Publikohet libri “Kronikë në aerodrom” me autor Zeqir Cama
Zeqir Cama ka lindur në vitin 1949 në Fushëbardhë të Gjirokastrës. Ka kryer arsimin e lartë ushtarak dhe më pas Fakultetin Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës. Ai bën pjesë në grupin e krijuesve letrarë që për vite të tëra kontribuan në atdhe si ushtarakë profesionistë. Ish-pjestari i Forcave Ajrore, Zeqir Cama lëvron kryesisht poezinë dhe prozën e shkurtër. Librin e parë me poezi, titulluar “Shtigje të gurta”, e ka botuar më 1972. Prej më shumë se 10 vjetësh ai jeton në Toronto. Edhe në emigracion nuk është ndarë nga letërsia. Pas publikimit të përmbledhjes “Ftesë nga Fushëbardha”, ditët e fundit ai ka publikuar librin memuaristik “Kronikë në aerordrom”. Më poshtë, me lejen e autorit, Flasshqip.ca po ndan me lexuesit hyrjen e librit.
Dikush nga miqtë e mi që e ka ndjekur publicistikën time nga jeta në ish-bazat ajrore, më tha: - Pse nuk i mbledh në një libër shkrimet e botuara para ndryshimeve demokratike? Është jeta ime… e jotja… e kujtdo që ka dhënë djersë dhe mund në armën e aviacionit.
Nuk më kishte shkuar ndër mend kjo ide. Po dhe kur ma kujtuan, e quajta të kotë sepse shumica e shkrimeve, të lodhura dhe të mbingopura nga propaganda asokohe, botuar më së shumti në shtypin ushtarak, e kishin mbaruar misionin.
Natyrisht do të përzgjidhja ato që kishin vlera të mirëfillta letrare duke i kaluar me kujdes në sitën e kohës. Kisha mjaft skica, tregime dhe esse për njerëz të gjallë e të ikur, por s’ma ngrohnin zemrën. Më dilnin vështirësi, nuk i kisha ruajtur dorëshkrimet origjinal dhe s’kisha as tregues kronologjik që të ma bënte më të lehtë gjetjen e tyre në shtypin e kohës.
Me këtë arsyetim, e lashë ca kohë pas dore atë çka m’u shkrep atë çast, pastaj e mendova ndryshe; që të bëja një libër me tregime të jetuara dhe publicistikë të kohëve të fundit, që ta shihja veten si udhëtar i favorizuar nga rasti që më ishte dhënë për t’i parë me sy dhe shkelur me këmbë mbi njëzetë e pesë vjet të gjitha bazat tona ajrore. Tashmë këtë udhëtim do ta ndiqja me imagjinatë, nga larg, prej vitesh i larguar nga jeta plotë vrull e këtyre aerodromëve.
Për të qënë i qetë në ndërgjegje, u betova: “Të jem gjer në detaj sa më afër të vërtetës!”
Nuk më mungonte njohja dhe as dashuria për jetën dhe njerëzit që do të shkruaja. Sinqeriteti le të ishte “aja” e kësaj memuaristike. Të tjerat do të vareshin nga aftësitë e mia. Sepse siç thotë Heminguej “…Gjëja më e vështirë është të shkruash një prozë të sinqertë e të ndershme për qeniet njerëzore...”
Më ka lidhur puna me shumë ushtarakë të rangjeve dhe pozicioneve të ndryshme, me pilotë, teknikë, inxhinierë e specialistë, me komandantë e komisarë, me shefa shërbimesh e sektorësh, brënda dhe jashtë komunitetit aviacionist. Kam debatuar e bashkëpunuar me ta, me dikë më shumë e dikë më pak. Me ca jam ulur dhe në tavolinë dhe për një kafe apo një gotë raki, me ca të tjerë thjesht jam përshëndetur në distancë duke respektuar njeri-tjetrin në heshtje, por cilido qoftë ky apo ai, kanë zënë vend të veçantë në jetën time, kam dashuri dhe mall për ta.
Megjithatë, edhe pse kam prurë mjaft prej tyre, ishte e pamundur t’i bëja të gjithë bashkudhëtarë të këtyre rrëfimeve, por në mendje i shoh sikur t’i kem para syve. Janë të tërë në faqet e këtij libri. Lëvizin si frymë… si portrete… si imazhe. U prira që secili të vinte me individualitetin e tij, me historinë e vet të pangjashme me të tjetrit, por fija lidhëse të mbetej e vërteta jetësore.
Personazhet që përshkruaj, m’u qasën natyrshëm; nuk i përzgjodha, vetë këta më çukitën kujtesën siç të çukit një ëndërr papritur e pakujtuar, në mes të natës.
Për t’i dëshmuar sa më besueshëm, iu shmanga sa munda ndodhive që nuk përbëjnë letërsi, historive me rutinë të konsumuar e copëzave biografike, me të dhëna e detaje teknike pa vlerë dhe pa interes leximi, sepse dua që libri të shijohet edhe nga ata që nuk i kanë njohur këto aspekte. Për sa kam vrejtur, disa fragmente postimesh që kam publikuar here pas here në Facebook, kanë ngjallur interes dhe emocion, i kanë komentuar me kënaqësi edhe lexues që nuk i ka lidhur asgjë me ato mbresa.
Ndërkohë, kam qënë i bindur se shumëkujt prej lexuesve, nuk do t’u intresonte letrarizimi i ngjarjeve në detaj i çfarëdo ndodhie qoftë në aerodrom a në qiell, por ndiesitë shpirtërore dhe psikologjike të atij protagonistit që është ndodhur përballë të papriturave të jetës. Prandaj e vura veten në rolin e çdo personazhi të librit duke i shtruar vetes pyetjen që mund ta bënte çdo lexues: “Nëse isha unë, çfarë do të perjetoja në rrethanat që u ndodh ky apo ai protagonist …?” Dhe vetvetiu më erdhi kjo përgjigjia: “Këto emocione duhet të hedhësh...”
Nga krijimtaria e para viteve ’90, përzgjodha vetëm një tufë poezish, që më duken ende të freskëta për të përshëndetur miqësisht në 70-të vjetorin e krijimit të armës që na rriti, miqtë, shokët dhe ish-kolegët e atyre viteve, që m’u bënë ngacmim shpirti për këto frymëzime. Shpresoj që kujt t’i bjerë në dorë “Kronikë në aerodrom”, mos ta lodhë por t’i japë sado pak kënaqësi dhe krahë imagjinate që, qoftë edhe për një çast, t’i duket vetja më i ri.
©Zeqir Cama



