Gjysh, leku u bë flori - Tregim nga Zeqir Cama
U nisa për një nder por vura qeder siç erdhën e u koklavitën gjërat më pas. Nuk isha më emigranti i turnit të natës te fabrika e bukës në Toronto, që ironizoja vetveten me punën time rutinë: “ç'bën moj Rukë?” - ja, bëj bukë...”, as rezidenti me qira te pallati 30-katsh i hebreut milioner. Punova natë e ditë për të kapur një tjetër nivel jetese nga ç’kisha në vendin tim, por nuk ndrita gjë, fati më qe shkruar gjetkë. U shndërrova papritmas në një nga me të kamurit e këtij qyteti dhe ku? Në mes të Torontos! “Paskam lindur me këmishë, i thashë vetes. Paçka se kur emigrova s’më tha kush, paç fat, por të gjithë si të ishin në një mendje bënë profetin: I the fukarallëkut tutje...” Ngaqë m’u dha shansi të emigroja në Kanada.
Vërtet ndodhi keshtu, por jo ngaqë erdha këtu. Fatin s’ta jep dhe s’ta heq kush, s’është si urat e zjarrit, që sa herë i shtyn i japin frymë oxhakut. Fati të merr osh e bran, por të bën dhe “mbret”, siç më bëri mua, veç pa më dhënë mbretëri.
Por në vënd që të gëzoja, u trondita, gati sa s’luajta mendsh, përjetova një dyzim të çuditshëm, isha apo s’isha unë ai qiraxhiu i apartamentit 278 te godina 30 katshe. Gati s’pësova infarkt, vura trinitrinën nën gjuhë për të ulur emocionet. S’arrita ta shijoja kënaqësinë e atij kulmi lumturor. E mira, kur të vjen hapasëz, njësoj si e keqja, të mbaka frymën. Qënkesh thënë të fiksohej fati tim brënda nje bilete llotarie pesë dollarëshe, pikerisht tek njëzetë e një numrat e saj, që qëndronin në radhë gatitu, me ftohtësi shpërfillëse si piramidat kufitare. Si shkelës kufiri pa përvojë, kapërceja me gjak të ngrirë nga numri në numër, si në brezin e vijës kufitare. Nuk u besoja syve, ndonje gabim teknologjik që mund ta sajonin me lehtësi, mund t’ma përmbysnin kupën e gëzimit.
E verifikova tre herë biletën që mbaja në dorë, se luante as topi, isha mijëpërqind fituesi i lotto-s, “6/49”, me një shumë fantastike prej 25 milionë dolllarësh. Qielli i florinjtë u ul i tëri para meje dhe notova me të dy duart mbi stivën e parave. Kisha hyrë në radhën e të kamurve, pa ditur i sati isha, sepse ende s’e ndjeja veten as në qiell, as në tokë. S’kisha kë të pyesja. Një miku im ketu që mbahet biçim pasaniku se ka prona të mëdha trashëgimi por ka punuar dhe vetë si kau për drithë, kur dëgjoi, nuk u besoi veshëve. “Megjithatë, mua më sheh targën” - i kishte vënë pikë bisedës. Por kot kishte ngrënë inat, sepse s’qe zotësia ime.
S’dija ç’të bëja, të gëzoja a të çmëndesha. E kalova edhe njëherë biletën e llotarisë mbi ekranin e skanerit dhe prap lëshoi të njëjtin tingëllimë si herën e parë. Gjeta rastin e volitshëm dhe iu afrova si gjynahqar shitëses së llotarisë qe ta verifikonte dhe ajo. Thirrma e saj ngazëllyese më shpoi kraharorin. “You are winer, you are winer”. S’mbahej së palluri me sa zë që kishte ndërsa sytë i shkëndijonin, si të ishte ajo dhe jo unë fitues i llotarisë. S’ma lëshonte pëllëmbën që shtërngoja biletën, sikur shtërngonte shukën e pareve. E njihte rregullin e kësaj lotto-je më mirë se unë mbasi një përqindje e kësaj vlere, i shkonte asaj si shitëse. Pavarësisht nga kjo, unë do ta bëja kavalierllëkun tim me një bakshish të majmë. Isha gati t’i jepja dhe gjysmën e vlerës vetëm të isha i sigurt që isha une fituesi. M’u qep gjuha si në djalëri para vajzës që dashuroja. Nuk kisha asnjë ide ç’mund të bëja me gjithë këtë “big money” siç i thonë këtu. Prandaj e vulosa marramendjen time me “dill” duke ruajtur së jashtmi nje buzëqeshje të ngrirë si shenjë hareje në fytyrë, ndërsa brenda dridhesha.
