Opinione

Kandidimi i Kolë Gjokës në Gjermani dhe media e përciptë shqiptare!

 Nga Armand PLAKA*

"Zgjidhet deputeti i parë shqiptar në Bundestag nga radhët e CDU-së". Kështu shoh të shkruhet prej dy ditësh në shumicën e portaleve shqiptare, pjesa më e madhe tyre me një nam serioz. Në fakt, suksesi i z. Kolë Gjoka, mirditorit nga Shqipëria, i cili ia nisi si azilkërkues në Gjermani, është për t'u admiruar plotësisht, sikurse dhe synimet e tij për t'u bërë ndoshta në një të ardhme të afërt, edhe Deputet në Bundestag, por kjo s'ka të bëjë fare me lehtësinë, naivitetin, tendencën dezinformuese, papërgjegjshmërinë dhe mungesën e profesionalizmit në mediat e portalet informative shqiptare.

Në fakt, për të qenë më të saktë, duhet thënë, ato të Shqipërisë, sepse ato kosovare duket se janë thelluar pak më shumë për t’a marrë vesh saktësisht si qëndron puna, falë edhe eksperiencës së tyre të gjatë në çështjet e diasporës, njohjes më të mirë të gjeografisë dhe ndoshta edhe të funksionimit të sistemeve zgjedhore, panoramës së brendshme politike e më gjerë, në vendet ku ata janë prezentë më shumë, sikurse është edhe RFGJ-ja, me sistemin e saj politiko-administrativ të pastër federal.

Le të supozojmë për një çast e le të bëjmë sikur po e pranojmë, se shkak bazë për këtë është mungesa e njohurive në gjuhën gjermane, një handikap sigurisht për t’u marrë në konsideratë në këtë rast e më gjerë, por edhe aksesi thuajse i munguar i gazetarëve shqiptarë në burimet themelore, siç janë vetë mediat vendase.

Por më thoni ju lutem, çfarë do t’a justifikonte në kohën që jetojmë mosverifikimin e informacioneve nga burime e gjuhë alternative për të marrë vërtet lajmin dhe jo rrenën, gënjeshtrën, “fake-news”-in, sensacionin pa kurrfarë baze?

Më thoni ju lutem, çfarë do t’a justifikonte dezinformimin e publikut, thënë më shkoqur: talljen me të, talljen edhe me vetë kandidatin fitues të CDU-së, i cili edhe pse në nivel lokal, ia vlen në çdo rast të evidentohet e të lëvdohet si një shembull i mirë i një bashkëatdhetari të suksesshëm, i cili me punën e tij ka arritur të bindë jo vetëm anëtarët e partisë së tij lokale për t’i besuar kandidimin, por edhe një elektorat paksa skeptik e plot pretendime, siç është ai gjerman.

Për të qenë më të saktë e konkretë: Në fakt, z. Gjoka nuk ka kandiduar fare e as nuk është shpallur si fitues i një ndenjëseje në Bundestagun Gjerman, megjithëse kjo legjislaturë numëron plot 709 të tilla, një rekord në vetë historinë e tij. Z. Gjoka ka kandiduar dhe ka fituar një vend në Këshillin e Rrethit (Kreis) të Pinebergut, si kandidat i CDU-së nga Elmshorn në landin e Schleswig-Holstein-it, land në të cilin ai në fakt nuk ka qenë i vetmi shqiptar si kandidat. Me premisa të mira fituese ka qenë edhe bashkëatdhetari i tij, Nue Oroshi në qytetin e Kiel-it.

Duhet theksuar se vetë ky land përmban 15 qarqe apo rrethe administrative, ku kuvendet (njihen si “Kreistag”-e), e tyre “furnizohen” me të zgjedhur direkt nga populli (duke futur në lojë sigurisht edhe listat partiake, në një përzierje sistemesh zgjedhore, sikurse ndodh rëndom në shumë vende europiane në fakt). Konkretisht me një hulumtim të shpejtë kupton për shembull se Kreistag-u i Pinebergut, ka gjithsej 50 vende, ku njërin syresh tashmë do ta zerë pikërisht bashkëatdhetari ynë.

Po ashtu, dy bashkëatdhetarë të tjerë nga Kosova, Floriana Igrishta dhe Mërgim Kutllovci, gjenden gjithashtu në listën për këshilltarë të rrethit/qarkut të Mettenhofit, po nga dega lokale e CDU-së. E nëse do gërmojmë në mbarë Gjermaninë, me siguri se në këto nivele lokale do gjenden edhe të tjerë syresh, kryesisht në listat e socialdemokratëve, kristiandemokratëve, por ndoshta edhe të të Gjelbërve, duke mbajtur parasysh afinitetin e shqiptarëve ndaj çështjeve e kauzave që ato marrin përsipër të mbrojnë.

Për shkak të nivelit disaplanësh e të komplikuar administrativ, i cili nuk përkon as në formë e as në përmbajtje me atë shqiptar, e as me shumë vende të tjera me karakter unitarist e më gjerë, kjo duket se mund të sillte vështirësi edhe për gazetarët apo editorët e portaleve shqiptare, por duket se as kjo nuk ka përbërë shkak për këtë zallamahi në dukje të parëndësishme, por që nxjerr edhe më shumë në pah problemet në median aktuale shqiptare, ku mungon përveç atyre që përmendëm në krye të herës, thjesht mosdëshira për të gërmuar, për t’u thelluar, për të verifikuar burimet, për të pyetur, për t’u konsultuar e fundja për t’u informuar, duke iu nështruar një semplicizmi që po sjell thjesht dhe vetëm mjerim në tregun apatik, të sëmurë e të dhënë jo thjesht drejt sensacionit, të medias shqiptare.

Bashkangjitur kësaj edhe sëmundje të tjera tashmë të përhershme, si gabimet drejtshkrimore, mungesa e gërmave diakritike e shpesh mungesa e cilësisë e seriozitetit në përcjelljen e lajmit, mosrespektimi i standardeve gjuhësore dhe etike, marrja shabllon dhe mungesa e përpunimit profesional të lajmit, tendenca për plagjaturë, duke “harruar” emrin e autorit e të burimit, sikurse dhe përsëritja e pavlerë dhe riciklimi i të njejtave lajme e scoop-e që qarkullojnë prej ditësh e madje javësh e muajsh e në fund dhe tendenca për të poseduar nga një portal/individ, pa pasur asnjë portofol e as një plan për investime në burime njerëzore, më kanë bërë të besoj se kjo agoni do të duhet kohë të marrë fund.

 

*Autori është ish-bursant i Fondacionit "Konrad Adenauer" në Berlin