Opinione

Ҫështja shqiptare në kuadër të realpolitikës - Nga Dritan Goxhaj

Klasa politike dhe ajo intelektuale në Kosovë ka dështuar disa herë të arrijë të kuptojë ngjarjet e rëndësishme politike të cilat do të ndikonin dhe do të ndikojnë në ardhmërinë, në veçanti të Kosovës dhe në përgjithësi të çështjes shqiptare.

Kjo klasë politike dhe intelektuale dështoi që të shihte dhe të kuptonte ngjarjet e vitit 1981. Në ato ngjarje klasa politike u frikësua nga e panjohura dhe për këtë arsye i dënoi ato ngjarje, ndërsa ajo intelektuale heshti sepse kishte frikë se mos humbte privilegjet që posedonte deri në atë moment.

E njëjta gjë ndodhi sërish pas gati dy dekadash.

Pikërisht në vitet 97-99 klasa politike jo vetëm që dështoi t’i shihte ato ngjarje si një prelud i sendërtimit të gjithë përpjekjeve për liri që nga viti 1912 e këtej, por duke qënë se ajo u tremb nga vrulli i tyre dhe nuk i kishte ajo nën kontroll, e as që e kishte idenë se kush ishin ata që i inicuan dhe i bartnin ato ngjarje, kjo klasë politike i dënoi ato duke arritur sa ti konsideronte edhe si “Dorë e zgjatur e Sërbisë”.

Ndërsa klasa intelektuale sërish edhe kësaj radhe jo vetëm që heshti por e shfrytëzoi me oportunizëm këtë ngjarje për t’u larguar në Perëndim.

Edhe tashti pothuajse sërish pas 2 dekadash, kur Kosova ndodhet në një ngjarje tjetër të rëndësishme për qënësinë e saj, në tentativën e Perëndimit për t’i imponuar me dhunë e presion politik Kosovës, Asocacionin e Komunave Serbe, klasa politike dhe ajo intelektuale sërish po dështon ta shohë këtë si një ngjarje e cila po e çon jo vetëm Kosovën, por gjithë çështjen shqiptare 110 vjet mbrapa, pikërisht në vitin 1913, kur ministri i Jashtëm i Britanisë, pas Konferencës së Londrës do të deklaronte “Për fat të keq, na u desh ta viktimizonin popullin shqiptar, për të ruajtur paqen në Evropë”.

Edhe tashti klasa politike së bashku me atë intelektuale qoftë në Kosovë por edhe në Shqipëri, të përndjekur në ndërgjegjen e tyre nga remenishenca të së kaluarës, ata në vend që të mbrojnë integritetin dhe sovranitetin e Kosovës dhe të çështjes shqiptare, janë ndarë keqasi dhe sërish fajin e hedhin të të tjerët.

Në këtë rast në injorancë totale të gjithë si në kor e nën një dirigjim shkruajnë se fajin për këtë sot e ka Rusia. Ashtu si dikur para vitit 90 kur e njëjta klasë intelektuale shkruante se për çdo gjë fajin e kishte Imperializmi amerikan, ndërsa tashti që Amerikanët i kemi bërë aleatë, fajin e ka Imperializmi rus.

Ose duke e harruar qëllimisht ose për shkak të padijes se Asocacioni i cili cënon sovranitetin dhe integritetin politik dhe territorial të Kosovës është një marëveshje e propozuar në 2013 nga Shefja për Politikë të Jashtme e BE në atë kohë Katerin Ashton (Catherine Ashton), me qëllim që të ndikonin sadopak te Sërbia që ajo të fillonte një shkëputje graduale nga Rusia.

Evropa e ofroi atëherë këtë marrëveshje dhe po mundohet edhe sot ta finalizojë atë pasi ajo e qorruar tashmë totalisht nga rusofobia, po tenton të përdore çfarëdo lloj mundësie që ajo ka në dorë për t’i shkëputur Rusisë qoftë edhe një aleat. Kjo pasi edhe Evropa por edhe ne shqiptarët dhe amerikanët, nuk e kemi kuptuar se është Sërbia ajo që e përdor Rusinë sa herë ka nevojë që të faktorizojë veten dhe asnjëherë Rusia Sërbinë për të faktorizuar atë.