Nxorra makinën nga parkingu dhe u nisa për në shtëpi. S’kisha menduar asgjë si do t’ua thoshja familjarëve. Ia tregova vetëm gruas, por ia nënfishova vlerën disa herë. Ajo nuk e dinte fare që bleja bileta lotto-je, sepse në të vërtetë s’jam marrë kurrë. Por njëra nga gocat, nuk i është ndarë prej vitesh, edhe nga dy në javë, bashkë me të shoqin. U ndodha tek ata dhe thashë ta provoja. Sa hodha pesë dollarëshin e parë, pastaj, ëhë, s’dola dot. Më bëri për vete. Tre muaj rresht, siç i bleja, i hidhja në kosh. -Mos ua pafsha synë - u thashë në një çast zemërimi dhe u tërhoqa dy javë. Të tretën s’mu durua. Ia nisa prapë nga e para, siç bëj me duhanin. Lër e nis. Më mësoi ëngjëlli.
S'kisha ide si do të veproja me këtë rast por punët qenë të puthitura, s’bëhej dot asnjë pengëz. U hoq mënjanë taksimi i shtetit dhe gjithçka mbeti e imja. Kishte për të ngrënë e për të lënë. Hera e parë që u vura në provë për ndarje lekësh. E pata më të lehtë sesa të ndaja një kec të pjekur. Sepse për kecin, duhet bërë ndarje anatomike. Ndërsa këtu s’pinte ujë anatomia, mjaftoi një aritmetikë e thjeshtë.
E para herë që s’ia hëngra hakun vetes. Tringëllima e florinjtë më erdhi përsëri te veshi me xixërimë. Në të vërtetë s’qe tringellimë, por avazi i një kënge për pleqërinë që një shoku im i këtushem nga Zekatët e Gjirokastrës, e mban refren sa herë takohemi: “O shokë ç'na qënka jeta/ djalë e vajzë është kuleta.”
Nuk e kam pyetur nëse ia dedikon dikujt apo e ka të dëgjuar, por sido që të jetë, s’ka si thuhet më shqeto. Me vargjet e kesaj kënge në buzë nisa ndarjen e togut të pareve. Dy pjesët e vajzave, i lashë të barabarta. Times, i vura “një thelë mbi bisht”. E pashë që mbetën të pakënaqur, megjithatë bëra timen, e shkela regjimin e dikurshëm, sepse deri atëherë e kisha zbatuar në mënyrë shëmbullore sakrificën prindërore. Nuk kane thene kot: “Që kur polla/ m’u tha zorra...” Qe favori parë dhe i vetëm që i bëja vetes dhe time shoqeje në jetë. Harrova të them se sapo u shpalla fitues doja s’doja i bëra pjesë të kësaj fitoreje edhe disa OJQ, që ishin gati të bënin ndërmjetësin për bamirësi. Me këtë rast, hoqa mënjanë edhe disa bishtra për të afërmit e mi, që mos të dilnin pa lyer gishtin.
