Letërsi

Albanologia kineze Ke Jing për retushimin e Kadaresë - Nga Behar Gjoka

Behar Gjoka

Një takim i “mbyllur” për ata që mendojnë ndryshe nga akademikët e ngjyrave sovjetike, siç i ka përcaktuar Rama, kryeministri ynë piktor. Të mbledhur gjuhëtarë dhe albanologë të universit sociologjik dhe nxënës dhe studentë, nga sa pamë në TV dhe dëgjuam nga lajmet. Albanologia, Ke Jing, në këndvështrimin e vet, mbi krijimtarinë e autorit, solli dy argumente që duhen parë me vëmendje:

A - Koncepti i Tjetrit në veprën e Kadaresë, madje i parë në katër forma, perëndimor, lindor, rajonal dhe brenda qenies shqiptare.

B - Retushimi i disa veprave, të shkrimtarit, ku u ndal paksa më gjatë në veprën Kështjella, një romani që niset nga e sotmja për në kohën e qëndresës arbnore në shekullin e XV.

Përballë këtyre dy koncepteve, këtij vështrimi jo pak të thelluar dhe mbi të gjitha të pasurimit të interpretimit të veprës së shkrimtarit, sidomos të analizës mbi tiparet dhe rolin e Tjetrit në veprën e autorit, shfaqet memecëria e akademikëve të lodhur, që ende nuk e ka të përfshirë në agjendë këtë qasje nga më interesantet, e vështrimit të letërsisë në këtë periudhë, sidomos e analizës së romaneve të Kadaresë, mbi këto aspekte. Me konceptin e saj mbi retushimin, veçmas të tjerash, Shaban Sinani, hodhi disa mendime shumë të diskutueshme:

E para, sikur albanologia kineze, kur përmendi retushimin, la të kuptohet sikur kemi të bëjmë me invariantin dhe versionin letrar, gjithnjë simbas Sinanit. Retushim, me gjasë çngjyrosja, është ndryshim i gjendjes së parë, deri në përmbysje, në përmbajtje dhe formë. Versioni letrar, simbas teorive letrare, ka të bëjë me rregullime në formë, në shprehësi.

E dyta, përmendja prej Shaban Sinanit, mbi gjoja ngjashmërinë e aktit të Kadaresë, në ndërhyrjet e kryera, me atë të De Radës, Fishtës, ku do të theksoja se versionet letrare, të De Radës, janë analizuar në detaje dhe janë bërë në liri të plotë, pa patur shtysa jashtëletrare. Po ashtu edhe Fishta, me Lahutën dhe vepra të tjera, ka bërë përmirësime të theksuar në formën artistike.

E treta, Kadare shumicën e ndryshimeve i ka bërë pas viteve '90, duke shënuar ndryshime në formë dhe në përmbajtje, dhe puna e përpunimeve, në lidhje me pratikën shkrimore të Kadaresë, është një proces i hapur, që ka gjasa të ketë shkuar deri në retushim, fshirje dhe shtesë e kësaj kohe, gjë që nuk mundet të përqaset me procesin e mbyllur të veprës së De Radës dhe të Fishtës.

Për të krijuar një ide se deri ku ka shkuar niveli i ndërhyrjes së Kadaresë në tekstet e tij, një e drejtë e tij, por pa humbur kontekstin shkrimor, se duken si tekste të ndryshme të shkruara në dy kohë, po marrim rastin e Pallatit të ëndrrave, një nga tekstet më të realizuar, ndryshimi ka shkuar deri te emrat, ku personazhi qëndror, në tekstet e para, emërtohej, Ebu-Qerim, ndërsa në ripunimet e fundit, vjen me emrin Mark Alemi. Pra, me veprat e Kadaresë ku janë ndryshuar, pothuajse të gjitha tekstet, mbetet i hapur diskutimi, për format dhe nivelin e përpunimit, ku nuk përjashtohet edhe ndërrimi thelbësor, ose retushimi... Të ngatërrosh versionin letrar me retushimin, është si të ngatërrosh kekun me byrekun ose macjen me tigrin...

Nëse akademizmi, i mbytur në humbellat dogmatike dhe sociologjike, të Realizmit Socialist, mendon se ndikimi i tyre kapërcen “Republikën e Letrave Shqipe”, që mendon se letërsia shqipe ka vetëm një kolos, të huajt dhe albanologët e shohin ndryshe, sepse janë mendjehapur, nuk janë pjesë e mbylljes në botëkuptimin që ka në qendër famën, autorin, biografinë dhe jo tekstin... Teksti është ngrehina ku akademizmi shqiptar, nuk ka hyrë ende...

©Behar Gjoka