Ruleta vrastare e penalltive - Nga Ilir Gjini

Ilir Gjini - Toronto
Brazili i madh i futbollit spektakolar, Spanja e tiki-takës që nuk po funksionon më, Holanda shpikësja e futbollit total dhe hirushja e Katar 2022, Japonia, e shohin veten jashtë Botërorit, pas ruletës vrastare të penalltive. Katër eleminime deri tani dhe nuk e dimë sa do ketë të tjera deri në fund të Botërorit, nga gjuajtjet e 11 metërshave. Në historinë e kampionateve botërore vetëm dy herë titulli është vendosur nga gjuajtja e penalltive.
Në 1994 në USA, ku Brazili fitoi titullin e katërt dhe në 2006 në Gjermani, ku Italia mposhti Francën. Roberto Baggio më 1994, edhe pse u shpall lojtari më i mirë i Botërorit, humbi penalltinë deçizive që e privoi nga trofeu i artë. Pesha e rëndë e gjuajtjes së penalltive pasi kanë përfunduar edhe shtesat raskapitësve, rëndon si mal mbi futbollistët. Shumë prej ekipeve pretendentë kanë punësuar madje edhe psikologë për të ndihmuar lojtarët që të zvogëlojnë stresin e gjuajtjes së 11 metërshave.
Është një duel i ftohtë, i heshtur, mes portierit dhe gjuajtësit. Sytë e mprehtë imponues të portierëve që përplasen si projektorë mbi gjuajtësin. Shumica e lojtarëve përpiqen të shmangin sytë e portierit. Nisen të gjuajnë penalltinë me sytë përtokë. Sepp Maier, Toni Schumacher, Dino Zoff, Igor Belanov (i vetmi që ka fituar topin e artë) në duelin e heshtur në egzekutimet e penalltive mundoheshin të hipnotizonin gjuajtësin.
Historia e futbollit ka rezervuar një vend lavdie edhe për gjuajtësit e penalltive. Çekosllovaku Pannenka në finale e Kampionatit Europian të 1976-s vendosi ta gjuajë penalltinë në një mënyrë të çuditshme. Ai pa që portieri gjerman Maier hidhej pak para shkelmimit të topit, herë në krahun e djathtë, e herë në të majtin dhe vendosi të gjuajë lehtë në mes të portës. Ka hyrë në historinë e futbollit si gjuajtja Pannenka.
Brazili që ka 20 vite që “agjëron” për të fituar trofeun dhe ndoshta do t’i duhet të presë edhe shumë vite të tjerë, është humbësi më i madh i këtij Botërori. Megjithë stafin spektakolar të lojtarëve, nuk mundi të shkojë më tej se çerekfinalja.
Brazili gjithmonë na ka mahnitur me lojën e bukur, por përballë ekipeve europiane që kanë perfeksionuar mjaft mirë “catenaccio” - mbrojtjen beton të pathyeshme, duket i pafuqishëm.
Nga sa i kam ndjekur kampionatet botërorë, Brazili i 1982 ka qenë në opinionin tim më spektakolari. Futbollistë si Ziko, Sokrates, Falkao e Eder, kanë qenë të magjishëm në fushën e blertë. Ishin ndoshta euforia, doza mëndjemadhësie e nënvleftësimi, arsyet që u mundën nga Italia e Paolo Rossit.
Më kujtohet se një miku im shkodran Lad Saiti (një tifoz i thekur i Brazilit) vuri një bast të çmendur për kohën. Plot 40 mijë lekë, aq sa kushtonte një televizor bardhezi, që ishte mjet luksi në atë kohë, ose rroga e një viti.
Asokohe nuk kishte “lloto-sport” në Shqipëri. Bastet vendoseshin mes njëri-tjetrit dhe paret i liheshin një të treti. Pas humbjes, Ladi nuk guxoi më të vinte baste kur luante Italia.
Sot nuk mund të vë bast se kush e fiton Botërorin. Shanset më të mëdha i ka Franca e Kylian Mbappé. Më pas Argjentina e Mesit, Kroacia e Modriç e Portugalia jo më e Ronaldos. Të shohim…
©Ilir Gjini










