U lodha nga pritjet - Cikël me poezi nga Zeqir Cama
Stërkalat e pështymës m’i hodhe në fytyrë
Stërkalat e pështymës m’i hodhe në fytyrë,
të fluturuan pa dashje grimcat e ushqimit
dhe lemza të ngordhi sa zure në gojë mikun tim.
Nga ç’më thua,
pasionin ta shoh,
rrathët e syve t’u nxinë
se rrathët e syve t’i njoh,
nuk i ke nga plakja,
prej mllefit i ke,
ndonëse në pragun e moshës së tretë ke hyrë
dhe muskulatura e gojës të vate për “lesh”
sa dhe përsheshin me pahir e përtyp,
me dhëmbët si koqemisër
që koqisin pulat në shesh.
Unë e di që nuk e do
por s’është e thënë, mikun tim, ta kesh mik domosdo,
miqësia ka shkallë të parë dhe të dytë
pa ia shkelur me shejtanllëk kufijtë!
Disa të meta edhe unë ia di
por e kam shok dhe jam në krah të tij,
mund të shahem dit’e nat’ e të rrihem me të
por nëqoftëse kurthesh kërkon ta shtysh
pritën do ta zë dhe planin do ta prish,
përfole sa të duash
në syrin tim mos e shaj
edhe një herë po e bëre,
mëdysh do të çaj.
Stacionin tjetër…
Stacionin tjetër pres të vdes
pa orën fiks kur bëhet “pritja”,
në rrymë të lumit a në mes
jap e marr sa të vijë mbytja.
Një pëlhurë reje vozit sipër
e gatshme si varkë lundrimi,
unë i mbytur që i mbytur
s’luan rol një varkë shpëtimi.
S' bën dobi ca vjet më shumë,
s’ndodh hata ca vjet më pak,
vdekjes borxh mund t’i hyjë unë
siç mund t’më hyjë ajo në hak.
Stacionin tjetër pres të vdes
(punë s’ndreq e as nuk prish)
veç në status ndodh një ndryshim
s’jam më unë, por një, që ish.
Gjithë ditën shesim gënjeshtra
Bleva dy kile domate,
i doja organike,
nuk pyeta për çmimin, i mora sa qenë,
kur nisesh për qejf,
i blen me qejf të shkretat
dhe s’ pyet sa i blen!
U shtyra i kamur jo krip në kulaç
nga që pëlqej tulendezurat
më doli “derri maç”
nga brënda me rrëmba kërmilli si jargë
jashtë të kuqe si të pjekura në saç.
Prandaj u vura kryq,
fermer u bëra vetë,
ndaj m’u desh të bleja pleh delesh “me stemë”
por s’binte erë plehu, gjithçka mund të qe
I sajuar, njësoj si domatet,
i rremë.
Me hir a pahir, u hoqa bran nga rrenat
(janë prurje të kohës, t’i thuash derrit dajë)
me veshët përpjetë në përgjim si hienat
Ia futim shoshoqit, ta hajë kush ta hajë!
Mëria
Këndo, hyjneshë, mërinë e Akil Pelidit…
-nga Iliada-
U mbyll mëria, kaq e pati…
ia hapi shtegun xhindja-xhindit,
ra në gjunjë me ndjesë inati
se s’qe si ai, i Akil Pelidit.
I lamë qejfmbetjet stok ku qenë
majë më majë s’i pamë me lente,
i fshimë me mëngë si lot të rremë,
që yshten kot nga një fletë qepe.
Se s’mund të rrimë mëringujuar,
ta qepim gojën, kyç, me pe,
do t’kemi kohë, pa folë, veçuar,
siç rrine të ikurit, poshte nen dhe.
Në kërkim të punës
S’isha në ëndërr,
po në kërkim të një pune
si gjurmuesit e arit që lusnin të ardhmen e groposur.
Çfarë di të bësh - më tha bosi i radhës,
di të shtrosh pllaka…
di të ndërrosh çatinë...
dhe më vuri përpara një arkëz me vegla
pa pretenduar t’i ribëja shtëpinë.
Ngrita supet si gjynahqar, pa i dhënë përgjigje,
dilja trap e shkuar trapit, t’i përgjigjesha me hile.
Më zgjati çekiçin t’i jepja formë gurit,
më dha plumçin e ustait të drejtoja murin,
t’u vija brekëve llastik në vënd të ushkurit,
të matja nivelimin e truallit me sy,
më dha një palë shkallë të hipja në çati,
bashkoi dy dërrasa, të ngulja një gozhdë,
gati sa s’më tha të dhjefsha në shkollë,
me grusht i rashë kokës, i kërkova hesap
kur duhet të merrja, nuk mora zanat.
Më pas më dha kosën të kositja barin,
për qime shpëtova pa provuar të marrin!
Dhe prap më tha: "zgjidh"
po s’e vura më gishtin,
demi kapej nga brirët,
unë i dridhja bishtin.
