Letërsi

Dita e pandershmërisë sime - Tregim nga Dashnor Kokonozi

Ka kohë që nuk më ngushëllon aspak ideja se bota është mbushur me njerëz të pandershëm. Secili është i pandershëm për vete. Pandershmëria e të tjerëve nuk arrin të ma zbehë pandershmërinë time të asaj dite.

Nuk e di nëse të kam folur ndonjëherë për Kostikën. Është një djalë vërtet engjëllor dhe zemërhapur, edhe pse këto janë cilësi që nuk i këshillohen një shkrimtari. Por ai i tillë është. Këtë e tregoi edhe ditën që më dha të lexoj dorëshkrimin e romanit të tij të parë. Më tha se nuk do të ma merrte hiç për të keq nëse pas faqes së tretë do ta hidhja në kosh. Në atë kohë isha i zënë me një histori të letërsisë së vjetër shqipe dhe kur disa javë më pas më doli befasisht përpara, i thashë se romani i tij më kishte pëlqyer. E kam ende para syve se sa me gëzim u nda prej meje. E kishte përfunduar prej kohe atë libër, por kishte pritur mendimin tim para se t’ia paraqiste ndonjë botuesi.

Në atë kohë ai sapo ishte fejuar me Lorenën, të cilës i kishte kërkuar falje që nuk i kushtonte shumë kohë. Ditën që u takuam bashkë kishte vënë dorëshkrimin e tij nën sqetull dhe ishte nisur ta dorëzonte te “Sirius”, një shtëpi botuese që sapo kishte filluar të njihej. Kur u kthye, i tha se që nga ai çast ishte i gjithi i saji. Madje që atë natë e kishte ftuar në një restorant të njohur në periferi të Tiranës. Kishin kaluar një mbrëmje të mrekullueshme. Në kthim kishin bërë dashuri në një pyll, në qiell të hapur.

Pastaj mora vesh se botuesi po vononte t’i jepte përgjigje. Kjo e shqetësoi, por vendosi të presë deri në fund të pushimeve të atij viti. Kur iu duk se i kishte lënë kohë më se të mjaftueshme, shkoi dhe trokiti në derën e tij.

Biseda me të kishte qenë e pakta katastrofike.

Ai e kishte ftuar të ulej dhe duke kërkuar dorëshkrimin i kishte folur për vështirësitë që kishin, për letrën që ishte shtrenjtuar shumë, për lexuesin që ishte bërë gjithnjë e më i rrallë... Kostika kishte pritur në heshtje.

- Detyrohem t’ju them se libri juaj nuk arrin standardet e shtëpisë sonë botuese. - i kishte thënë së fundi duke ia lënë përpara, me një shprehje fytyre që mund ta merrje edhe për keqardhjeje.

- Cilat janë standardet tuaja? - kishte pyetur ai i habitur, me shpresë se do të mësonte ndonjë detaj më shumë.

- Mund t’ju flas për orë të tëra, por lexoni më mirë botimet tona.

Ditët që pasuan ishin vërtet të vështira për të. Ishte mbase e vetmja përgjigje që nuk i kishte shkuar kurrë në mendje. Rrinte dhe e shfletonte dorëshkrimin, pa arritur ta kuptonte se çfarë nuk i kishte pëlqyer botuesit. Gjeti edhe disa nga botimet e tij, por vërtet që nuk mbeti gojëhapur nga asnjeri prej tyre.

Marrëdhëniet me Lorenën u kthyen në gjendjen mëparshme. Ajo kalonte mbasditet para televizorit në shtëpinë e saj, në pritje të ndonjë telefoni nga ana e tij.

Dikush tjetër për të dalë nga ajo gjendje aspak e këndshme shpirtërore do vinte në dyshim opinionin e botuesit, por ai nuk e bënte këtë. Aq më pak mund të vinte në dyshim vlerësimin tim, si një studiues i vjetër e i njohur i letërsisë

Këtë e mësova sepse një mesnatë i kishte telefonuar Lorenës për t’i thënë se po qe se libri i tij do të ishte aq pa vlerë, kjo do të më kishte rënë së pari mua në sy. Lorena për herë të parë kishte mësuar praninë time në atë histori.

- Mbase është një mënyrë për të kërkuar para për botimin, - i kishte thënë pastaj. - Kam dëgjuar se tani gjithandej kërkojnë para për të botuar. Po të duash ti, unë kam disa kursime.

- Ah, jo kurrë! - ia kishte bërë ai. Pranoj të mos fitoj asnjë qindarkë nga libri im, por jo të paguaj për botimin e tij. Libri duhet të botojë veten.

- Kjo ka vlerë kur është fjala për ndonjë botues profesionist kishte këmbënguluar. - Kam dëgjuar se ai botuesi yt deri vonë ka qenë ekonomat në një repart ushtarak. Si të thuash njeh ekonominë, por nuk e di sa njeh letërsinë...

