Kryeministër shqiptar ose propagandë parazgjedhore në Maqedoninë e Veriut - Nga Xhevdet Nasufi
1.
Ndoshta dikush do të keqmendojë për qëllimet në këtë analizë, do ta keqinterpretojë kuptimin dhe porosinë e saj. Por, nevoja për të qenë transparentë është domosdoshmëri për çdonjërin, kurse për politikbërësit shqiptarë në veçanti. Kjo për ne shqiptarët është imediate, sepse jemi të vetmit, siç duket, që veprojmë dhe funksionojmë pa platformë të shëndoshë kombëtare, si këtu në Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe përtej kufirit. Për këtë është dëshmi më e mirë praktika e shëmtuar, që zënkat dhe mosmarrveshjet përbrenda nesh në rrafshin e politikës i zgjidhim vetëm me ndërmjetsimin e të tjerëve.
Si është e mundur në këtë rrafsh që Kryetari i shtetit, kryeministri, liderë partie, radhiten e presin të raportojnë pafundësisht për konfliktet e brendshme, përfaqësuesit e ambasadave të vendeve mike në vënd ose të emëruar specialë? Është e mirënjohur se çdo ambasador është vetëm përfaqësues i vendit të tij dhe raportues për zhvillimet në vendin e akredituar. Por për fatin e keq tonin, ambasadorët miq, veçuar të SHBA-ve, jo rrallë edhe pa dëshiren e tyre kryejnë edhe shumë misione të tjera ndërmjetësuese, si në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo praktikë e pazakontë dhe vrastare për resurset politike shqiptare është tërësisht jashtë koncepteve politike dhe demokratike të vendeve dhe shoqërive me demokraci funksionale.
2.
Në doktrinën politike koalicioni qeverisës shqiptaro-maqedonas është nga të ashtuqujturit koalicione të mëdha që kanë për qëllim arritjen e një objektivi të veçantë paralelisht me qeverisjen. Kjo është arsyeja e funksionimit të tyre në Maqedoninë e Veriut. Është rregull që në koalicione të këtilla liderët e segmenteve/ partive që ndërtojnë qeverinë e koalicionit të udhëheqin të njejtin bashkarisht. Të vetmit jemi ne shqiptarët në koalicione të këtilla të gjëra, ku lideri i fraksionit/partisë nuk e udhëheq koalicionin. Përderisa Arbën Xhaferi këtë nuk ka mundur ta bëjë në vitet 1998-2002 si lider partie për shkaqe shëndetësore, të gjithë të tjerët i kanë bishtruar këtij detyrimi të rëndësishëm.
Kështu që asnjëri prej tyre nuk ka qënë anëtar i qeverisë. Bile, Ali Ahmeti, që gati për dy dekada qeverisje me partinë e tij, herë me VMRO dhe herë me LSDM, asnjëherë nuk u ul në karrigen e qeverisë. Si përfundim, edhe rregullat e mirëndërtuara, të mirëmenduara dhe të pranuara nga politika dhe doktrina globale, nuk e kanë vlerën meritore te lidershipi shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Që argumenti të jetë edhe më neveritës, lideri i BDI-së por jo vetëm, edhe pse deputet që realizon raportet e punësimit me parlamentin, këtë e bënë “në distancë” duke mos e frekuentuar ate, e të mos flasim për fjalëmbajtje në të.
Rrjedhimisht kjo që përmendëm shtron pyetjen publike: Mos ndoshta liderët tanë partiakë konsiderojnë se të qenurit deputet dhe anëtar në qeverinë e Maqedonisë së Veriut, ku vendoset edhe për fatin e shqiptarëve, është i njejti përçmues për ata, apo humbje e kohës? Funksioni i deputetit dhe i anëtarit të qeverisë në vëndet tona pos që është me rëndësi të veçantë publike, paralelisht është edhe me përgjegjësi publike, si në raport me parlamentin ashtu edhe me votuesit, me shqiptarët në veçanti. Koalicionet e këtilla mes etnive nuk janë të krijuar as si incidente politike, as si preferenca partiake dhe vullnetare. Rrafshndërtimi i tyre është kryekëput mision me vlerë të lartë për paqe dhe siguri, për zhvillim dhe harmoni të sheshtë ndërmjet dy etnive më të mëdha në Maqedonin e Veriut.
3.
Pra që të kuptohemi, koalicioni shqiptaro-maqedonas është produkt i nevojës për të avancuar barazinë e shqiptarëve si shtetformues në vënd me maqedonasit e jo dëshirë e liderëve dhe partive politike shqiptare apo maqedonase. Askush tjetër nuk e ka përgjegjësinë dhe mundësinë të legjitimuar më së miri, sesa lideri i partisë në koalicion të jetë në qeveri e të reflektojë aktivisht në parlament. Nëse edhe mëtej vazhdojnë në këtë mënyrë të veprojnë liderët tanë, duke ikur nga pozitat kyçe në qeveri, duke mos u prononcuar publikisht në parlament, është e paarritshme për fajin tonë barazia e shqiptarëve në Maqedonin e Veriut dhe e pamundur të çmontohet diversioni i brendshëm politik te shqiptarët.
