Luledielli të urryera - Nga Artan Gjyzel Hasani
Ndoqa dje këtu në Toronto premierën e filmit dokumentar “FLUTURAT” (BUTTERFLIES) të regjisorit Bujar Alimani. Një vepër vërtet mbresëlënëse, shfaqja e së cilës u mundësua me sukses nga RH Scholarship dhe ACDA.
Dhjetra dëshmi rrënqethese nga 21 gra që vuajtën në Kampin e internimit në Gradishtë të Lushnjës. Nuse të reja që u plakën në internim, femijë që lindën dhe u rritën në internim, të moshuar që vdiqën në internim… Një jetë e tërë në internim…
Një film që duhet të shfaqet në çdo ekran shqiptar, në çdo shkollë dhe klasë të Shqipërisë, në mënyrë që E Keqja e Madhe, Kolera e Kuqe e diktaturës të mos harrohet, por të kujtohet që të mos perseritet…
“Fal, por nuk harroj” është deviza fisnike e Biblës antikomuniste që shenjtërohet edhe më shumë nga rrëfimet e 21 Fluturave të dokumentarit, apo edhe nga ish të persekutuar nga diktatura që ndodheshin në sallë si spektatorë.
“I urrej lulet e diellit”, thotë njëra nga protagonistet.
“I urrej, sepse nuk mund të harroj parcelat e mbushura me luledielli të Gradishtës dhe ne, vajza e gra të internuara që duhet t’i kepusnim shpejt me duar, pasi autokombajna qëllimisht ecte ngjitur pas nesh që të nxitonim hapat dhe duart, që të mos shtypeshim nga rrotat e saj gjigande… Dhe ato nuk keputeshin kollaj e duart na bëheshin gjak…”
Luledielli e kthyer në makth…
Sa e madhe vallë është vuajtja që të detyron të urresh një lule? As “Ferri” i Dantes nuk i jep përgjigje.
Tashmë do ta shoh ndryshe edhe serinë e vizatimeve të famshme të Van Gogut “Luledielli”.
Dhe të mendosh që edhe ato gra të internuara ishin vetë luledielli të keputura nga diktatura, luledielli që kthenin fytyrën nga dielli i shpresës, që për ato lindi gjysëm shekulli më vonë.
Një nga metaforat më të dhimbshme të jetës së 21 Fluturave të Gradishtës, një metafore e krijuar jo poetikisht, por në mënyrën më tragjike të mundshme me kamzhik, plumb, djersë dhe gjak…
©Artan Gjyzel Hasani