Kostika nuk dinte të mendonte keq për njeri. Atëherë nisi të mendonte keq për veten. U bë gjithnjë e më i heshtur. Me kohë iu largua buzëqeshja e tij fëmijnore, që Lorenës i pëlqente aq shumë. Çehrja i mori ngjyrë gri, sa të vinte keq ta shihje.

Në atë kohë ishin shfaqur edhe grindjet e tyre të para. Ajo i kërkonte ta linte mënjanë gjithçka dhe t’i ktheheshin jetës së tyre të mëparshme. Të paktën për disa kohë. E kishte njohur edhe me disa miq të saj, me të cilët dikur takoheshin shpesh. Ai nuk pranonte. Kur një mbrëmje ajo këmbënguli diçka më shumë, ai iu kthye i inatosur dhe i tha se nuk i pëlqente fare të humbiste kohën me miqtë e saj idiotë.

Kurrë nuk i kishte folur asisoj.

- I kam takuar për të bërë qejfin ty, i kishte thënë, por ata miqtë e tu më duket të gjithë idiotë të përkëdhelur nga fati.

Ajo i ndenji ftohtë një kohë të gjatë. Një javë më pas nuk kundërshtoi të dalë me të kur ai shkoi ta marrë në shtëpinë e saj. Por u pendua shpejt. Gjatë gjithë mbrëmjes ai nuk e çeli gojën fare.

Ishte tamam në këtë kohë që ajo bëri edhe një përpjekje tjetër. Më telefonoi mua dhe më tregoi se çfarë kishte ngjarë me botuesin e tij. Pastaj më bëri një propozim që nuk më habiti. Më tha se duke qenë se unë e njihja mirë botën e botimeve, ajo ishte gati të paguante për librin e tij, por pa i treguar gjë. Ngurrova shumë. Do të ishte e tmerrshme nëse ai e merrte vesh një ditë. Këtë frikë e kam edhe unë, më tha ajo, por më shumë ndjej frikë tek e shoh që po ndryshon çdo orë para syve të mi. Përfundimisht, këmbëngula të mos e hidhte atë hap. Nëse do të shihja ndonjë zgjidhje tjetër, do t’i telefonoja.

Në të vërtetë, nuk i telefonova asnjëherë.

Ajo që nuk dinim as unë e as Lorena, ishte se zgjidhjen e kishte gjetur ai vetë. Ishte tamam ajo që kishte menduar Lorena, por e gjitha kjo e vështruar nga ana e tij. Kostika kishte takuar pronarin e Shtëpisë botuese “Pelegrini” dhe me të kishte biseduar për pagesën paraprake, për të cilën kishte kundërshtuar më parë. Ishte i bindur se libri do të shitej menjëherë dhe ai do t’i kthente borxhet që do t’u merrte prindërve. Garanci për këtë ishte opinioni që i kisha dhënë unë.

Tirazhi që kishte kërkuar ishte aty te 2 mijë kopjet. Botuesi e kishte këshilluar që të fillonin me një tirazh mjaft më të vogël. Ai kishte këmbëngulur te e vetja. 

Nuk e di nëse kishte shpresuar se me të dalë libri do të thyheshin xhamat e librarive, por gjithsesi ishte i bindur se do të kishte sukses. Kjo nuk ndodhi. Ai nxitonte nga njëra librari te tjetra, pa u treguar shitëseve se ishte ai autori. Numëronte kopjet e stivuara në stendën e librave të rinj dhe nuk e kuptonte përse askush nuk u hidhte sytë. Pastaj nisi t’u tregonte cili ishte dhe u kërkonte që të bënin diçka më shumë për librin e tij. Me kohë nuk ngurroi t’i akuzonte se ato u rekomandonin blerësve vetëm autorët që njihnin. Kjo nuk i pengoi disa nga libraritë që t’i kërkonin botuesit të tërhiqte kopjet e romanit të tij. Ato vetëm se zinin vend nëpër raftet e tyre. Ndonjëra mbajti pak kopje vetëm sepse i vinte keq për të.

Pastaj ishte një telefonatë tjetër e Lorenës. Në fillim nuk kuptova asgjë. Nisi të qante sapo dëgjoi zërin tim. Kur u qetësua më shpjegoi se atij i ishte shfaqur një parasomni, që siç mora vesh ishte një lloj turbullimi i gjumit. Shpesh ndjente edhe një paralizë që i ndodhte sapo mbyllte sytë. Pastaj ajo i kthehej në një lloj terrori nokturn. Kjo sipas fjalëve të mjekëve, sepse ai kurrë nuk i tregonte kujt se çfarë po ndodhte me të.

