Krijimtari

Ky është fundi – Nga Erlind Sulko

Ky është fundi.

 

Rrëzohen udhëtarët,

pa ngashërim, pa shpresë.

Përdhe pluhur, dëshpërim dhe thatësi.

Rrëzohen udhëtarët një nga një

si gjethe të kalbura.

Era, ajo asgjëja kalimtare,

përkund flokët e tyre.

Mbi ta heshtja e frikshme

e kaltërsisë së pafundme.

Jemi të braktisur, tha dikush.

Hyjnë dhe dalin njerëz pa përgjigje.

Ca largohen me sy të pajetë

prej teneqeje të ndryshkur.

 

Ky është fundi.

 

Mbrapa, para, anash makina.

Erë e hidhur gomash,

benzinë, tym dhe shpërfillje.

Anash rrugës një pemë pa gjethe

drithërohet në vetmi

dhe një llampë e zezë

ndriçon më kot gjatë ditës.

“Pse?” Tha një plak

duke tërhequr këmbët dhe gulfuar.

Në bastunin e tij prej druri ishte gdhendur:

jeta është e bukur.

Përdhe, në asfaltin e copëzuar

ishte e vështirë të mos shkelje

një çamçakiz të kafshuar dhe me pështymë.

Në ajër fluturonin ca qese të zbrazura patatinash

dhe bileta autobusi.

 

Ky është fundi.

 

“Ka ende shpresë.”

Tha një taksist i mërzitur për vdekje

duke kruajtur kërthizën dhe ngrënë fara.

Në radion e taksisë po flet një politikan:

“Ka ende shpresë.

Do ndërtojmë një hidrocentral të ri.”

 

Ky është fundi.

 

Çapitet një jetim i pastrehë në mes të rrugës.

I etur, i dëshpëruar e shtyn ditën

duke qeshur me qentë e lagjes.

Sot po ikën të votojë.

"Ka ende shpresë. Sot janë zgjedhjet."

Kështu tha edhe katër vjet më parë.

Edhe katër vjet para saj.

 

Ky është fundi.

 

Kryqin e kishës e kanë mbuluar

pallatet mbresëlënëse

dhe reklama e një çokollate të shijshme.

Dikush lutet.

Gurët e gdhendur

dhe trajtat e ngjyrosura në xhama dëgjojnë.

Ndër shekujt e pazë, kambana sapo ra.

E shtyrë nga drithërima e një ere.

 

Ky është fundi.

Tagged under Erlind Sulko