Rrugica e Çamëve - Nga Adriatik Dosti
Edhe pse emrin e saj të vërtetë ajo rrugë a rrugicë prej vitesh e vitesh e ka “Shyqyri Bërxolli”, ma do mendja se zor të gjesh në Tiranë, por edhe në gjithë Shqipërinë njeri që ta njohë me këtë emër. Ajo rrugicë e dashur për të gjithë kryeqytetasit e shqiptarët, ka vetëm një emër dhe këtë të përjetshëm: “Rrugica e Çamëve”.
Këtë etiketim e ka marrë nga komuniteti martir shqiptar i Çamërisë, i cili u vendos këtu shumë vite më parë, pas përzënies me dhunë, zjarr e hekur që monarko-sadistët grekë i bënë popullsisë të kësaj krahine shqiptare, që edhe sot kullon gjak e dhemb në shpirtin e plagosur të Shqipërisë Mëmë, si kurrë më parë...
Eh sa kujtime ruaj nga kjo rrugicë e nga banorët e mrekullueshëm të saj, nga ata njerëz që shpirti e zemra iu burojnë veç mirësi, mbarësi, patriotizëm, atdhetari, dëshirë për punë, e besim tek i madhi Zot.
Sapo hyn në krye të saj është Dinastia Nuri, ku dikur Babe Rexhepi, rahmet pastë, të uronte mirëseardhjen, tek rrinte ulur në atë stolin e tij të vogël e kuvendonte në anën tjetër të rrugës me Fadilin e djemtë e tij, me njërin prej të cilëve, Besimin, kam bërë shërbimin ushtarak shumë vite më parë. E mes tyre, i miri Kadri, kampioni i madh i mundjes e njeriu i rrallë i kësaj familje patriote, punëtore e fisnike. Dhe unë që ndaloja me deshirën më të madhe e pija një kafe tek Nënë Hamideja e djemtë e saj miqtë-vëllezër të mi Luti e Nusha, por edhe me Kadriun e djemtë e tij, Vinin e Denisin.
Si relike e rrallë aty, në një kulm shtëpie me Nurët, kanë qenë e janë edhe Demnerët, e shtëpia e të famshmit Rrem Demneri, që meriton respekt të veçantë.
Pas 1990, kjo rrugice, falë Nurëve, por edhe familjeve të tjera çame që banojnë këtu, u bë tregu-hambar i Shqipërisë, duke shfrytëzuar në kohën e momentin e duhur lidhjet tregtare me Turqinë, armiken e përjetshme të atdheut të tyre të grabitur, Greqinë.
Këtu jo vetëm që gjeje gjithçka që i duhej një njeriu e një familjeje për një jetë normale e që na kishin munguar deri në ekstrem e banalitet të gjithëve, për dekada me radhë, por këtu u punësuan me të ashtuquajturën tregti tek “Tregu i Çamëve” qindra e qindra njerëz.
“Tregu Çam” gumëzhinte që në mëngjes herët e deri vonë në mbrëmje. sikur të ishte një koshere bletësh punëtore, e natyrisht që njerëzia blinte me çmime shumë të leverdisshme për kohën, gjithçka që i nevojitej.
Këtu ishin çdo ditë miqtë e mi të mrekullueshëm, të thjeshtë, fjalëpakë e punëtorë: Caci, Ben Keta, Liku, Kadri Pengili, Cen Mema, Besimi, Lani, Dyli, Gaspri, Beqiri, Shati, Nikja, Tosi, Qemoli, Fatlinda, Rafua e motrat e saj etj., etj.
Në mes të rrugicës edhe e famshmja shkolla “Kristoforidhi”, ku shpenzuam jo pak nga rinia e adoleshenca jonë, duke luajtur në oborrin e saj futboll, derisa i bënim gjunjët gjak.
Më pas shtëpia e Memëve, nga ku shkëlqyen në sportin tironas, por edhe atë kombëtar, Haxhiu, Beqiri, Aliu, Osmani, e më pas edhe trashëgimtarët e tyre Sula, Ardi etj., deri edhe tek i pafati i kësaj botë të mbrapshtë, super talenti i Memëve, djali i ndjerë i mikut tim të shtrenjtë Cenit.
