Krijimtari

Tirane, Romë, Paris, Toronto - Nga Adriana Myrtaj

 Adriana Myrtaj - Toronto

Për vdekjen e shtyjmë të flasim më vonë, po Udhëheqësit, si i gjejmë?!

16 Dhjetor, 2009 (fragment libri në proces)

E lashë Shqipërinë të hënën. U nisa nga aeroporti i Rinasit në 6 të mëngjesit. Arrita në Romë në orën 7:20. Avioni që do merrnim në Romë për në Toronto nisej pas tre orësh, pra në 10:20 të mëngjesit. Në 9:30 lajmërohemi se avioni do nisej me një orë vonesë. Mbas një ore lajmërohemi përsëri, se avioni do nisej në mbrëmje, në 10:30 të darkës.

Harxhoj ditën duke lexuar në aeroport. Në orën 7:00 në mbrëmje lajmërohemi përsëri, se avioni do nisej më përpara, në orën 8:30 dhe jo 10:30 siç na u tha më parë. Kaq shumë rrëmujë, s’po kuptoj se çfarë po ndodh.

Jemi brenda në avion në 7:30. Në 8:30 më në fund marrim frymë të lehtësuar, avioni filloi të lëvizë në pistë për të marrë shpejtësi. Shkon në krye të pistës, merr shpejtësinë ngadalë por nuk ngrihet. Vjen përsëri rrotull pistës për t'u vënë në vijën e nisjes. Merr shpejtësinë të ngrihet, por nuk mundi. Është i mbushur me pasagjerë. Dëgjojmë me frikë se si motori shtrëngohet dhe lirohet me ngërç, por rrotat nuk shkëputen prej tokës. Për herë të tretë përpjekja e pilotit nuk pati sukses.

Shqetësimi rritet valë - valë. Orë të gjata pritjeje, dhe ja tani kjo...

Ulur afër meje është një burrë rreth të 60-ave, që nuk duket se shqetësohet shumë nga kjo që po ndodh. Ne sediljen tjetër përbri meje është një çift të rinjsh. Gruaja e re çon dorën shpesh në bark dhe shoh se është shtatzënë. Pasagjerët ngritur në këmbë pyesin stjuardesat se ç’po ndodh. Kapiteni del nga kabina të na flasë.

“Motori, thotë, ka defekt, po përpiqet ta rregullojë dhe do të nisemi sapo defekti të jetë rregulluar…”

Frikë dhe zemërim: pse defekti nuk u rregullua gjatë gjithë ditës, në pritje. Krijohen grupet, pro dhe kundër idesë së fluturimit atë natë.

Grupi i panikut që thotë jo, të mos fluturojmë me këtë avion.

Grupi i dytë, kërkon të nisemi.

Një grup i tretë asnjanës, as andej e as këndej, mirë po të ikim, mirë nëse jo. Dembelët janë gjithnjë të pranishëm midis nesh. Dembelë-indiferentë që përtojnë të pyesin veten në kanë ndonjë dëshirë të tyren, apo ide. Ecin me çdo zgjidhje që bëjnë të tjerët për ta. Janë si një lloj paraziti që ushqehet mbi të tjerët. S’ka mbetur ndonjëherë historia pa ta. Ky lloj paraziti ecën mes nesh. Kthejnë andej nga kthehen fletët e historisë prej të tjerëve. As ashtu, dhe as kështu. As andej, dhe as këndej…

Është një vajzë shqiptare mes pasagjerëve. Erdhëm nga Rinasi me të njëjtin avion, e vura re në mëngjes në avionin nga Tirana për Romë, u përshëndetëm nga pak gjatë orëve të gjata të pritjes në aeroport, nuk qëndruam bashkë gjatë orëve të pritjes dhe as emrin nuk arritëm t’i pyesim njëra tjetrës.

Në avionin e darkës është e ulur në ndenjëset pas meje. E shoh të më kalojë me bagazhet në duar.

“Nuk po vjen?”, më pyet.

