Duke pritur shkatërrimin e kufijve - Nga Erlind Sulko
Dje fjeta në aeroport
duke pritur shkatërrimin e kufijve.
Nuk mund të hysh dot,
prit atje. Ashtu më tha rreptësisht
një grua me buzëkuq dhe shall të hijshëm.
Më vonë erdhi edhe një burrë hijerëndë dhe gushëtrashë
për të thënë të njëjtën gjë,
por me fjalë edhe më të pakuptueshme.
Prit sa të merren organet përkatëse.
Organet përkatëse nuk përgjigjen.
Dy policë kalojnë bri meje me armë
duke fishkëllyer një këngë të vrazhdë.
Ecje tutje tëhu, një grusht ujë mbi fytyrë
dhe vështrimi i dëshpëruar
i syve të pafuqishëm në pasqyrë.
Përballë banjos një grua e buzëqeshur
po shet çokollata zvicerane.
Një fëmijë po vrapon i lirë
me një avion të vogël në dorën e djathtë.
Policët ende po fishkëllejnë të njëjtën këngë.
U shtriva mbi karriget e hekurta
me kryet mbi çantën.
Me bjerrjen e shpresës dhe
një cigare të thyer në xhep,
u kruspullova brenda vetes si një arrë.
Dje fjeta në aeroport
duke pritur shkatërrimin e kufijve.



