Krijimtari

Sançoja - Tregim nga Sami Milloshi  

- Tani që po merr këtë post të madh, do të kesh nevojë për këshilltarë të mire, - i tha udhëheqësi. 

Udhëheqësit i bridhnin kokërdhokët e syve sa majtas djathtas dhe kurrë nuk e shihte në sy bashkëbiseduesin.

- Po, - tha përunjshëm ai që po merrte post të madh, - e ndjej.

- Nuk ka nevojë hiç fare të ndjesh. Sa kohë do të jesh me mua do ta heqësh nga fjalori yt fjalën “ndjenjë”. Po, është diçka tjetër që duhet ta vesh vath në vesh: ke nevojë të kesh një perceptim për imazhin e sendeve dhe të fenomeneve.

Tjetri që po merrte post të madh ngriti supet në shenjë habie.

- E shoh që nuk po më kupton, - tha udhëheqësi. - Por do të bëjmë një marrëveshje xhentëlmenësh dhe do ta kesh më të lehtë. Unë do të të quaj me përkëdheli Sançoja im, ndërsa ti mund ta marrësh me mend se unë jam Don Kishoti yt.

Pastaj ndodhi më e çuditshmja: qeshën, ose bënë sikur qeshën të dy. Por u mahnitën që të qeshurat e tyre u përputhën në kohë.

- Ti vetëm do ta përfytyrosh se unë jam Don Kishoti, as nuk mund ta ëndërrosh se mund ta përmendësh ndonjëhere këtë nofkë. Dhe, mbi të gjitha, afërmendsh, kurrë nuk do ta shqiptosh, aq më tepër në publik.

- Po, po është çështje imazhi, e besoj, e besoj, - tha ai që po merrte post të madh.

- Aaaa bravo, e kalove testin e parë për imazhin. Ti do ecësh përpara, vetëm përpara Sançoja im. Me ty unë do të fluturoj i sigurtë në Europë...

Të nesërmen mbrëma, Sançoja u gjend në një koncert me këngëtarë të muzikës klasike. As vetë nuk e mori vesh se si u gjend aty. Ishte ndoshta e para herë që hynte në atë sallë koncertesh. Gati gati po shashtisej. Por e ndjente se po fillonte kurën e imazhit të njeriut të madh. Të tjerët po kujdeseshin se ku duhej të gjendej, në cilën radhë apo karrike duhej të ulej. E ku më mirë se në një koncert me zonja dhe zotërinj të zgjedhur mund ta fillonte atë kurë?

Në të vërtetë, atë natë do të këndoheshin këngë popullore, por që ishin arranzhuar për orkestrën e harqeve dhe për këngëtarë të muzikës klasike.

Kur i erdhi radha këngës “Luleborë”, paraqitësja e programit e ftoi sopranon e famshme në skenë. Por, ndryshe nga herët e tjera, ajo shtoi diçka që, me gjasë, e improvizoi aty për aty.

- Tani ju do të ndiqni këngën “Luleborë”, që është për ne shqiptarët siç është kënga “O sole mio” për italianët.

Në sallë shpërthyen për minuta të tëra duartrokitje të fuqishme.

Sançoja, që ishte bash në mesin e sallës, duartrokiti si gjithë të tjerët, por nuk ishte fort i sigurtë se për çfarë po duartrokiste: per famën e sopranos, apo per famën e këngës, që dikush e krahasoi me “O sole mio”-n italiane.

Ishte pikërisht ai çasti kur, siç e kishte këshilluar Don Kishoti, e ndjeu se kishte nevojë për këshilltarë, madje edhe për këshilltarë të muzikës.

Të nesërmen Sançoja vajti në zyrë dhe, pasi anulloi gjithë agjendën e ditës, puna e parë që bëri ishte kërkesa e ekspertizës për këngët “O Sole mio” dhe “Luleborë”.

I thirri me ngut ekspertët.

Për “O Sole mio”-n thirri Karlon, një italian të martuar me një shqiptare. Karloja, në tridhjetë vjet e kishte mësuar shqipen shatra patra. Ai i ngatërronte kohët e foljeve si mollët me portokallet. Karlon e njihnin në qytet për fjalinë “Unë i flet, ai s’më flas, më plasi bitha për ai...”

