Helena - Nga Bamir Bebeziqi
Duke ecur përgjatë një rrugice që të çonte në ish-shkollën time të mesme, nga larg më tërhoqi vëmendjen një grua, që po ecte në drejtim kah meje, silueta e së cilës tregonte një trup të rregullt e të bukur, e pasi gruaja afrohet akoma më shumë, bëri që zemra të më rrahë me forcë. Bashkë me zemrën, njëkohësisht m'u rrit edhe nxehtësia, duke më kthyer trupin në një gjendjë jo shumë të këndshme, për një afro gjashtëdhjetëvjeçar, të cilit të rrahurat e zemrës e paralajmërojnë që të bëjë kujdes.
Gruan e njoha, megjithëse vazhdova ecjen duke pretenduar të panjohurin, e kur po shkëmbeheshim, ajo buzëqeshi më ndaloi duke më thënë:
- Ermir, gëzohem që të shikoj pas kaq vitesh. Të njoha menjëherë, të njoha qysh nga larg, nga ecja, pasi nuk paska ndryshuar shumë.
Për një çast u meka nga prania e saj e me një zë të dridhur i flas sikur po përshpërisja:
- Helenë edhe unë të njoha. Nuk paske ndryshuar fare.
- Kam ndryshuar Ermir, kam ndryshuar shumë. Thinjat e tregojnë, por… Kam dëgjuar se ke shumë vite larguar, bile edhe shkruan. Kam lexuar disa nga shkrimet tuaja nëpër disa faqe letrare.
Vazhdoja hutimin tim dhe pasi mbajta për një çast frymën i them:
- Helenë, shumë vite pa të parë e pa dëgjuar për ty, në fakt më çudite që më ndalove, pasi mesa kujtoj, bashkë nuk kemi patur rastin të bisedojmë ndonjëherë. Me se merresh? A je….? S’ka rëndësi, nuk më pëlqen të bëj shumë pyetje. Uroj të jeni mirë, une kam disa ditë në këtë qytet, kam ardhur të takoj time më e do të iki pas një jave, por gëzohem që të shikoj.
Gruaja më shikonte drejt e në sy e unë përpiqesha t’i shmangesha shikimit të saj.
- Ermir, edhe unë nuk kujtoj të kemi folur ndonjëherë bashkë, megjithëse të kam njohur, por të ndalova pasi...pasi m'u duk sikur u ktheva pas në një kohë të largët. Në këtë qytet, kanë mbetur shumë pak nga ajo kohë, e prania jote në këtë rrugicë më befasoi krejt, e meqë më dole para syve, pas dy ditësh në qendrën komunitare të qytetit do të promovoj një librin tim të ri. Kam ftuar disa shokë e miq. Ndoshta vjen edhe ti dhe e ngroh pak atmosferen e takimit me ndonjë mendim tëndin. Ti e di qe njerëzit e letrave e kuptojnë mirë njeri tjetrin.
- Helenë, shkruani libra? Unë të kujtoj që studioje për muzikë në atë kohë?
- Mos të vijë çudi, sot kanë filluar të shkruajnë shumë…kështu që edhe unë fillova nga pak. Në fillim shkruaja tekste për këngët që kompozoja, por më pas kam eksperimentuar edhe shkrimin e gjatë. Librin e fundit e kam titulluar “Sensorët” dhe është pikërisht ky që do të promovoj të shtunën në mbrëmje.
- Faleminderit shumë Helenë, do të përpiqem…jo, jo me siguri që do të jem në takim. Mund të jetë ndonjë përvojë e bukur, pasi ndoshta pas disa kohësh do të më duhet edhe mua, kur të promovoj shkrimet e mia...në fakt shkrimet e mia të shpërndara e që duan kohë për t’u sistemuar, por ky titull po më duket shumë i çuditshëm. Sensorët janë pjesë e punës sime të përditshme. Me ata merrem, me sensorët e temperatures, të presionit, të vibrimeve të avionëve.
U ndava me gruan dhe më pas harrova edhe destinacionin për ku isha nisur e këmbët më çuan në drejtim të buzëdetit dhe ashtu në ecje ktheva pas shiritin e kujtimeve që u ndal në një kohë të hershme.
***
Helena... Helena, shumë vite më parë ishte një ndër vajzat më të hijëshme të qytetit D. Një vajzë bionde, e gjatë, me sy pis të zinj, gjë shumë e rrallë, edhe bionde edhe syzezë. Bënte shumë figure, e rinia e asaj kohe, djemtë, nga adoleshëntët deri të rriturit, magjepseseshin prej hireve të saj. Shumë histori e legjenda thureshin për të, secili sipas versionit të tij, por një gjë ishte e sigurtë, Helena vetëm ishte në kërkim e nuk e kishte gjetur ende Parisin e saj.
Përpiqeshin djemtë, lodheshin, e ndiqnin, e ndalonin, e propozonin, por Helena nuk donte t’ia dinte.
Krejt si pa dashur, u bëra edhe unë pjesë e ushtrisë që konkuronte për atë trofe, për Helenën. Edhe mua shpesh kujtoj që më ka rrahur zemra për të, bile jo rrallë edhe me shumë forcë, por ishte e kotë. Ajo as nuk më kishte në llogaritë e saj.
Eh, si vjen puna! Pas 35 vjetësh Helena më ndalon vetë në rrugë...më ndalon ajo, pasi me dhjetra raste kisha dashur ta ndaloja e nuk mundesha, sepse kisha frike se zemra do më tradhëtonte. Asaj, jo më kot i kishte dalë nami si një zemërvrasëse.
