Krijimtari

Edhe burgun do ta bëjnë për veten - Nga Faruk Myrtaj

Vendimi i parë i kabinetit të ri qeveritar ishte për ndërtimin e një burgu. “Na duhet një burg i ri”.

Edhe ajo pjesë e kryeqytetasve që çdo mbrëmje shëtiste duke lutur "lërmë o Zot të rroj", të gatshëm të pranonin simbol kërmillin e vesës në vend të shqiponjës së kreshtave, ata që u bindeshin pa kushte qeverive, as këta nuk e fshehën befasimin.

Në njoftimin zyrtar nuk fshihej kujdesja që burgu i ri të mos paragjykohej, për inerci të hijeve të burgjeve të mëparshëm. Sipas zëdhënësit të qeverisë, shtëpia e re pa qira do të ishte respektuese e ligjit, por jo më pak e së drejtës për dinjitet qytetar. Në dinjitet, gjithkujt, që i ndodhë të shërbej ose t’i shërbehet në këtë burg.

Megjithatë, numri i shëtitësve në "Bulevardin e Të Rënëve Pa Vetëdije", gjer te këmbët e Pallatit të Madh të Dimrit si për tu urtuar nën dritaren e Zyrës së Njëshit të Shtetit, ku drita nuk shuhej kurrë, u rrallua. Çdonjëra prej qeverive të mëparshme ishte marrë me riparimin e burgjeve, kishin premtuar ndershmëri, ndëshkim për vënien dorë mbi pasuritë publike. Asnjëra premtuar burg të ri.

Askush nuk i zinte n’goje burgjet e tjerë.

Për të qetësuar masën e qytetarëve përgjëruar për vazhdimësinë, të nesërmen u dha njoftimi se një e treta e fondeve për ndërtimin e burgut të ri do të vilej prej pagës së Njeshit të shtetit, kryeministrit, kryetarit të parlamentit, shefave të doganës në të tri pikat kufitare me të tre vendet fqinje, ministrave, drejtorëve të drejtorive, tërë zyrtarëve të lartë, listë e gjatë, ngjitur në Qeveri e administratë!

Pak orë më vonë u bë e ditur se të tretën e pagës do ta dhuronin edhe shefat e partive aleate, kryetari i kontrollit të serverëve të vjedhur, ai i sigurisë kombëtare, avokati i popullit pa kufij, madje edhe mëtuesi i dëshiruar për ministër Drejtësie me kahe të ububushme oksidentale atlantike...

“Më në fund, po troket mrekullia…”, ndjesi që pëshpëritej edhe nga bulkthit e ajrit në buzëmbrëmje.

Deri atë ditë, si traditë mbahej “burgu, për burrat”, njerëzit mbanin mend burgjet e vjetra, ku qenë mbyllur tërë ish-kryeministrat dhe ministrat e Brendshëm, me përjashtim të dikujt që e mbylli në çmendinë dhe më të vonit fare që preferoi të mbetej burrë pa burg, duke zgjedhur vdekjen me amanet të shkruar për  porositësin.

S’mbaronin, historitë me burgje, por kurrë siç po flitej tani së fundi për “Burgun e Ri”, pasi edhe tërë nëpunësve të administratës do tu mbahej “Taksë për Burg”.

Legjitime që Shefat e Opozitës të ishin të gjithë për t'u shqetësuar. Secili prej titullarëve të saj mund ta gjente veten në hapësirën e atij burgu, edhe pse një mendje publicistike provoi të qetësonte duke ofruar pandehmën se fituesit e rinj do ta përdornin burgun si reklamë; në rastin më të keq thjesht si mjet presioni.

Dyshimet po qetësoheshin teksa flitej për shpenzimet: fondet do të përdoreshin për të instaluar mjete hetimi dhe investigimi modern. Ndokush e lidhte nevojën e këtij burgu me shtetasit në emigracion. Dihej habia e ministrive të burgjeve të shteteve fqinje: “Shtetasit tuaj hyjnë me gëzim në burgjet tona!”. Përmes “Burgut të Ri”, të dënuarit emigrantë do të ftoheshin për në burgun e atdheut të vet. Nëse mëmëdheu s'i kish mbajtur dot si prind, le t'u bëhej i dhembshur si burg.

