Pamundësi - Nga Artan Gjyzel Hasani
Në këtë 7 Mars, kujtimit të Mësuesit tim të parë e të përjetshëm...
Nuk na ndan veç dheu, baba,
por edhe një oqean i tërë…
në varrezën Hillcrest shkoj
mbi varrin e një tjetri
lulet e tua të vë
dhe kërkoj dikë që të ngjasojë me ty
me moshën tënde a emrin
por asnjë nuk qënka si ti
dora zgjat lulet mbi mermerin
dhe tërhiqet pas përsëri….
të bardhë janë trëndafilat që i hedh
në një varr bosh dhe harrohem
pas një fluture që ndalon mbi petalet...
bukur përkëdhel ky mëngjes
trupin tim me hijen tënde…
dhe tymi i kësaj cigareje
më merr e më shpie
aty ku ti fle gjumin tënd
pa e ditur se manushaqet
që dikur të dhuronin nxënësit
mes librave akoma mbajnë erë...



