Opinione

Nacionalizmi shqiptar ka qenë dhe mbetet humanist

Nga: Ardian Muhaj

Duhet theksuar që në fillim se ndryshe nga perceptimi i Ballkanit si vend nacionalizmash, realiteti është se nacionalizmi në Ballkan është i pamundur të ekzistojë dhe nuk ka ekzistuar deri më sot. Në se nacionalizmi nënkupton, sipas përkufizimit të E. Gellnerit, përpjekjen për përputhjen e njësisë politike me atë etnike, në Ballkan deri tash ka qenë i pamundur. I vetmi rast ku nacionalizmi mund të ishte një projekt, është rasti i shqiptarëve. Mirëpo, shqiptarët kanë hequr dorë nga nacionalizmi përpara se t’u jepej mundësia për t’u bërë nacionalistë. Fillmisht ky shartim i hershëm i nacionalizmit në humanizëm ndodhi për shkaqe objektive. Njëkohësisht me platformën ideologjike të Lidhjes së Prizrenit u shpalos me gjithë përmasat e saja tragjike kriza humanitare e refugjatëve të dëbuar nga shtëpitë e trojet e tyre si pasojë e spastrimit etnik që u krye ndaj shqiptarëve të Sanxhakut të Nishit nga shteti i sapopavarësuar serb. Që nga ajo kohë në fjalorin tonë politik muhaxhiri apo refugjati shqiptar u shndërrua në urgjencë humanitare që e ka lënë vazhdimisht në hije dhe të pazhvilluar cdo agjendë nacionaliste shqiptare.  

Më pas kjo krizë humanitare u gurëzua dhe u mbishtresua me të tjera kriza humanitare si pasojë e spastrimeve etnike të kryera nga fqinjët në mënyrë të vazhdueshme e të programuar dhe si pasojë e genocideve të tentuara në mënyrë periodike nga fqinjët veriore sllavë e jugorë grekë. Pra, në rastin e shqiptarëve përputhja e njësisë politike me atë etnike është i mundur, por jo i dëshiruar sa duhet dhe si shihet. Për këtë arsye shqiptarët nuk e kanë pasur luksin që të ndahen në nacionalistë e kozmopolitë, por vetëm në shqiptarë humanistë e shqiptarë johumanistë. Humanistët në fjalorin politik të fqinjëve shovinistë dhe të shqiptarëve johumanistë etiketohen mbase jo gjithnjë qëllimisht, por gjithnjë gabimisht si nacionalistë.

Ndërsa në rastin e popujve të tjerë, përputhja e njësisë etnike me atë politke është e dëshiruar por e pamundur për shkak të tejpërmbushjes së qëllimit nacionalist. Maqedonasit për shembull nuk synojnë përputhjen e njësisë politike me atë etnike, por përkundrazi mospërputhjen e tyre. Përndryshe, edhe në bazë të të dhënave të manipuluara të Shkupit zyrtar, Maqedonia do të ishte shumë më e vogël se sa është sot, përderisa vetëm 64 për qind janë të deklaruar maqedonas. Pra, një rast i tillë ndodh kur njësia politike e ka tejkaluar njësinë etnike. Maqedonasit gëzojnë më shumë hapësirë politike se sa ua lejon kuadri teorik i nacionalizmit. Njëlloj edhe Serbia me 80 përqind të deklaruar zyrtarisht si serbë.

Politika dhe kisha serbe janë krejt të vetëdijshëm se i kanë tejkaluar me kohë synimet nacionaliste dhe se njësia e tyre politike përfshin shumë më tepër se sa do u binte për hise nga nacionalizmi. Me kutin e nacionalizmit këto shtete do u duhej të ngushtoheshin ca sepse petku i nacionalizmit do u rrinte shumë ngushtë. Po ashtu edhe Mali i Zi, ku malazezët edhe në bazë të të dhënave zyrtare nuk përbëjnë as shumicën, pra vetëm 45 përqind. Pra, në rastin e Malit të Zi, rroba politike është dyfish më e madhe se sa shtati etnik.

Në se fqinjët i kanë tejkaluar synimet edhe më maksimaliste të nacionalizmit, shqiptarët, nga ana tjetër nuk kanë arritur as ato më minimaliste, që do të ishte që të paktën gjysma e njësisë etnike të përputhej me atë politike. Njësia politike shqiptare e njohur ndërkombëtarisht si e tillë, mbulon më pak se gjysmën e njësisë etnike. Në këtë rast është e kundërta e fqinjëve tek të cilët rroba politike shkon përtej përmasave të trupit etnik, ndërsa tek ne rroba politike nuk mbulon as gjysmën e trupit etnik.  

Në rastin e Ballkanit, teoritë e njohura mbi nacionalizmin nuk pijnë ujë. Teoricienët e nacionalizmit që nga Hobsbaumi, Gelneri etj, mbesin në klasë. Në shek. XIX fryma e nacionalizmit në Europë, që synonte përputhjen e njësisë etnike me atë politike ka qenë e realizueshme dhe u realizua në rastin e Italisë pothuajse tërësisht ndërsa në rastin e Gjermanisë në pjesën më të madhe.

Në Ballkan, përkundrazi me përjashtim të shqiptarëve asnjë shtet apo lëvizje kombëtare nuk ka patur si synim këtë përputhje, këtë përmbushje. Duke filluar që nga grekët, e duke vazhduar me malazezët, serbët, bullgarët e maqedonasit, nuk është synuar për asnjë moment përputhja e njësisë politike me atë etnike, por përputhja e njësisë politike me atë mitohistorike. Për këtë arsye në Ballkan ka qenë e pamundur të vihet në zbatim e drejta e vetëvendosjes, me përjashtim të rastit shqiptar ku është e mundur të zbatohet kjo e drejtë.

Në Ballkan është zbatuar e drejta e zhvendosjes së popujve të caktuar dhe ajo mbivendosjes së popujve të caktuar në popujt e zhvendosur. Në se ky është nacionalizmi, atëherë më mirë mos qoftë dhe në se shqiptarët nuk kanë qenë nacionalistë të tillë, është për t’u përgëzuar dhe jo për t’u hidhëruar. Kjo është një arsye për të qenë krenarë për të kaluarën tonë, për t’i parë fqinjët tanë drejt e në sy, sepse nuk mbajmë mbi supe peshën e fajit të pseudonacionalizmit ballkanik, sepse nuk guxon të na akuzojë askush se kemi kryer masakra kundër fqinjëve, se kemi planifikuar e vënë në zbatim projekte genocidale për shfarosjen e zhvendosjen e fqinjëve.  

Në këtë kontekst, nacionalizmi shqiptar edhe në se do të ishte veprues, do të karakterizohej si një soft-nationalism, me thelb humanist dhe me synime realiste në raport me kuadrin teorik të nacionalizmit dhe për më tepër duke qenë një nacionalizëm fetarisht tolerant dhe etnikisht joagresiv, mund të thuhet se do të ishte nacionalizëm i pranueshëm edhe për Europën e shekullit XXI.