Ditën më pas, zëdhënësi i ministrit të Brendshëm përcolli optimizëm (ndryshe prej seriozitetit ngjethës të homologëve para-ardhës), teksa ngulmoi të qartësonte se kurrkush prej votuesve të thjeshtë s’duhej t’i druhej këtij burgu.

Aq më pak opozita, shtoi ai.

Retë dyshuese endeshin në qiellin e arsyes: nëse as qytetarët e thjeshtë, as opozita, kush tjetër?!

“Tërë vlera monetare, materiale e shpirtërore, djersë e këtij populli, që votoi për ne…të mund të shkojnë në këtë qendër rehabilitimi të gjithë. Absolutisht të gjithë... Përballë burgut, si përballë ligjit."

E bëri joshëse burgun lehtësia dendy e kabinetasve të rinj, çuna të hajthëm e goca të bukura, gojëtarë që e zinin ngoje lirinë vetjake si vlerë të shtuar. Po ngjizej ideja se në atë burg s’do shkohej aq kollaj. Jo kushdo, kurrë një shofer që parkonte gabim, një i zbritur në kryeqytet prej fshatrave të thellë, kompensim ndaj emigracionit masiv, drejtoreshë shkolle që nxori nxënësit për miting, këta thjesht do gjobiteshin. Varfanjakët të mos e ëndërronin Burgun e Ri.

Trazavitja u bë lemeritëse kur u shpall vend-trualli i zgjedhur për ngritjen e tij: lartësia e kodrës që sundonte kryeqytetin, aty ku dikur organizonte ballot Mbreti dhe Sekretari i Parë. Si për ta bërë të pa-ndërmendshëm rikthimin, po e kthenin në burg këtë kurorë të gjelbërt. Kodra, megjithatë, ende do zbriste butë-butë gjer ku binte në gjunjë të “Bulevardit të të Rënëve Pa Vetëdije”.

Shëtitësit nisën të mbanin hapin, kur arrinin aty ku kishin nisur punimet. Ujdisnin frymë-marrjen dhe vështronin sho-shoqin përhumbshëm.

"Asnjë muhabet me burg s’është për të qeshur, vëlla. Një ditë të bukur, kur të kesh mbërritur në fund të Bulevardit, dikush mund të të afrohet dhe të të thotë plot mirësjellje: “Në emër të popullit, a mund të ngjitemi deri atje lart?! Është bukur, atje...”, duke bërë me shenjë për nga “Burgu i Ri”.

Përurimi i themeleve të burgut ndodhi të njëjtën ditë të lume me dekretimin e anëtarëve të kabinetit të ri nga Presidenti, i Ri edhe ky.

Pas kazmave të para, u vu re se ishte vërtet një dhè i bukur, i dashur, që s'mbante lagështi, garanci kjo që të ndëshkuarit e ardhshëm, por edhe gardianët, s’do të vuanin dhimbje eshtrash, siç rëndom në burgjet e më-hershëm. Për shkak të majëkodrës së zgjedhur, dielli do ta përkëdhelte ngrehinën e burgut prej rrezes më të hershme të agimit deri në çastet e shuarjes së vonë në mug.

Ajo çfarë i dha shtysë habisë, ishte lënda që po përdorej për muret: qelq i dashur, i përshkueshëm nga drita, i tej-vështrueshëm nga brenda por jo edhe nga jashtë. Të burgosurit do mund t’i kundronin qytetarët e lirë, por jo këta të pa-lirët. Robëria relative e atyre aty brenda kishte model lirinë absolute të atyre atje jashtë. Pasi muret e kaluan bojën e njeriut, u pa që në hapësirën brenda murit rrethues ruhej krejt-e-krejt gjelbërimi.