Nuk po e vendosja çfarë duhet të bëja. Vendimet më të rëndësishme të jetës fatkeqësisht na duhet t’i marrim shpesh me shpejtësi të madhe e ngutje. “Rri, apo del?”, pyeta veten. Me shpejtësi rrufeje pata dy imazhe në sy, po të qëndroja e mos dilja me grupin e pasagjerëve që po i drejtoheshin derës në atë çast, dhe tjetra, po të dilja. Duhej të udhëtoja me atë avion, kisha problemin e mosparaqitjes në punë në ditën tjetër. Puna ishte e rëndësishme. Do mund ta humbisja dhe në këto momente që po kalonim familjarisht, ajo ishte e rëndësishme si asnjëherë. Ndjeva se iu përgjigja pyetjes që i bëra vetes në favor të qëndrimit në avion.

Shqiptarja më pyeti: 

“Nuk po vjen?”

“Duhet të shkoj sot, i thashë, humbas punën”, thashë.

“Punën e gjen prapë, më tha, po qe se je gjallë…”

Imazhi i të shkuarit në fund të oqeanit, më trembi. Atë të qenies në lartësinë e mbi 10,000 metrave dhe rënia prej andej si një gur, drejt e në oqean. Dy frikëra njëherësh në një: ajo e mbarimit të jetës në një aksident dhe e dyta mbarimi në ujë. Gjithmonë më ka trembur uji. Ndjesia e të mos prekurit të tokës me këmbë. Je në hava, pa tokën nën këmbë. Sa e rëndësishme është ajo për ne fëmijët e saj! Është e njëjta ndjesi, që na ndodh gjatë jetës, kur ndodhin gjëra e na shkëputin nga çdo realitet i njohur e s’dimë ku jemi.

Uji ka fuqi të jashtëzakonshme. Për ne, njeriun e vogël, Zoti ka dhënë vdekjen e natyrshme, të pleqërisë, humbjen e moshës dhe del…Vdekja në përgjithësi nuk njofton, por Zoti ka dhënë rregullin e ligjësinë për të. Çdo dalje tjetër që s’është e zakonshmja, është e jashtëzakonshme. Si e tillë është e frikshme. Aksidenti që ndodh pa lajmëruar, është i njëjtë. Bota jonë është vend me gropa, ligjësitë që ka jeta ka kohë që janë prishur. Gropat ku shkojmë çdo ditë, ndodh na hedhin diku, herë këtu e herë atje, jeta jonë mbaron shpesh pa i bërë ditët që shkruan Perëndia për ne. U zgjata. Në qe s’e do vdisja, le të vdisja, por jo aty, jo atë natë…

E kam menduar edhe më parë, se vdekjes i duhet bërë më shumë vend në mendimet tona.

Për të duhet menduar gjithnjë e gjithnjë. Kam lexuar, Budistët e kanë të zakonshme. Ne të tjerët, jo se i trembemi vdekjes, por e shtyjmë të mendojmë për të në ndonjë ditë apo orë tjetër. Kohën kur duhet të ikim, asnjë nuk e zgjedh, edhe se bëhemi fajtorë për njeri tjetrin, zgjedhje e zgjidhje që bëhen gabim dhe kanë koston e jetës me vete. Shoh përqark, sa e si korr vdekja për gabime të njëri tjetrit dhe tonat, se nuk arsyetojmë deri në fund, nuk mbajmë përgjegjësi për veprime tonat që kanë pasojë jetën! Çfarë tjetër mbetet po qe se ajo është e rrezikuar përgjatë çdo dite? Vendosa në çast, të dal me ata që po dalin, të mos nisem me atë avion.

Ndoqa vajzën shqiptare së cilës akoma s’ia dija emrin. As ajo timin. E lashë avionin, me të dhe një grup të madh pasagjerësh. Autobusët e aeroportit të Romës na çuan në një hotel afër, për dy a tri orë çlodhjeje deri në mëngjes, kur do shpërndaheshim në të tjera linja për në aeroporte të tjera Evropiane më parë dhe prej andej për Toronto.

Unë me shqiptaren jemi bashkë. E lamë Romën në orën pesë të mëngjesit për në Paris. Grupin tonë e drejton njëra prej pasagjereve, një vajzë japoneze shumë simpatike, veshur me minifund, geta të zeza, çizme të zeza, pallto të shkurtër të kuqe.