Karloja, gjithsesi i solli Sanços në zyrë gjithë historikun e këngës “O sole mio”. Ai tha se kënga fillimisht besohej se ishte kompozuar prej Alfredo di Capua më 1898, por shtatëdhjetëepesë vjet me vone, më 1972, e bija e Alfredo Mazuki, pretendoi se atë këngë e kishte krijuar i ati. Prandaj ajo madje e hodhi çështjen ne gjyq. Një gjykatës i Torinos i dha të drejtën e autorit babait te saj, pas vdekjes në vitin 2002.

Kaq tha Karloja.

Sançoja e dëgjoi ekspertizën e Karlos, por ajo nuk po i hynte aspak në punë për krahasimin me “Luleborë”. Prandaj ai si i xhindosur iu vërsul Karlos:

- O tutkun, ma bëre kokën dhallë, unë nuk të kam thirrur ty të më bësh histori të muzikës italiane. Unë thjesht dua të di pse italiania “O Sole mio” ngjason me shqiptaren “Luleborë”, siç po thuhet. Se, po të mos e di unë këtë ngjashmëri prishet imazhi im, por edhe imazhi tim zoti. Dhe kur vjen puna tek imazhi, imzot nuk fal, ta vë kokën në gijotinë...

Karloja nuk pati gjë tjeter për të thënë. Ai nuk qe i zoti t'i jepte përgjigje pyetjes së Sanços.

Pasi iku Karloja, në zyrën e Sanços hyri Renci. Ky do t’i jepte ekspertizën për këngën “Luleborë”.

Renci tha se për pesëdhjetë vjet, kurrkush nuk e kishte ditur kush e kishte kompozuar atë këngë. Vetëm pas vdekjes së tij, kur kompozitori i ndjerë mund te kishte mbushur 100 vjeç, (po të ishte gjallë) më në fund, u mësua se kush e kishte kompozuar këngën.

Renci, megjithëse nuk e dinte autorin e tekstit të këngës, e recitoi atë fjalë për fjalë. Tha po ashtu se kush e kishte kënduar për herë te parë dhe kush e këndoi për herë të fundit.

Por, u pa se edhe Renci nuk mundi t’ia bënte një shpjegim të plotë dhe ta bindte Sançon se pse kënga “Luleborë” ngjante me “O sole mio”-n italiane. Sepse as Renci nuk bëri kurrfarë krahasimi midis dy këngëve. Ta bënte Sançoja? Llahtarisht e pamundur. Ai, e shumta që dinte per muzikën, ishte teksti dhe muzika e këngës “Ç'u çu Rrushja n'at sabah”...

- Në djall vafsh edhe ti, - tha Sançoja - as ti, njësoj si Karloja nuk e ditke pse “Luleborë” ngjan me “O sole mio”...

Iku edhe Renci me bisht në shalë nga zyra e Sanços.

Sançon e pushtoi një trishtim i paparë. Dukej qartë se këshilltaret i kishte zgjedhur të dobët. Krejt ndryshe nga çfarë e kishte këshilluar Don Kishoti.

Ashtu siç ishte, i drobitur nga pamundësia për të gjetur një përngjasim midis një kënge të famshme italiane dhe një tjetre shqiptare, ndoshta po aq te famshme, siç po thuhej së voni, ai i telefonoi Don Kishotit të tij.

- Alo, Sançoja jam. Të lutem imzot, a nuk më thua se çfarë ngjajshmërie ka ajo kënga italiane “O sole mio” me këtë këngën tonë “Luleborë”? Këta këshilltarët e mi nuk po më thonë asgjë. Më ngjan se ti ke një rremb italian nga ana e gjyshes dhe mund ta shkoqisësh më mirë...

- Ah,more Sanço i gjorë, çdo krahasim çalon, atë nuk e di as unë, për fat të keq, veç në ngritsha gjyshen nga varri, ajo mund të thoshte diçka...

- E po atëhere, ta dish imzot, edhe ty të vajti dëm gjithë ai mund, qëkurse më more për Sanço mua. Unë kaq takat kisha, kaq mund të bëja për imazhin tim...

- Po kush po çan “bithën për ai”, siç thotë Karloja. Unë kam hallin e imazhit të bythës sime, Sançoja im i dashur...

© Sami Milloshi