Letërsi

Letër Stefan Cvajgut - Nga Agim Baçi

Agim Baçi

Nuk di nga t’ia nis kësaj letre! Shumë nga personazhet tuaj herë më duket sikur i njoh, e herë më duket sikur më shkasin nëpër gishta si rërë. Në gjithë këto vite leximesh, zëri juaj, fjalët tuaja, më vijnë si zjarr dhe akull njëkohësisht. I dëgjoj herë si fëshfërimë që është vetëm brenda meje e herë si kujë për të gjithë ata që njoh. Por shpesh, ai përshkrim gjer në detaje kalon nga një valë e lehtë në një det i thellë i ndjesive.

Më keni krijuar ndjesinë sikur keni gjetur teleskopin e duhur për ta parë shpirtin njerëzor teksa vërtitet në largësitë më të mëdha, në skuta nga ku nuk dëshiron të dalë. Dhe jam i bindur, jo vetëm mua ma keni krijuar këtë ndjesi, pasi sapo germëzohet emri juaj, fytyra e çdo bashkëbiseduesi duket sikur merr një tjetër pamje, duket sikur aty pikturohen qindra pyetje e përgjigje bashkë.

Ndaj, lejomëni, i dashur Stefan, t’ju pyes: cila ndjesi ju ka çuar më thellë Njeriut, që ju ka kthyer për shumë lexues etje dhe ujë njëkohësisht? Ju drejtohem edhe si një njeri që e kam pasion të shkruarit. E duke i nohur personazhet e tu, nuk arrij dot t’i ndaj se cili prej tyre do të merrte në dorë fatin e letrës e të më përgjigjej vetë, pa ndërhyrjen tuaj.

Unë besoj se të gjithë personazhet e juaja jetojnë ende nën mantelin tuaj shumëstofësh, duke plotësuar njëri-tjetrin, edhe pse të gjithë arrijnë të jetojnë edhe më vete, në botën e tyre. Ja, teksa të shkruaj, më del përpara syve vajza e vogël duke ndjekur me sy “të panjohurin” të bëhet pjesë e tij. Janë duart e djalit që dridhet teksa zonja e sheh në sallën e bixhozit, që më bëjnë të kontrolloj gishtërinjtë e mi sa herë ai çast më vjen i përshkruar me aq detaje nga ju. E më pas, më vjen natyrshëm një pyetje: cili nuk e mbajti frymën pas “amokut” që na keni sjellë aq ethshëm? Si keni mundur të na sillni atë det pështjellimesh e të na bëni pjesë të rrugëtimit tuaj drejt labirinteve më të fshehta të njeriut?

Ndonjëherë më duket sikur i keni dhënë shah çdo lexuesi, dhe, sipas meje, askush nuk e ka pasur të lehtë të mendojë të shkruajë një libër pasi ju ka lexuar ju, pasi ka menduar se përtej përshkrimeve tuaja është vështirë të shkosh. Manteli i përshkrimeve tuaja të mban ngrohtë brenda çdo fjale, të rrok brenda vetes, duke krijuar mijëra ngjyra të njeriut.

Si rrallëkush ju mundët ta sillnit me pikturë fjalësh taborin e keqkuptimeve që ndez padurimi i zemrës. Ndjesinë e fajit te njeriu ju e përshkruani si një vullkan që mund të ndalet, por jo të shuhet. Por, a mund të mbetemi ne peng i fajit e të mos kërkojmë një zgjidhje? A ka padurim të zemrës të cilit duhet t’i druhemi më shumë se gjithçka tjetër, apo çdo lloj padurimi është gjithnjë pjesë e pandashme e mbretërisë së gabimeve?

Lutem mik, disa fjalë prej penës suaj, do të më lumturonin, ndaj jepmëni mundësinë të kem prej jush disa rreshta për atë ç’ka më mundonte prej kohësh t’ju pyesja.

Me përunjësi dhe shpresën për një përgjigje nga Ju,

Agimi

***

I dashur Agim,

Dashuria dhe pasioni janë fuqitë që mund të tërheqin pas çdo peshë, të heqin nga rruga çdo pengesë dhe të shkrijnë akujt e së pamundshmes. Mes dashurisë dhe pasionit qëndrojnë drithërimat e epshit, të egoizmit, të dalldisë. A mundemi t’i frenojmë? E nëse po, a bëjmë mirë të rrojmë pa ato drithërima? Çfarë mund të na mbajë shumë gjatë me sytë diku, të ngulura me një vështrim të pandalshëm, nëse nga ajo fytyrë përballë apo nga ajo pamje, ne nuk kemi marrë pikëpyetje të brendshme?

