gjepura dhe theksonte se lejen për ekskursion e kishte dhënë qeveria e Vilajetit. Nga pikëpamja jonë, shkruante Adolf Ritter von Zambaur, dështimi i ekskursionit të shkollës gjermane të Selanikut në Kosovë është për keqardhje edhe për arsye se serbët kanë filluar ta shfrytëzojnë rastin për qëllimet e tyre duke u sugjeruar “muhamedanëve” (shqiptarëve) se ndërtimi i hekurudhës në drejtim të Sanxhakut i bart të gjitha fajet për tërë risitë që nuk u pëlqejnë shqiptarëve.
©Enver Robelli