"Mos u bëni naivë, ia behte ndonjë zëth. Burgu kurrë s'është ç’ka duket... E çfarë se muret… të qelqta nga jashtë?! Dhe që ka gjelbërim, shatërvanë të ndriçuar?! Burgu janë qelitë, ej, mungesat që gjen kur të mbyllin aty brenda. Gjer vonë në mesjetë, deri në Rilindjen e parë, zotërinjtë e robërit rronin në të njëjtën kështjellë. Lart bëhej qejfi, vërshonte orgjia, atje poshtë, në katoin e qelitë, valonte druri..."

Okay, dyshimi është liri, por a na thua dot: pse Opozita s’ndjehet?!

Problemi ishte jo vetëm pse. Sidomos kur. Mezi pritej të vinte dita e parë, dita e ndëshkimit, e të burgosurit të parë. Dikush, çdokush, cilido le të ishte, prej shtetasve, vetëm të fillonte, aman...

Fjala "Burg", e shoqëruar nga cilësori "i Ri", kishte ndryshuar jetën. Një pikë ngjyre në gotën e trishtë të gjërave që lindin e harrohen brenda tri ditëve kujtesë. Dukej, sikur të tërë kërkonin të njëjtën gjë: ndëshkim të të korruptuarve. Gati-gati po bëheshin prova të përdoreshin frazat e sallave në gjyqet e para: “Në litar, në litar...”

Në “Pasqyrën e Shtypit” vëmendjen e tërhoqi gazeta e re, me titullin "Burgu i Ri". Botohej me ngjyra, letër luksi. Do shpërndahej kudo, falas. Nëse numri i parë u thith prej kuriozitetit, në ditët e muajt në vazhdim, shtetasit kërkuan ta kishin doemos, edhe nëse botuesi ndërronte mendje dhe dukej një pullë që njoftonte çmimin, për efekt takse.

Në faqet e kësaj gazete mësuan për burgjet më të famshëm dhe për të mbyllurit e hershëm të njerëzimit. Gallatë e madhe, me llojin e akuzave dhe sjelljen e të burgosurve të parë të botës, trupin gjykues, dëshmitarët dhe nenet ku mbështetej dënimi me ditë, vite, burg të përjetshëm o me vdekje. Gazeta vijoi me serialët e tentativave më të hershme për tu arratisur, ikjet e suksesshme dhe ato të dështuara. Secili rast ishte bërë shkak në përsosjen e rregullave e masave të sigurisë, gjersa burgjet morën trajtën moderne. E vështirë të ikje, por jo e pamundur:  një gardiane kishte rënë në dashuri me të dënuarin dhe, si provë dashurie, i dhuronte çelësin e lirisë.

Në gazetë u botua edhe letra e fundit e femrës së parë çmendur në burg, shoqëruar me ndryshime të thella të rregullores së brendshme. Prej asaj kohe ishte lejuar, fillimisht një herë në vit, takim bashkëshortor. Gruaja e një të burgosuri ishte lutur ta mbyllnin edhe atë, me amorin e saj. Një gardian i shekullit katërmbëdhjetë pati rënë në dashuri me të burgosurën prej dhembshurisë: ajo kthehej mbytur në lotë nga ora e takimit me burrin e saj të lirë, dhe...

Edhe vend-ndodhja e burgjeve të kohëve e larmishme. Burgje në mes shkretëtire... Burgje në ishuj të mes të oqeaneve, në majëmale alpinë, por burgje edhe nën tokë, në miniera të braktisura... Ishte joshëse të merrje vesh e drejta e të burgosurve për tu këmbyer nga të afërm të tyre, ose prej më-këmbësve pa asnjë lidhje me fajin. Një numër gjithnjë e më i madh njerëzish e përballonin jetesën duke punuar si të burgosur, teksa të tjerë, Të Kamur, shpalleshin dënim-shlyer edhe moralisht përballë ligjit. Dikur ligjvënësit e ndaluan dorëzaninë në burg. Ngaqë nuk u shmang dot diferencimi pasuror, mori udhë shlyerja në para e fajit të bërë. Në burg po mbeteshin vetëm fatzinjtë që s'kishin me se të paguanin, varfanjakë që vërtetë ndjeheshin më mirë brenda se jashtë tij...