Në vijim janë radhazi familjet shumë të respektuara të kësaj rrugice-legjendë të Tironës sonë të shtrenjtë, Belitë, Kikët, Ferhatët, Hykët, Mezinët etj., që gjithashtu kanë nxjerrë emra të shquar të sportit shqiptar.
Në të majtë, kur del për t’u kryqëzuar me rrugën “Myslym Shyri”, ende janë shtëpitë e miqve të mi të mirë e të hershëm, Llaq Gogës, Ferd Zerdjes, Qemolit të Cajes, Ed Dashit, e deri poshtë në fund të rrugicës ku kanë qenë vëllezërit Mazreku, trajneri i famshem i peshëngritjes Zyhdiu, e kolegu im i punës së detyruar në Kombinatin “Josif Pashko”, Xhevdeti. Po aty ndodhet edhe shtëpia e famshme e Nallbanëve, nga ku prej babës së tyre, Saliut, mori jetë në Shqipëri sporti i Tenisit, të cilin diktatura kurrë nuk e la të zhvillohej, se e quante sporti lluks i borgjezisë.
Sa histori, kujtime e ngjarje të bukura, prekëse e njerëzore ka kjo rrugicë, o njerëz, e pikërisht pse protagonistë të saj, e kurdoherë vetëm për mirë, kanë qenë në shumicë, banorët e saj të mirë, çamët.
Çfarë nuk bëri ai regjim i urryer të hidhte balte e llum, të villte vrer e mllef, kundër çamëve, për t’i fyer, ulur, përbuzur e denigruar ata, e për të mos i quajtur kurrë pjesë të popullsisë shqiptare, sepse natyrisht më parë, si i pabesë, lindur mes pabesisë komuniste, ua kishte tradhetuar e shitur tokën e tyre të shtrenjtë, Çamërinë, e çamët i kish vrarë e prerë me thikë pas shpine. Por kurrë nuk ia doli dot, pasi çamët mbetën ata që i ka njohur mirë historia jonë, por edhe ajo ballkanike: trima, punëtorë, fisnikë, patriotë, nacionalistë e besimtarë të Zotit.
Në vitin e zi 1997, kur Tirana ndodhej nën terrorin e kontrollin e bandave kriminale të rrugës, që na i bëri peshqesh politika e mbrapshtë, tradhëtare e antikombëtare shqiptare, në “Rrugicën e Çamëve” nuk luajti vendit asnjë tullë a qerpiç, nuk u këput as edhe një degë peme, nuk u dëmtua e kercenua askush, dhe kjo krejtësisht për meritë të banorëve të saj. Kurre prej atij farë shteti shqiptar, që çamët kurdoherë dhe fatkeqësisht e kanë pasur kundër tyre, si thikë pas shpine.
Dikur, diku aty pranë edhe Sali Berisha pat inauguruar përmes një pllakate përkujtimore “Sheshin Çamëria”, e më pas, si gjithë të tjerët, politikanët shqiptarë para e pas tij, “çuditërisht'” u bënë memecë për çështjen çame, e qepën gojën me karficë
Dola edhe sot tek “Tregu Çam”, ashtu siç kam dalë kushedi sa herë për vite e vite me radhë, për të takuar e për t’u çmallur me miqtë e mi të shumtë.
U lumturova kur dyert e dritaret e këtyre njerëzve të mire, i gjeta sërish hapur për miq e shokë, ashtu si përjetësisht në traditën e tyre fisnike të bujarisë prekëse e tepër njerëzore.
Sot rrugica m’u duk edhe më e bukur, por edhe më e dashur, dhe njerëzit edhe më të mirë e më të qeshur… Natyrisht…rikthehesha pas kaq e kaq vitesh dhe malli bën të vetën, ndaj pa u merakosur fort se ç’mund të kenë menduar të tjerët për mua, ashtu siç e ndjeva nga shprti e zemra, u ula e putha me respekt gurët, asfaltin e kalldrëmin e saj.
Ju falemnderit, o njerëz të mirë të kësaj rrugice historike, për gjithçka të mirë që bëtë e i dhatë Tironës sonë, por edhe Atdheut tuaj!
Zoti ju bekoftë ju e tokën tuaj të shenjtë, Çamërinë tonë martire!
© Adriatik Dosti