Shpesh ne nuk shohim larg, Agim. Na trondit zbulimi ynë i brendshëm, pafuqia për të mposhtur lëvizjet që ndizen nga një shikim, nga një lëvizje dore, nga një lëvizje flokësh. Nuk ka rëndësi nëse e themi. Nuk ka rëndësi nëse e shkruajmë. Ka rëndësi vetëm çasti që ndezi shkëndijën. Më pas mundesh që përmes asaj shkëndije të vendosësh vetëm të ngrohesh apo të digjesh. Por nuk është kurrë kaq e lehtë të vendosësh, pasi logjika shpesh e ka të humbur betejën me pasionin. Besoj se je në një mendje me mua se Dashuria tërheq drejt faljes së madhe, drejt dorës që shtrihet pafundësisht, edhe atëherë kur nuk gjen arsye përse ndaj dikujt duhet të jemi ende të mirë.

Unë parapëlqej dritën e syve, Agim, atë që sheh larg, shumë larg, atje ku njeriu nuk mundet veçse të jetë pjesë e vetvetes, e mendimit të vet. Më pëlqen teksa shoh se dashuria arrin të rrokullisë të pamundurën e ta sjellë mrekullinë nga hiçasgjëja. Por ajo, e fshehta, - ajo që na vjen gjer në grykë e ne mbetemi të fshehur pas pëlhurës gënjeshtare të mospranimit – ajo është shkaktarja e syve që s’rrokim dot, e vështrimit plot dilema, ku arsyeja jonë nuk arrin të na ndihmojë dot.

Më lejo, i dashur Agim, të të them se, ajo çfarë më ka bërë të mendohem gjatë, është se, njeriu brenda tij është më shumë me hendeqe, sesa me ura. Por dashuria, ama, mundet që nga çasti në çast të krijojë edhe urën, por edhe hendekun. Për të ndërtuar disa ura duhet të ndezësh më parë dritën brenda vetes. Për të krijuar hendeqe mjafton ta fikësh atë dritë që të bën ta shquash tjetrin pranë teje.

Pikërisht këtë nuk bëjnë shumë nga njerëzit, që të shohin një herë nëse munden, të shihen në pasqyrë dhe të kenë një ide se cilët janë në të vërtetë. Pastaj të shohin përballë, se mos ndoshta shquajnë atë fytyrë për të cilin kanë nevojë për hapat e tyre, të shquajnë atë me të cilin mund të bashkëudhëtojnë dhe që të ndiejnë se janë të aftë të buzëqeshin. Nëse arrijnë ta shquajnë vetveten në atë pasqyrë pyetjesh për veten, do dinë edhe se kujt t’i besojnë.

Janë të fuqishme gjërat e thëna, Agim. Por edhe më të fuqishme shpeshherë bëhen të pathënat, ato që na lëvrijnë, që na mbajnë peng, pa mundur që t’i lidhim me fjalë lëvizjet tona. Dhe mbetemi ashtu, në një gjendje ndërmjet - as breg e as det. Por njeriu ka aq fuqi brenda vetes sa nuk e di se ç’mal mund të lëvizë vetëm përmes vështrimit, vetëm përmes lëvizjes së qerpikëve, përmes tundjes së dorës ndaj tjetrit. Është fuqi përrallore që vlen gjithnjë të kesh durimin ta lexosh.

Mos ngurro kurrë, Agim, t’i shtrish dorën dikujt. Nuk e ke idenë se ç’zjarr mund të kesh ndezur vetëm me një veprim të vetëm. Kjo fuqi që ka njeriu, për të qenë zjarr ose akull, më ka tërhequr në vëzhgimin tim, në përpjekjen për të përshkruar amokun që mban gjithësecili brenda vetes. Por, fatkeqësisht, shumë njerëz, zjarrin brenda tyre e çojnë dëm, duke mos ngrohur atë që duhet të jetë pranë nesh, por vetëm duke u marrë me djegien e asaj që nuk ka asnjë vlerë për jetët tona.

I dashur Agim, të falënderoj që më zgjove këtë fjalëkëmbim me një lexues që nuk i përket kohës sime. Kjo më bën të besoj se pyetjet e mia janë pyetje zemre dhe zemra ma do të besoj se kam mundur të përshkruaj atë shqetësim që të shtyu me këto pyetje drejt meje.

Yti, Stefan C.

© Agim Baçi

(shkëputur nga libri “Letër Dylqinjës”)