Edhe në 2013 por edhe sot, klasa politike dhe intektuale shqiptare dështoi ta shohë se Evropa e sheh çështjen shqiptare jo si një çështje më vete, por në kuadër të interesave të saj politikë.

I njëjti problem që ka ndodhur edhe me Amerikën. Ata, amerikanët në vitet 80 e deri në 99 e shikonin çështjen shqiptare në kuadër të interesave sllave. Vetëm në 1999 e kuptuan që çështja shqiptare nuk mund të jetë pjesë e interesave sllave dhe ndërhynë fuqishëm për t’i dhënë asaj një zgjidhje deri në 2008.

Por sërish injoranca e politikës shqiptare dhe veçanërisht injoranca e kryeministrit të Shqipërisë, Ed(vin) Ramës tentoi dhe po tenton ta kthejë çështjen shqiptare në vitet 80, sërish në kuadër të interesave sllave me anë të “Open Balkan”.

Pas 2008 Amerika ia kaloi çështjen shqiptare Evropës për t’i dhënë zgjidhje, por ajo po e përdor atë në kuadër të interesave të saj dhe refuzon ta shohë si një çështje më vete dhe thelbësore për Ballkanin. Kjo edhe për shkak të mefshtësisë dhe të oportunizmit të klasës sonë politike, e cila është më shumë e interesuar për të mbajtur pushtetin sesa ashtu si propagandon - për të bërë shtetin.

Dhe në këtë përpjekje të sajën Evropa sërish si në 1913 po rrezikon të sakrifikojë dhe të viktimizojë shqiptarët, Kosovën dhe çështjen shqiptare për të arritur paqen e saj të pretenduar në kontinent.

Dhe ashtu si ka ndodhur edhe më parë, klasa politike dhe intelektuale shqiptare po e sheh këtë si një luftë interesash ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë dhe jo si një copëtim të ri të trojeve shqiptare.

Ndaj kjo klasë politike dhe intelektuale duhet të flasë me një gjuhë të përbashkët në rast se është e interesuar të shmangë një luftë të re, në të kundërt le të tërhiqet nga misioni që ka marrë përsipër.

Klasa politike dhe intelektuale të heqë dorë nga oportunizmi dhe të dalë me propozime konkrete të cilat i japin fund kësaj maskarade, e jo me ca pika si ato të Kurtit sa për të fituar kohë e për të shitur një gjysëm patriotizmi.

Në rast se Evropa dhe Amerika nuk tërhiqen nga vendimi i tyre për të implementuar këtë Asociacion, atëherë rruga e vetme për shqiptarët për të ruajtur të pacënuar sovranitetin dhe integritetin politik dhe territorial mund të kalojë vetëm nëpërmjet këtyre pikave:

1. BE të detyrojë ato shtete europiane që nuk e njohin Kosovën të bëjnë njohjen e saj.

2. Amerika dhe Shqipëria të propozojnë futjen e Kosovës në NATO menjëherë pas njohjes nga gjithë shtetet e BE.

3. BE të integrojë Kosovën me proçedurë të përshpejtuar në hapësirën e vet.

4. Bazuar mbi vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare për shpalljen e pavarësisë dhe duke shfrytëzuar që edhe vetë Rusia nëpërmjet Putinit e pranoi këtë vendim si të drejtë (gjatë takimit që Putini pati me Shefin e OKB vitin që shkoi), Shqipëria të propozojë në OKB një rezolutë të re për Kosovën dhe ndryshimin e Rezolutës 1244, duke shfrytëzuar qënien e saj anëtare e Këshillit të Sigurimit.

Ҫdo gjë tjetër jashtë këtyre pikave është thjesht në kuadër të asaj shprehjes: “m’ka çu nona me la gojën”.

Ka ardhur koha që klasa politke dhe intelektuale shqiptare të ecë mbi realpolitikë dhe jo mbi fantazi politike.

P.S. Për të gjithë ata që do të shqetësohen se kështu ndoshta do të mund të përfitonte edhe Rusia dhe të humbte Ukraina, ju them që mua më intereson atdheu im dhe nuk jam në gjëndje të sakrifikoj atdheun tim për sllavët e veriut (Ukraina).

Ju a jeni të gatshëm ta bëni këtë sakrificë?

© Dritan Goxhaj