Arratisja që s’asht veç ikje - Nga Drita Ademi

Po filloj me ndjenjën se kam lexu nji roman me vlera t’nalta, që mbetet gjatë n’shpirt. Që në faqet e para shfaqen pejsazhe t’gjalla të Anadellit e të Myzeqesë, tue kriju atmosferë që të mban pezull e të fut mbrenda botës së personazheve.
Fjalori i pasun dhe imazhet poetike e thellojnë rrëfimin, e të bajn me e ndjekë çdo rresht me kureshtje.
Konflikti kryesor asht ai midis individit që kërkon lirinë - jo veç fizike, por edhe shpirtnore - dhe shoqnisë që shpesh mundohet me e ngulfatë. Ermiri, personazhi qendror, më duket si një hije që gjithmonë kërkon dritën: arratisjet e tij nuk janë veç largime, por përpjekje me e çliru shpirtin prej frikës, padrejtësive e kufijve të vendosun. Përkrah tij dalin figura që të mbesin n’kujtesë: Sidrita, Lalë Rrapi, Mentor Shelgu… secili me dramën dhe zanin e vet.
Romani të befason me gjuhën. Herë e thjeshtë dhe e drejtë, herë poetike e plot simbole, ajo e ban çdo skenë me u ndje e gjallë. Sulko ndërthur realitetin me magjiken, kujtimet me andrrat, tue e kthye arratisjen në metaforë universale që secili prej nesh e kupton ndryshe.
Ky libër nuk lexohet veç me sy, por edhe me zemër. Ka momente ku të trondit, ka të tjera ku të përkund si kangë e vjetër, e ka edhe vende ku ritmi të len me frymëmarrë thellë. Ndoshta për lexuesin që kërkon linjë ma të drejtë, kapërcimet kohore e elementët surrealë duken sfidues, por pikërisht aty fshihet bukuria e tij: arratisja nuk asht rrugë e sheshtë, por plot kthesa.
“I Arratisuri” asht prej atyne romaneve që don me iu kthye prap, jo veç për me rilexu historinë, por për me e përjetu emocionin edhe nji herë tjetër.
Ashtu si dikur “Lumi i Vdekur” i Xoxës, edhe ky libër i Sulkos ka me më mbetë gjatë në kujtesë.
Kur lexon këtë libër po ashtu të vjen në mendje: Të lindurit nuk ndodh veç nji herë. Lindja asht nji përjetim që përsëritet, që na ndjek, që na ringjall. Çdo herë që zgjohemi prej nji nate të randë, çdo herë që shohim dritë aty ku nuk kishte, çdo herë që falim ose pranojmë me u falë - lindim rishtas. Njeriu që kupton se lindja nuk asht ngjarje e shkueme, por proces i pafund, nuk ka frikë nga fundi. Ai e din se fundi asht gjithmonë prag i nji fillimi të ri…
Ky mendim më erdhi tue meditue rreth këtij romani dhe mesazhit të tij të fuqishëm.
Faleminderit Taip Sulko!
© Drita Ademi - Zvicër