Krijimtari

Vdis, ta shohësh sa të dua! - Tregim nga Zeqir Cama

Ato që i kishte thënë të shoqit në telefon, i hodhi pas krahëve si një ëndërr të keqe. Dufin inatçor e bëri rrafsh. Iu prenë duart e këmbët sa dëgjoi zërin e panjohur në celular, që i tha se "Nesti Gjikeçin, e nisën me ambulancë në Urgjencën e spitalit…"

Njoftimi vinte nga Kafene "Bliri", aty ku Nesti pinte kafen e mëngjesit të shumtat e herëve.

Vuri duart në kokë e alarmuar “ç’më gjeti” dhe iu rikthye thirrjes së ardhur por numri i telefonit dilte i zënë.

Siç duket, gjëndja e tij është rënduar - tha me vete Leni. Parandjenja e keqe nuk i shqitej ndaj desh ta largonte. Ngaqë s’dinte ç'të bënte, e provoi sërish. Edhe një… edhe dy… edhe tre. Por prap asnjë përgjigje.

Nxitoi te taksitë. Imazhi i zbehtë i të shoqit i vetonte shtrirë në barrelë me shpirt nëpër dhëmbë. Pikëllimi ia kishte prishur fytyrën. E dinte që s’qe e para dhe as e vetmja grua që i shtrohej burri me urgjencë në spital, por në ato rrethana siç u shtrua ai, mund të ishte rast i veçantë. I dukej se e vrau me dorën e vet. Njeriu nuk vritet vetem me armë, mendoi, tak-fak dhe mbyllet hesapi. Edhe bluzat e bardha që shpëtojnë jetë, janë përgojuar me përvoja vdekjesh të avashta por dhe një fjalë si krismë bëhet sebep ta çojë njeriun drejt asaj rruge.

Shtrimi i tij me urgjencë ndoshta s’ka të bëjë fare me këto që i shkonin ndërmënd asaj, megjithatë s’mund t’i shpërfillte.

Shpërthimi “dy minutësh” i dufit të saj inatçor, në telefon, iu kthye në bumerang. I gumëzhinin në tru copëza qortimesh, herë me fjali të plota dhe herë si dromca fjalësh: "Nishan a nishan.... ku i kishe sytë..."

S’ qe e sigurt nëse pjesa e fundit e fjalisë ishte thënë pika-pika për ta nënkuptuar apo troç fare. “Ku i kishe sytë? Në bythë?” Por dhe nëse e kam thënë ashtu, mendoi, nuk besohet që të bëhej shtysë për çka i kishte ndodhur.

Punët i pati mbroth deri aty.  S'kishte parë të keq. Edhe në ‘97-tën, që s'mbeti familje pa e ndjerë, atyre s'u hyri gjëmb në këmbë. Përkundrazi, dy gëzime në një ditë. Njëri më i bujshëm se tjetri. Markua, djali i tyre i vetëm, fitoi llotarinë amerikane. Shtëpia e vjetër që bashkëjetuan me djalin e nusen, rilindi si Feniksi, nga hiri lindën dy bina. Aq sa e shitën, i futën në firmat rentiere të kohës, aty ku Markua ishte financier. Të shumtit e huadhënësve morën togjet e hirit, te Gjikeçët u dyfishuan. Para falimentimit të firmës i morën kokërr më kokërr dhe blenë dy hyrje ballë për ballë tek e njëjta ndërtesë, me nga dy dhoma gjumi secila.

Por, sipas saj, zoti e paskishte ruajtur për në fund cimbëllën, ua citosi të keqen. I kujtoi me radhë të gjitha veprimet e asaj dite. Që nga zgjimi. Çastet e fundit me Nestin. Pikëtakimin te Kafene "Bliri"… T’i kishte në kokë si rend gjërash kur ta pyesnin.

…Ishin zgjuar pa drita. Kishte ndodhur një difekt nga një ekskavator që gërmonte me gulçima një truall ndërtimi. E gjithë lagja kishte gdhirë në errësirë. Leni s’lëvizi nga rrobat, s’ kishte mbyllur sy nga zhurmat; ia pati qejfi të flinte dhe ca. Të shoqit, s'iu ndenj brënda. Gjeti me tahmin në gjysmëterrin e dhomës protezat e tij që i hiqte para gjumit dhe i provoi te pasqyra e koridorit. E shtërnguan pak, po nuk ua vuri veshin.

- Sa të zënë vënd, mendoi.

I kishte njësoj me të Lenit, nga i njëjti laborator dentar dhe me të njëjtin çmim. Eci me siklet sikur t’ia kishin fajin këmbët siç i ndodhte kur vishte këpucë të reja. Sa mbëriti te kafeneja, s'iu durua, shkoi te tualeti t'i provonte edhe një herë. Nuk e prishi gjakun nga turivarja e banakieres dhe as nga çuçuritjet e saj me kamarierin: - Po ky… S'ka tualet në shtëpi që mezi priti të zbrazet? Apo kursen ujin?

S’ndenji pa ua kthyer reston.

- Për inatin tuaj… dhe tundi në ajër pëllëmbën e djathtë si vagon vetëshkarkues. -Tualeti për këtë punë është - vazhdoi avazin pa e kthyer kokën. 

Në të vërtetë as shurrosi. Zbatoi destinacionin që pati në mendje. Hoqi me kujdes protezat, i shpëlau dy-tri herë dhe i vuri siç i kishte. Po prapë e njëjta gjë. Doli me telefon në dorë. Zëri i Lenit i erdhi me tërsëllimë.