Të parin shleva një borxh të vjetër që ma kishte treguar babai rastësisht. Në të vërtetë s’qe borxh, ca më pak detyrim për mua, por dhe ta paguaja s’ma vriste xhepin. Kur ndërtoi shtëpinë e djegur nga lufta e dytë, gjyshi, i paskishte huajtur dhjetë barrë gëlqereje Toto Kripës. Ashtu peshohej gelqerja në ato kohe, me barrë mushke. Totua punonte në kaminë dhe bënte gëlqere për gjithë zonën. Sipas vlerës së atëhershme, të dhjetë barrët, kushtonin rreth dy napolona flori. Gjyshi i kishte dalë borxhit, i kishte afruar monedhën e kohës por Totua, që ishte djalë teze me të, i donte flori, shpresonte kthimin e asaj monedhe. Paranë e kohës, s’e njihte fare, s’merrej me pazare, me to jepte e merrte e shoqja. U gëzohej ca pak verdhushkave fshehur diku afër kaminës. Qe një sebep më shumë për ta mbajtur lidhur pas vëndit të punës. Një herë në javë çapte drejt shtëpisë që të lahej e të binte me gruan. Qe punëtor i madh, “i natës me hënë” e quanin në fshat, por teveqel, i bënte hije e shoqja ta fuste në radhën e moshatarëve të vet. Kishte tre djem e dy vajza, që iu bënë të mirë e punëtorë. Edhe në kohë krize, dera e Totos nuk mbetej pa bukë. Ama s’njihte ditë pushimi, nuk dinte nëse qe e hënë apo e diel, për të qenë ditë pune, orën e drekës e gjente nga hija e shkopit. Sa hynte prilli deri në vjeshtën e parë, shiste sasinë më të madhe të gëlqeres. Qe punë e vështirë, por ai qe i fortë si trungjet dhe gurët e bokërimave që mbanin kaminin nën lavë.
Nuk mbante mend ç’vit kishte hyrë qeveria komuniste dhe kur u kooperativizua komuna, pyeste gruan kur kujtohej për to: “O grua, sa vate kjo e lanetisur qeveri?” “Lipsu, i lipsur - i hakërrohej ajo. Më zuri goja lesh, dhe s’ta mbusha dot rrabën....” Për ca kohë vuvosej po prapë harronte dhe bënte të tijën. “O grua, sa vjet vate kjo qeveri”. Deri sa hëngri burgun nga tjetër gjë.
Ndryshe nga bashkëfshatarët që rronin me blegtori, Totua kishte dhe njëzetë bletë të mbara, që i mbante në një kodër plot diell, me sherebel e trëndelinë, larg kaminës. Brënda ligjeve të kohës, qeveria e taksonte sa herë vilte mjaltin. Sa më shumë prodhim aq më i madh taksimi. I kishte ardhur në majë të hundës nga detyrimet që i merrte qeveria, ndaj në të gjallë s’ia kurseu romuzet. Më tepër i thoshte nga padituria e ligjeve, sesa si kundërshtar i qeverisë. Për një fjalë goje u bë dënimi i tij tek kolibia e kaminës.
-Për ku kështu me këto matara mjalti - e pyeti dikush në rrugë, kur po shpinte detyrimet e shtetit në grumbullim. Dhe ai pa u merakosur aspak se ku qëllonte fjala, goditi si kunjaxhi.
- E do Komandanti për melhem, se i janë tharë buzët...
Pas një jave i hodhën hekurat. Vdiq në burg pa e parë më kohën e lekut-flori dhe pa thënë gjysmë fjale për këtë borxh. E hodhi pas krahëve sepse e dinte që tim gjyshi, po t’i binin në dorë florinj, të parin do shlyente Toton. Vendosa t’ua ktheja disa fish djemve të tij, paçka se dhe ata s’dinin gjë. Dy napolona flori (qe ishte borxhi), me kursin e bankës, mund t’i bleja me tetëqind dollarë. Bleva njëzet herë më tepër. U nxorra pjesë dhe dy vajzave të Totos si të isha gjykatë. U lumturuan deri në kupë të qiellit, më bënë vëllazërisht dhe një darkë madhështore. Sipas tyre, më shumë se paraja që ua ktheja, vlerësonin xhestin tim që edhe pas 60 e ca vjetësh nuk e kisha harruar bujarinë dhe mirësinë e Totos. “Na e ringjalle, më thanë, siç qe, me të gjitha mirësitë”. Dollitë me gotat buzë me buzë, zunë njera-tjetrën, ashtu dhe bejtet hidh e prit, pa i lene radhë shoshoqit. Figura e Totos u bë strumbullari i gjithë bisedës. I ngrisur, siç kishte qënë në jetë me vetullat e kërleshura dhe me qylafin e bardhe që i mbulonte ballin, na vrojtonte i heshtur mbi oxhak, si në buzë të kaminës, me kostumin e zi të shajaktë e me xhamadanin e bardhë, qëndisur me fantazi vajzërish për peshqesh nusërie. Qe pikërisht nusia e madhe ajo që ia kishte sjellë Totos në pajë dhe ishte po ajo që mes mjegullnajës së avujve të rakisë, e nxorri nga harresa e gjatë dhe e uli mes nesh, jo fizikisht se s’kishte ku ta gjente, por me një këngë urimi që nxiti edhe dolli e këngë të tjera më pas.