Gazeta “Burgu i Ri” kujtoi ekzistencën dikur të një dënimi të veçantë: për abuzim me paranë e popullit, nëpunësve të shtetit u damkosej në ballë vula e shtetit, stema e mbretërisë apo e republikës, si njollë që do tu mbetej tërë jetën; edhe vdekur: u gdhendej mbi gurin e varrit.

Diku, ishte përdorur edhe shëtitja pranguar, duar-lidhur dhe kryeulur e nëpunësve ligj-shkelës në rrugët e populluara. Turma shoqëronte me gaz e brohori nëpunësin e dënuar, si ariun në fshat ditëve të pazarit të madh, duke kënduar himnin kombëtar. Edhe më interesante, goditja me shtizë flamuri e nëpunësit zënë në faj publik.

Dënimi me vdekje kishte hyrë dhe ish hequr disa herë, gjer ditën që bashkë me dënimin me varje ishte hequr edhe ai me vdekje. Përderisa jetën na e jep Zoti, vetëm ai ka të drejtën të na e marrë. Vdekja qe rikthyer kur u ngjitën në pushtet ata që s’donin t’ia dinin për Zotin, por këta nisën të vrisnin njeri tjetrin. Më keq akoma, e varrosnin dhe zhvarrosnin njeri tjetrin disa herë...

Të prekur nga historia e burgut dhe burgimeve, duke u ndjerë tashmë më shumë se kureshtarë, kryeqytetasit u ndjenë edhe më të respektuar kur u bë e ditur se qenë propozuar lehtësira të shumta për ata që do kishin fat të gjendeshin në atë burg. Atje brenda, do gëzonin jetë sa më normale, gati si në familjet e tyre dhe shoqëri.

Lajmi se në “Burgun e Ri” muret, dyshemeja, tavanet e qelive po visheshin me shtresa materialesh që pengonin të ftohtit në dimër dhe të nxehtit në verë, u çmua qartësisht human. Aq më shumë që në mjediset e përbashkëta, deri thellë qelive, do të kishte aparate televizive, librari, radio, dushe, shatërvanë, pishina. Fonde të tjera, ato për integrimin, por edhe milionat prej shndërrimit në Komedi të Teatrit të Dramës Kombëtare, u livruan për përfundimin sa më të shpejt të “Burgut të Ri”.

Në pikun e fushatës elektorale, nga palët në rivalitet u miratua diçka që shkaktoi mallëngjim kolektiv: e drejta e qëndrimit brenda, me të dënuarit, edhe e familjeve të tyre.

Pozita e opozita, nën sugjerimin e emisarëve të huaj për harmoni, dhuruan me urgjencë tepricat dhe super-fitimet, dikush sugjeroi edhe përdorje të parave ende të pa-emetuara nga Banka, vlerës së përftuar nga mos-djegia e drogës kapur nga policia, hequr mënjanë për tu përdorur si mjekësi popullore në rast lufte, të gjitha si kontribute për shpejtimin e punimeve të “Burgut të Ri”.

Në orët e fundit të natës, teksa nisën të publikohen të dhënat e zgjedhjeve fituar nga pala tjetër, u bë e ditur se tërë kabineti qeveritar, nën moderimin e koncensionerëve, drejtorëve të shtypit e mediave që botonin edhe reklamat në gazetën “Burgu i Ri”, filloi zhvendosjen familjarisht për në “Burgun e Ri”.

"Të gjithë po transferohen për Atje..." Nën këtë titull do të dilte edhe numri i së nesërmes, i fundit i gazetës.

Mrekullisht, jo vetëm që kishte fare pak dhimbje, si ikje pas një lëngate të gjatë, por dukej sikur gjërat po ndodhnin pothuaj gëzueshëm. Në një harmoni ngjethëse, aq sa qytetarët që ende s’e besonin, kujtuan çfarë kishte thënë qysh në krye një i dehur: Këta edhe burgun do ta bëjnë për veten!

©Faruk Myrtaj