- Nishan a nishan… ku i kishe sytë…. dhe vazhdoi me një batare sharjesh.

Kuptoi ngatërresën, kishte marrë protezat e saj!   Dhe iu kujtua proverbi: “Burrë e grua mish e thua”. I erdhi të shqyhej gazit por nuk e bëri veten, hingëllima e tij mund ta keqësonte situatën.

- Një pakujdesi e këndshme humori - i tha të shoqes që ende çirrej në telefon. - Hajde tall menderen tani se të sajuar i kemi, s’janë tanët që të mos i ngatërrojmë.

Të sharat vazhdonin si breshëri. Por ky e mbylli se ndjeu shtypje në gjoks dhe një shpim therës të shpatullës së majtë. Nisi nga stomaku dhe iu ngjit lart. Për një minutë iu bë e padurueshme. E mbytën djersët dhe frymarrja e rënduar. Kaq mundi t'i thoshte kamarierit aty pranë: "S'ndjehem mirë…" 

Pas kontrolleve dhe analizave mjekësore mori vesh që kishte kaluar infarkt akut të miokardit anetro-septal.

Lenin e drejtuan te Reanimacioni. Nuk u besoi syve kur e pa ashtu gjysmë njeriu të mbërthyer me gjithfarë fishash nën një monitorim rigoroz. Kishte më shumë se dy orë në terapi intensive. S’ishte më ai i mëngjesit. Iu ul si pupël te cepi i shtratit. Ia mori dorën në pëllëmbët e saj që t’i ndjente energjinë. Merrnin e jepnin pa folur. Kështu u kishte ndodhur edhe në rini. Nga një shtërngim duarsh u nisën në kërkim të njeri-tjetrit. Pastaj ia liroi një grimë se iu duk sikur dikush po e qesëndiste me aforizmën e njohur "Vdis ta shohësh sa të dua..."

Ishin njëzet kthina në krah të njera-tjetrës, me nga një shtrat secila, pajisur me monitor individual dhe qëndror, me defibrilatorë, pacemakër, eko e shiringa elektrike. Nesti ishte i dyti në radhë, pak hapa nga qëndrori i ekipit mjekësor. Të qënit afër ishte fat. Megjithatë, zilja tek koka e të sëmurit s’përbënte vështirësi, mjaftonte prekja e butonit dhe personeli gjëndej aty sa të hapje e mbyllje sytë. Por në vend që ai komoditet t’i ngjallte besim, Lenin e mbyti trishtimi dhe sytë iu përlotën. Ndoshta ngaqë ishte pavijoni i të sëmurëve më rëndë. Sapo kishte parë një vdekje klinike. Ishte hera e parë që ndodhej aty. Megjithatë s’e fshehu kënaqësinë kur pa nga afër kujdesin dhe impenjimin maksimal të personelit mjekësor. Fytyra e saj e praruar, ndriti edhe më kur dëgjoi që shefi i Reanimacionit ishte ndër kardiologët më të zgjedhur, profesor në Fakultetin e Mjekësisë, që merrte e jepte përvojë në qëndrat spitalore më me emër të Europës. 

Në këto përshtypje e sipër infermieria i pruri një lajm të mirë: - Xhaxhai ka dalë nga gjëndja kritike… Sytë e Lenit rrezatuan nga lumturia por u pa ashiqare që e mbajti një rezervë.  Pa ia kursyer mirënjohjen, nuk i erdhi mirë që e quajti "xhaxha....". Do t’ia kthente ndryshe nëse s'do të ndodhej në atë situate, por ato çka do t’ia thoshte në sy, i tha me vete: “Budallaqja… barabar me mua dhe me plot gojën e quajti "xhaxha". Sos ishe më e re, pa ta tregonte xhaxhai - mërmëriti. Por u shkëput nga ato mendime se hyri kardiologu me kartelën dhe fletën e shtrimit.

- Ia hodhëm paq, - i tha Nestit dhe i shkeli syrin hareshëm me kënaqësi të dukshme.

- Ishte i rëndë infarkti? - pyeti ky.

- I rëndë… por ti ishe më i fortë, një strong man i vërtetë, i bëri komplimentin e duhur. - Besoj, do të jesh në gjëndje të na thuash si të ndodhi. Do të të bie dhe një grup të praktikës mësimire, të të pyesin.

Por nuk e zgjati më tej se në derë u duk motra e Lenit. Kishte dëgjuar ç'kishte ndodhur te Kafene "Bliri" dhe erdhi "leshëlëshuar", siç tha. Përpoqi instiktivisht sytë me të motrës, e cila lëshoi një psherëtimë të mekur: "Ç'më gjeti moj motër! " Por ajo ia preu.

- Hesht…do ta hedhë se është i fortë Nesti. E dëgjove mjekun?

S’i ktheu përgjigje. E kishte mendjen te pyetja:"Si të ndodhi?" I shkuan rrënqethje por nuk e bëri veten. E kishte menduar këtë pyetje; kishte aq kulturë mjekësore për të kuptuar se mjeku kërkon të dijë gjithçka për rrethanat si u shfaq patologjia e sëmundjes.

Nesti tregoi ato që mbante mënd. Aq sa i tha kamarierit.

Leni u gëlltit dhe priti një grimë mbase thoshte dhe "të paditurën" që e dinin vetëm ata të dy. Por atë e zuri gjumi. I takonte asaj të tregonte ato që s'u thanë. Bubullimat para furtunës.

- Kur e dimë dy, le ta dijë dhe i treti, - tha. I treti, por i vërteti, ama!

©Zeqir Cama

Tagged under Flasshqip.ca Zeqo Cama