***
Në ditën e promovimit të librit shkova në qendrën komunitare dhe aty u prita me përzemërsi nga vetë Helena, e cila luante edhe rolin e organizatores, edhe të protokollit, duke shoqëruar secilin në vendin e caktuar.
Pasi grumbullohemi rreth 30 vetë, kryesisht gra e burra e tek-tuk ndonjë i ri apo e re, Sokoli, një shkrimtar i vjetër i qytetit D. hapi takimin e pasi i bëri një përmbledhje të shkurtër librit “Sensorët” i dha fjalën vetë autores.
Helena, pa ndonjë ndrojtje, shumë e qetë e me një zë të qartë, mori fjalën.
- Qysh në moshë të re kam qenë pajisur me dy sensorë shumë të fuqishëm, -filloi komentin e saj, - ishin dy sensorë, ku njeri kishte aftesinë të maste temperaturën, e tjetri të maste frekuencen e dridhjeve. Mos t’ju duket e çuditshme e mos mendoni se po flas marrina. Unë e ndjeja kur kaloja temperaturën e njerëzve që më rrethonin, ndjeja edhe frekuencën e rrahjes së zemrës të tyre. Ishte megjithmend kënaqesi kur ecja bulevardit e kur ndjeja që temperature më rritej aty tek vitrinat e dyqaneve, ku me dhjetra djem qëndronin me orë, bile isha në gjendje t’i tregoja ndonjërit se emetonte nxehtësi më shumë se të tjerët. E ndjeja, pasi më ngrohte shumë kur kisha të ftohtë dhe e di vendin ku qendronte ai për çdo ditë. Më shumë argëtohesha kur ndjeja shpejtimin e rrahjeve të zemrës. E ndjeja menjëhere kur dikujt i shtoheshin më shumë se të tjerët, bile me rrahjet e zemrës edhe luaja. I regjistroja në kujtesë, i ruaja e kur shkoja në shtëpi ulesha në piano e filloja të kompozoja melodi. Janë disa melodi të miat, të frymëzuara nga rrahjet e zemrës së djemve, që sensori im i kapte me lehtësi. Nga mosha 15 deri 35 vjeçe kam kapur shumë tinguj e kam marrë energji nga të gjithë drejtimet, por me kalimin e kohës, për fat të keq, sensorëve filloi t'u bjerë ngarkesa. Kuptova se rrahjet e zemrës të djemve, po binin ndjeshëm, po ashtu edhe nxehtësia e emetuar filloi të venitej.
Helena fliste e unë pak kuptoja. Kisha kaq vite që merresha me sensorët e ja ku dikushi, jashtë profesionit, më del me një version krejt të ri, por librin nuk mundesh ta kuptosh pa e lexuar. Pas takimit Helena ma dhuroi atë me një dedikim e një firmë origjinale të saj: “Për Ermirin, nga Helena!”
Në fund pasi u nda me të gjithë të ftuarit, gjeti pak kohë e m’u drejtua:
- Ermir, a mundet të të ftoj për një kafe këtu në qendrën komunitare? Do të doja të bisedonim pak.
Pranova ftesën me kënaqësi e ashtu në heshtje, të dy iu drejtuam një restoranti te vogël që servirte edhe kafe. U ulëm ballë për ballë, Helena e bukur, bile më shumë se në kohën e rinisë, e unë… shumë pak mbetur nga ajo kohë. Folëm gjatë për shumë tema e në fund, si për të mbyllur bisedën ajo më drejtohet:
- Ermir, nuk kam kaluar ndonjë jetë të bukur. Më vjen mirë se ke ndërtuar jetën tënde me mund e me djersë, ndërsa unë gjithnjë e më shumë po ndjej vetminë. Në rini kam qenë një vajzë e çuditshme. Kisha maninë të bëja sa më shumë meshkuj për vete. Doja të gjithë të më shikonin e të me simpatizonin mua dhe mbushja fletoret e ditaret me emra. Mjafton që të ishin në listë. Ja edhe ky edhe ai, e çdo ditë, vetëm përpiqesha të joshja djem duke u argëtuar pa masë. Kishte djem që më shikonin me simpati e donin një lidhje serioze, por si fillim pëlqeja ata që ndizeshin zjarr kur kaloja, ata që quheshin “Hot”, e luaja sa me zjarrin, e sa me ndjenjat, por një ditë fillova të kuptoja, se djemtë të cilëve prej meje u rrihte zemra me forcë, po zhdukeshin një nga një, dikush gjente shoqen e vet, dikush ikte në emigracion e në qytetin D. mbetën vetëm pak nga të dikurshmit, por edhe ata të transformuar nga pija e dembelia. Ermir, sot jam plot 53 vjeç dhe kisha kohë që nuk ndjeja që dikujt t’i rrihte zemra për mua. Sensori i fjetur u zgjua nga gjumi i gjatë, ditën kur të pashë ty në rrugicë. E ndjeva që po më jepte sinjale. Diçka e harruar po lëvizte brenda meje… Më vjen keq se pas disa ditësh do të ikësh…e sensori im, pas ikjes tënd do të bjerë në gjumë përsëri. Faleminderit që erdhe në takim.
- Uh, Helenë ç’po më thua? Unë kam qenë nga të fundit në atë grup të madh simpatizantësh të tu, - shtova unë duke buzëqeshur.
- Jo Ermir, zemra jote rrihte më shumë se të tjerët. E ndjeja! - dhe sytë e saj të zinj shndritën për një çast.
Kishte adhur koha e ndarjes...secili në destinin e vet. Unë për të shkuar larg, shumë larg, ku më priste familja dhe Helena duke u përpjekur për të mbushur kohën e humbur…
©Bamir Bebeziqi