Pragmatizmi politik nuk njeh barazi politike dhe kombëtare duke injoruar funksionet publike, duke përçmuar kuadrot dhe intelektualët-politikanë për motive partiake. Tendenca e kohëve të fundit e zëvëndësimit të kuadrove dhe resurseve njerëzore me emra abstraktë politikë dhe margjinalë që po “importohen” si katapultë dhe zbresin në skenën politike, është dëshmuar për tërë këto vite si e pasuksesshme. Kjo ka mbrapshtuar përgjegjësinë në politikë, ka zbehur profesionalizmin në ushtrimin e funksioneve, e ka topitur përkushtimin kombëtar. Mbi të gjitha partizimi ekstrem dhe katapultimi i resurseve njerëzore në funksionet publike ka ndihmuar pabarazinë e mëtejme të shqiptarëve.
4.
Sidoqoftë në llafimet e fundit politike nga Bashkimi Demokratik për Integrim është lançuar ideja për kryeministër shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Nuk ka si mos t’i ngjajë utopisë politike për dy arësye:
Së pari, asnjë parti politike maqedonase nuk është e gatshme, ashtu sikur edhe i tërë ambienti politik maqedonas të pranojë apo të votojë kyeministër, apo president vendi nga radhët e shqiptarëve. Bile as edhe funksione të tjera me peshë dhe karakter shtetëror siç është prokurori i përgjithshëm, gjykatësi i parë i vëndit, prijësit e agjencive intelegjente, institucionet e shpërndarjes dhe arkëtimit masiv të mjeteve financiare publike, siguria dhe mbrojtja e ngjashëm.
Së dyti, edhe BDI dhe lideri i tyre nuk e kanë të sinqertë propozimin për kryeministër shqiptar, mbase jo për shkak të moskonseguencës, por edhe për arësye banale të tjera ata nuk e kushtëzojnë dhe rrezikojnë pjesmarjen e tyre në qeveri për arsye të përmendura, ashtu siç edhe kanë bërë shumë herë gjer tani.
Por ka edhe një episod tjetër që meriton kujdes: Pse BDI nuk insistoi ta mbajë të vetmen ministri të atribuar si shtetërore (ate të drejtësisë) kur Zaevi në emër të reformave në shtet e “grabiti” ate, apo që lejoi centralizimin në dëm të shqiptarëve, veçmas organizimin dhe funksionimin e shtrirjes hapsinore të Policisë së Shtetit apo të Drejtorisë së të Ardhurave Publike? Atëherë si do realizohet funksioni më i fuqishëm në vend i kryeministrit nga ky këndvështrim që kërkon ta menaxhojë BDI, shikuar nga praktika e gjertanishme me resurset dhe funksionet me përgjegjësi të lartë publike?
Kjo edhe më shumë e aktualizon dilemën: Të gjithë liderët partiakë gjithkundi e në veçanti ata shqiptarë (Berisha, Rama, Thaçi, Haradinaj, Kurti, Isa i pamundur), nuk është rastësi që u vunë në ballë të qeverive për të udhëhequr të njejtat. Bile, për Maqedoninë e segmentuar etnikisht, menaxhimi i qeverisë nga liderë partiakë është edhe më impenjativ, është edhe më i domosdoshëm. Pra, standardi politik për kryeministër i liderit partiak konsiston në peshën e duhur politike të tij për funksionin politik të kryeministrit. Prandaj është oportune që për kryeministër Ali Ahmeti të mos e propozojë vehten, por një personalitet të dakorduar mes partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, denjësisht i përshtatshëm për funksionin.
Është fakt se përvoja politike flet se nëse garimi në fazën e tanishme të zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut ndjek ate në Kosovë, ku duetit Kurti dhe Osmani për kryeminstër solli edhe fitoren e partive respektive, mund të ketë një efekt tejet pozitiv në zgjedhjet parlamentare të radhës këtu në Maqedoni. Në këtë rrafsh, propozimi i BDI-së për kryeministër shqiptar është mesazh i fuqishëm, i rëndësishëm dhe i domosdoshëm politik për maqedonasit, kjo edhe përpos konceptit mistik, maqedonasit këtë riformatim drejtues qeverisës në vend duhet ta miratojnë heret apo vonë si fakt. Por ama në të kundërtën, nëse është vetëm retorikë dhe diskurs i shifruar zgjedhor, atëherë mbetet vetëm propagandë parazgjedhore po e kësaj partie kaq vite në pushtet.
©Xhevdet Nasufi












