Letërsi

Në qytetin e mjegullës - Nga Ndue Ukaj

Në qytetin e mjegullës çdo gjë është ndryshe.

Mendimet janë ngujuar si mashtrimi ynë nëpër statuja.

Aty lulet bëjnë jetë mes therrash,

E brenda tyre vallëzojnë lirshëm veç insektet.

Zoti im,

Qyteti i mjegullës rrugët i ka të ngushta

Edhe mendimet i ka të ngushta

E kënga Aleluja s’dëgjohet askund.

Aty plehrat s’kanë vend,

Nëpër këmbët e lodhura janë pështjellë

Veç fjala përpiqet ta mbrojë dinjitetin e shkërdhyer. 

Merimangat kanë lëshuar shtat

E mbeturinat e mendjes janë bërë cunga nate,

cunga kohe.

Cunga që thyejnë dhëmbët e prishur nga ecja e paqëllim

Cunga që thyejnë gjunjët e rënduar nga mëkatet e rënda. 

Në qytetin e mjegullës dritat e kinemave janë shuar

E ekspozitat bëhen nën trysninë e qirinjve që luftojnë me errësirën.

Poezia lexohet skajeve të pikëllimit

Ku vetëm qentë e zgjebosur shëtisin të qetë

Aty ku era e politikës ka qelbur çdo gjë

Cicërimën e zogjve e puthjet e dashnorëve.

Në qytetin e mjegullës, plehrat kanë mbuluar lulet

E në mes është pellgu i padijes

Ku liria dhe lufta s’kanë kufij

Ku poezia dhe jopoezia s’ kanë kufij 

Aty shtegtojnë mendimet si nëpër xhepa me bërllok.

Aty ku grabiten dhimbjet e shumta

Dhe sillen nëpër qiell e bëhen ushqim për barkun e uritur të politikës.

Në qytetin e mjegullës prej kohësh numërohet mbrapsht

Prej kohësh numërohet shtrembët.

Prej kohësh ndjehet mungesa e “Qytetit të Zotit”.

 

2012