Vetëm më vonë, kur kuptoi se të tjerët silleshin ndryshe nga më parë dhe përpiqeshin të mos i prishnin qejfin për asgjë, Kostika dyshoi se mjekët kishin marrë kontakt me rrethin e tij të afërt. Kështu kishte ndodhur që depresioni ku u kredh dalëngadalë, nuk u ra në sy shumë të tjerëve. E morën për një lloj gjendjeje melankolie, si një ulje e humorit. E shumta për deprimim, por jo depresion. Epo kështu na ndodh të gjithëve kur ka gjësendi që nuk shkon ashtu si duam vetë, thonin dhe u ktheheshin përditshmërisë që tyre. Me përjashtim të Lorenës. Ajo e shihte se si po shpërbëhej çdo ditë, por ndihej gjithnjë e më e pafuqishme të bënte gjësendi për të.

Ai nuk u përgjigjej më telefonatave të saj, madje në një rast nuk i kishte hapur as derën e apartamentit të tij. Asaj nuk i kishte mbetur tjetër veçse të priste jashtë, në oborrin e pallatit. Vonë fare u kthye duke qarë në shtëpinë e saj.

Pastaj, kishte mësuar, që ai dilte paraditeve, kur ajo ishte në punë.

Ilaçet e reja që i kishte dhënë një farmaciste e lagjes, nuk ishin aq të rënda e me efektet e haloperidolit të dikurshëm. Edhe pse ai nuk ecte me hap të ngadaltë dhe si me gjymtyrë të ndryshkura, përsëri ata që e njihnin, e kuptonin menjëherë se kishte diçka që nuk shkonte te ai.

Nuk banonte shumë larg qendrës dhe zakonisht shkonte dhe ulej në bordurat rrotull Muzeut Kombëtar. Nganjëherë ngrihej dhe u afrohej shkurreve të lulishtes së tij për të vështruar harabelat e shumtë që futeshin e dilnin në to. Një ditë nxori disa thërrime që i kishin mbetur në xhep dhe ua zgjati. Zogjtë nisën të fluturojnë rrotull tij dhe së fundi iu ulën në pëllëmbë dhe çukitën thërrimet e bukës.

Prej atëherë kthehej çdo ditë te i njëjti vend. Zakonisht rrugën deri aty e bënte ngadalë, me sytë të maja e këpucëve të veta. Por nuk e kishte humbur zakonin që nganjëherë të kthente kokën rrotull te vitrinat e një librarie në atë rrugë.

Dikur mësova se librashitësja i dilte përpara hera-herës dhe e njoftonte se i ishte shitur një libër. Rrallë, por ndodhte. Me paratë që i fuste në xhep ai shkonte dhe blinte ushqim për zogjtë e tij. Ishte gjëja që e tërhiqte me shumë në jetë, madje dukej se ishte e vetmja gjë.

Lorenën nuk pranonte ta shihte më.

- Një pjesë e imja beson se e meritojmë fatin që kemi, - i kishte thënë herën e fundit, pa asnjë shpjegim tjetër. Pastaj i kishte kërkuar të largohej prej tij. Asaj i qe dukur sikur qe shembur brenda vetes.

Kishte që thonin se atë libër që shitej hera-herës ishte ajo që ia blinte. Ketë nuk di as ta vërtetoj dhe as ta kundërshtoj. Nuk dija më asgjë tjetër se Lorena e kishte vënë në parantezë jetën e saj, por besonte gjithnjë se një ditë ai do të kthehej te ajo.

Kostikën e pashë një ditë në të dalë të dimrit, kur qielli që dukej përtej reve i ngjante një oazi të kaltër mashtrues, që zhdukej menjëherë. Ishte gjithnjë pranë atyre shkurreve të lulishtes së Muzeut, duke folur me zogjtë që ushqeheshin në pëllëmbën e tij.

Në një çast m’u duk se ktheu sytë e më pa. Por vetëm aq. Nuk pata guxim t’i flas. Por as ai nuk e ktheu më kokën nga unë. Mbase mendoi se nuk paraqisja aq shumë interes sa të ndërpriste dialogun me zogjtë e tij.

Nxitova të largohesha sa më parë.

Isha aq shumë i turbulluar sa edhe Lorenën nuk do ta kisha vënë re, po qe se ajo nuk do të më kishte dalë vetë përpara. Përgjonte mbi të, si një engjëll mbrojtës i plagosur. Mbeta i shtangur nga trishtimi me thellësi humnere në sytë e saj. Më pa gjatë dhe më pyeti nëse isha i sigurt se nga ana ime nuk kisha rënë preh e ndonjë vlerësimi të gabuar për librin e tij. Dukej se kërkonte me këmbëngulje të dinte se çfarë kishte ndodhur që e kishte shndërruar aq thellë ekzistencën e saj.

Nuk e hapa gojën. Nuk isha në gjendje të flisja. Si mund t’i tregoja asaj gruaje se unë kurrë nuk e kisha lexuar librin e tij?

© Dashnor Kokonozi