Krijimtari

Dy poezi për lumturinë - Nga Vangjush Ziko

*   *   *

Kërkoj kyçin tënd, lumturi,

përmasat e tua s'i mat dot,

zemra ime

edhe filxhan kafeje

edhe qelq vere,

e deh një lot gëzimi,

një pikë trishtimi e helmon,

e tërbon zemërimi.

Drita hyjnore pulson eterit

mbi timin abys,

për mua të verbrin

filozofët terrin

e fshehtësisë tjerrin

më kot,

mes tallaze tundimesh

si ta hap zemrën time

për lumturi

nuk di.

*   *   *

Kam një papagall

në dhomën time

fjalë të çmendura

më kumton.

Në ferr jeton poeti,

në ferrë këndon bilbili,

me ferrë njerëzimi

kurorëzoi zotin.

Kjo botë vetë -

një ferrë,

një lule e gënjeshtër.

Dertet e mia

me të saj

m'i bën ujem,

m'i përzjen mua.

E kam maraz

(edhe e urrej

edhe e dua)

këtë të çmendur papagall.

© Vangjush Ziko