Kamina polli flori.../ o Toto, oi, oi/ nur, o nur, plot mbarësi...
Ditët më pas s’rreshtën gostitë dhe tryezat plot e përplot edhe tek të afërmit e mi, me radhë, por aty, objekti i urimeve isha unë, s’kishin punë më me Toton. Jemi bark i madh dhe e gjithë java më shkoi “full up” sa plasa nga haja. I kisha bërë me krahë të gjithë, saqë s’dinin ku t’më ulnin e ku t’më vinin. Kush e kush të dukej më pritës dhe të më ngjitej. U bë ky sebep edhe i ftohjes me ta. Hëngrën inat me shoshoq dhe u bënë xhelozë: “pse mua më dha kaq...pse atij aq...” Bëra të pamundurën, por s’i kënaqa dot. “Shkuli një qime nga bytha”, - i thanë shoshoqit. Bëra sikur s’mora vesh, por brënda zieva nga inati. Por kjo s’qe asgjë para asaj që më plasi me djemtë e Totos. Duke bërë llogaritë e parave të mia, ato që u kisha dhënë qenë një vërrë në ujë. Kishin angazhuar një financier të zot për të llogaritur dhe kamatat e viteve që kishin kaluar. Më kercënuan se do t’më hidhnin në gjyq, edhe pse ishin të bindur se gjyqin me milionat e dollarëve që kisha e fitoja nga larg. Kur s’panë gjëkundi dritë jeshile, shkrehën fishekun e fundit, më mallkuan e nëmën duke iu lutur Zotit.
- Mos i hëngërsh, - tha i pari.
-Iu bëfshin ilaçe pa gjetur derman, - tha tjetri.
-Do të të varim nga herdhet, - shkrofëtiu i treti dhe harkoi gishtin e vogël si grep çengeli, duke treguar një pemë të lartë gorrice, që kishte para shtëpisë.
S’kuptoja ç’po ndodhte. U bëra tym e flakë. M’u shtjellën lloj-lloj mendimesh dhe s’u përmbajta. Iu lëshova si skifter të parit, atij që donte t’më varte te gorrica. Gjaku i shpërtheu si currila nga veshët. Zura kokën me duar dhe brita: “bobo ç’bera... u futa në gjak, burgu ishte lule… Dhe kjo më duhej, sot e mbrapa do t’më shohin si vrasës”, belbëzova dhe luajta vëndit.
Kapsallita sytë e rrudhur nga paniku sa mezi m’u hapën. Krahu i djathtë (zakonisht mbi të bie në gjumë) qe mpirë i tëri, e kisha zënë shtrembër. Bekova Zotin, që isha në ëndërr. S’e prura më në mëndje atë që kisha parë, s’kisha fuqi ta rikujtoja. Askujt s’ia tregova. Sepse sipas ca zhbiriluesve të ëndrrave, po të shohësh gjak në gjumë, ëndrra prishet, pra, fati qëlloi prapë me mua, sepse ëndrra shuhej nga faqia e dheut. Pak nga pak po e mblidhja veten. S’isha fitues i ndonjë lotto-je, por ama, nuk u bëra as vrasës i djalit të Totos që donte të më varte te gorrica.
© Zeqir Cama