Glasa
Kryengulth një glasë më ra,
si flutur mole në xhaketë
sa ciku supin kra-kra-kra
një zog i bukur pend’ i lehtë.
Me gaz e mora, nuk qe gjëmë
të vija kujën marrëzisht,
fiks te jaka më la shenjë
si maj’ e thoit në një gisht.
Qe një ndotje dosido
nuk qe llohë t’më bënte qull
as si e Pirros në Agro,
me vazo lulesh a me tullë.
U lodha nga pritjet
U lodha nga pritjet e ardhmërisë se ëndërruar
si i sëmuri nga ilaçet kur s’ka shënja për shërim,
sa vendos diçka në vijë,
tjetrën lë shpagim.
Mbylla sytë prej dhembjes nga mishmashi që shoh,
ula sytë t’u bëj bisht njerëzve që njoh,
ca më qajnë hallin,
ca më mashtrojnë,
sa me hapet një shteg,
në pritë,
ma dhunojnë.
Bëhem pré e lajmeve me shpifje pa skrupuj,
njësoj sikur flasin për kastraveca e kunguj,
ham-hum-et e sajuara nuk gjejnë shterim
miqtë që m’u gjëndën, predikojnë “durim”,
shkoj për dhjam qeni,
vete bedel,
krimineli i regjur më thotë: “kriminel”
pisi më tund gishtin,
më bën mua hajdut,
majtas era shurrë,
djathtas era mut
dhe hajde pastaj të gjesh drejtësi,
në pellgun kutërbim,
në pusin babëzi,
s’i nxë Drini i bardhë
s’i mbyt Drini i Zi.
Banditi del i larë,
e drejta tkurret një grusht,
humbas i currufjepsur si nga vapa në gusht.
Pisllëkut të radhës i vihet kapaku,
as mish as peshk
(një lloj menuje banale)
si kapakët e pusetave të mos bien era fekale.
Rrapi i “Be-së’
Bënin be me dorë në zemër
as mbi kuran dhe as mbi bibël,
sy ndër sy pa u parë vëngër
burra plot me erz dhe qibër.
S’hapnin mbrapa tjetër “gjyq”
paqtonin gjakrat te ky rrap,
rrap i Be-së nuk kishte kryq
ama çdo burrë e bënte zap.
Pa patur hak nuk dha të drejtë
me bishtin pas si koqe dardhë
s’qe i shenjtë po u bë “Shenjt”
rrapi i “Be-së” në Fushëbardhë.
Më bëtë të gënjej
Eshtë dita e gënjeshtrave dhe vendosa të gënjej,
s’njihem për gënjeshtar,
por e njoh si alternativë,
një ditë ështe
dhe s’bëhet hataja të gënjesh një herë në vit,
derisa politikanët gënjejnë përditë,
dhe t’u thuash gënjeshtarë,
u ke thënë fare pak,
njësoj sikur t’u thuash dredharakë,
që dridhen e përdridhen si teli nën lëvere,
lëpirë si viç lope, llangosur me xhel,
ku e ku sesa t’u thuash hajdut e kriminel.
Jam i një prillit por s’u bëra gënjeshtar,
datëlindjen s’ma dinte njeri,
ma nxorri bojën facebook-u
tek të bardhë e të zi,
ndaj skam nga e dredh,
ca më pak në vëndin tim,
ku e bëjnë të pabërën të bërë
dhe gomarin mashkull me barrë,
tjetërsojnë prona,
dhe marrin tapi me hile,
kjo e imja,
s’është asgjë,
zyrtarisht jam si balashi damkëbardhë,
i një prillit,
në gjëndjen civile.
Një ditë përpara a një ditë më pas,
do t’më shpëtonte nga kjo mynxyrë,
dhe s’do të bija në siklet siç u vura sot,
unë u them jam i një prillit
ju më thoni: “Na bën rrotë!”
Të lodhur nga nervat
u është bërë mëndja ujem
s’besoni atë që duhet
por atë që gënjen.
Prandaj e kalova me humor,
dhe bëra si bëra, gënjeva.
Dhe thashë: s’jam i një prillit,
është facebook-u, provokator!
s'kisha ç'të bëja, brita nga turpi
se më bëtë të gënjeja me zor!
Eja…
Shkurto kohën e lejes dhe eja
vetmuar, test i ndarjes më dogji,
kohën e shkuar prapa ta ktheja
një grimë pa u ndarë nga shoshoqi.
Dita e parë më shkoi si shkoi,
e treta më baltë se e dyta,
fundi i javës me teprica m’i shtoi,
hamendjet me mëdyshje të trishta.
Të rri brënda ha vetveten së ligu,
të dal përjashta bares kot më kot,
mos ardhtë më boshësia, që iku,
plot një javë, e diela, si sot.
©Zeqir Cama