Aeroporti De Gol në Paris është si një qytet. Do humbisnim në të po të mos qe japonezja në krye të grupit. Me taka të larta e minifund, ka marrë rolin e të qënit në krye. Kështu na dalin përpara ata që kanë aftësinë natyrale të drejtojnë. Pa pritur zgjedhje e votime, numërim e ngatërrim votash...

Udhëheqësit dalin natyrshëm, pa bujë, marrin përgjegjësi të drejtojnë e çojnë përpara një detyrë apo një kauzë, si ta sjellë nevoja. I shkojmë pas të bindur udhëheqësit që del natyrshëm në krye të grupit. Edhe ushtarët këtë bëjnë, ndjekin me besim gjeneralët edhe kur ata mund t’i drejtojnë drejt vdekjes! Mbetet në përgjegjshmërinë e tyre të kuptojnë detyrën që kanë marrë përsipër të kryejnë në emër të jetës. Janë jetët e ushtarëve të varura në një fije peri. E shohin kështu çështjen e drejtimit politikanët tanë?

Vajza e re japoneze ecën shpejt edhe pse në taka të larta. Më mbeten sytë tek ajo, mezi e arrijmë, pothuajse na duhet të vrapojmë pas saj. Ajo çan përmes turmës, pa e ulur shpejtësinë e të ecurit, duke pyetur në të majtë e në të djathtë për drejtimin e duhur, gati jam krenare për atë vajzë të re në krye të grupit, sikur të ishte ime bijë!

Arrijmë aty ku duhet të jetë avioni me të cilin jemi caktuar të udhëtojmë ne të linjës së humbur të Romës. Më në fund qetësohemi, të kënaqur, ulur në sedilje, në një tjetër avion të pastër, të ngrohtë, mirëpritur nga stjuardesat. Shijojmë mëngjesin herët mbi Paris dhe çajin e ngrohtë.

Vajza shqiptare quhet Albana. Unë, Albana, dy djem të rinj simpatikë në shoqëri me vajzën japoneze dhe një shoqe e tyre.

Pothuajse i harrova ngjarjet ku isha e ngatërruar emocionalisht dhe mendërisht një ditë më parë…

Arrijmë në Toronto, ndahem nga shqiptarja duke shkëmbyer numrat e telefonit që të mund të dëgjohemi dhe takohemi përsëri. Dal nga aeroporti, pres autobusin për shtëpi. Ç’u bë me të tjerët që nuk zbritën nga avioni një natë më parë? Jam kureshtare të di, nëse zbritja ime prej tij dhe peripecitë që pasuan, në mund të ishin shmangur po të qëndroja me të tjerët, ndoshta ata ishin në shtëpi që mbrëmë... Ndoshta avioni arriti të ngrihet dhe fluturimi AZ 650 arriti në destinacion. Kush e di?

E justifikoj veprimin tim, ishte kujdes për veten, jeta është mbi gjithçka. Frika është frikë. Kush është ai që nuk e provon? Nuk duhet shtrënguar vetja për ta kapërcyer atë. Gjërat kuptohen ngadalë, disa edhe nuk kuptohen.

Ato pak herë që shkuam familjarisht me pushime në det, Faruku kishte dëshirë të më merrte mua edhe pak më thellë nga sa pranoja unë të shkoja në ujë. Më thërriste duke më premtuar, se nuk do shkonim më thellë se mesi i trupit tim, por pastaj, si pa dashje, përpiqej të më tërhiqte më tutje, të paktën në thellësinë e gjatësisë sime...!

Frika është frikë. Vetëm Zoti e di pse është tek unë. Unë e respektoj si ndjenjë tek vetja dhe kujdesem për të. Jo që të ushqej frikën, por të respektoj ndjesitë e kujtimeve ndoshta tepër të largëta në kohë që kanë mbetur në shpirtin tim. Një histori jo e zakonshme. Pata dëshirë të shkruaj për të.

©Adriana Myrtaj