Opinione

Kosova në siklet - Nga Xhevdet Nasufi

 

I.

Sot Kosova është më mirë se dje, nesër duhet të jetë më mirë se sot. Zhvillimet atje janë në trajektore krize, trajektore presioni. Kjo, sepse Albin Kurtit dhe Kosovës i kërkohet të rezervohet nga shtrirja e sovranitetit në Veri. Nëse është kështu dhe nuk është ndryshe, për krizën sa është fajtor për reflektim të kujdesshëm Kosova, edhe shumë më tepër është Serbia që reflekton negativisht. Por, jo rrallë forca, apo edhe qëllimi e mund arsyen, andaj edhe Borrell si ndërmjetësues, për dallim nga ndërmjetësimet më pare në Ballkan (autori është pjesmarrës i drejtpërdejtë i negocimit të Marrëveshjes së Ohrit 1), shkopin e dirigjimit me vështirësi po e fsheh nga paanësia. 

Përtej skenarëve për konflikt të përgjakshëm, riciklim të historisë tragjike të Ballkanit, Kosova është në rrugën e drejtë të mbrojtjes së rendit kushtetues dhe demokracisë edhe në Veri, bile me sukses, vënë në krahasim me kohën më parë. Në këtë rrugë Kosova dhe qeveria aktuale duhen përkrahur. Nuk duhen kundërshtuar, bile jo në forma të papërshtatshme, siç po bën sot opozita në Kosovë dhe Rama në Shqipëri. Shikuar pa hije politike, janë disa zhvillime politike në raportet Kosovë-Serbi në një anë dhe Evropë e Shqipëri në anën tjetër, inspirojnë të ashtuquajturën konsistencë të fortë të Kurtit në dialog dhe si argument veçoj:

Së pari, gjeostrategjia evropiane e inspiruar nga konflikti në Ukrainë  mund të shkojë edhe gjer në flijim të Kosovës për gjoja maskim të proevropizimit të Serbisë, apo të improvizimit se Rusia mund të hapë front të ri në Ballkan. Edhepse lufta në Ukrainë nuk mund të përfundojë sipas projekteve hegjemoniste pansllave, as zhvillimet e brendshme ruse përfundimisht nuk mund ta stimulojnë militantizmin ushtarak serb për aventurë të re në Kosovë. Mu për këtë, në këtë mjegullim politiko-strategjik, Kosova nuk mund t’i lidhë këmbët me çfarëdo marrëveshje me Serbinë dhe të lejë në pritje të mëtejme, funksionimin e shtetit në Veri, apo të ndërtojë as luftë e as paqe edhe për ndonjë shekull të ri mes shqiptarëve dhe serbëve.

Së dyti, historia e përpjekjeve serbe në kohën më të re, për okupimin e territoreve të huaja bazuar në konceptin “ku jeton një serb është Serbi,” nisi në Kroaci. Fillimzhbërja e Jugosllavisë ishte fillimzbatimi i këtij konceptit millosheviçian, Srpska Kraina ishte vendi dhe territori i duhur për këtë ide etno-territoriale serbe në shtetin e Kroacisë. Kjo ide dështoi si pasojë e aksionit ushtarak “Olluja” (Furtuna). Praktikisht, “Olluja” pavarësoi shtetin kroat, por zgjidhi edhe konfliktin ndëretnik kroato-serb, sigurisht më i brishti në Ballkan pas atij shqiptaro-serb. Ideja okupuese serbe vazhdoi me Bosnjen, që rezultoi me Srpska Republikën, e cila funksionon si shtet i mëvetësishëm edhe sot, edhe pse i mohuar ndërkombëtarisht. Ky shtet surogat, përtej Marrëveshjes së Dejtonit, prodhon   jostabilitet dhe pasiguri në Bosnjë dhe rajon, kurse shtetin e ka bërë jo funksional. Kjo vetvetiu Kosovën e vendos në vëmendje dhe në kujdes të rritur për marrëveshjen, që përfundimisht edhe duhet bërë me Serbinë.

II.

Dialogu Kosovë-Serbi i nisur në mars 2011në optikën minimaliste është iracional në kohë dhe arritje gjer tani. Ndërmjetësimi evropian nuk efektizoi as shtetësinë e munguar të Kosovës, as miqësinë e saj me Serbinë. Pra, në një formë apo tjetër është mosukses edhe për faktin, se Evropa nuk vepron sikur me të gjithë shtetet që dolën nga Federata Jugosllave, sepse të gjitha e paten bekimin për ndërtimin e shteteve etnike të mëvetësishme. Bile që të kuptohet edhe më mirë, BE e cila është pjesë e çlirimit dhe shtetësisë së Kosovës, me Borrellin në krye rrugën për shtetësimin e tërësishëm të Kosovës po e fut në mjegullime të reja.

Së pari, pothujase është përjashtuar fokusi i inkludimit në dialog të njohjes së ndërsjelltë, njohje që mundëson krijimin e terrenit real për zhvillimin e të dy shteteve, por edhe avancimi pa mëdyshje i proçesit eurointegrues.

Së dyti, gogolizimi i incidenteve në Veri, kohë pas kohe edhe nga Borrelli, dialogun Kosovë-Serbi e minimizon, e relativizon dhe i njëjti konvertohet në zjarrfikje. Ky veprim frikësues, po i mbulon me legjitimitet veprimet kriminale të kastave politike serbe në Veri për destabilizim të Kosovës, andaj edhe për luftën kundër tyre meriton përkrahje të padebatueshme.

III.

Kosova si pale negociuese, pas ardhjes së Albin Kurtit në krye të qeverisë introduktoi elementin e mendimit ndryshe në raport me qëndrimet dhe kërkesat e ndërmjetësuesit, përfshi edhe me Serbinë.

Pajtueshmëria “en bloc” e Kosovës ndaj ndërmjetësuesve evropianë, në referim të respektit për ta për shumë vjet, faktikisht u shndërrua në frymëmarrje kreative për Beogradin, sikur edhe vetë zgjatja pa fund e kohës së dialogimit.

Dialogjet për konfliktet etnike në Ballkan nuk e kanë patur këtë dinamike kohore, as konfrontimin me kaq psikozë përjashtuese dhe urrejtëse, sikur ky Kosovë-Serbi. 

IV.

Përtej gjykimeve të eksponuara e zhvillimeve në Veri, me gjithë këtë krizë dhe pasiguri, Kosova duhet të ruajë performancat e arritura para dhe gjatë dialogut me Serbinë, por edhe më shumë bashkëveprimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që është i paalternativë. Kjo për shumë arsye dhe veçoj ndër to:

-Kosova në planin e tanishëm, nuk mund ta mbyllë dialogun me Serbinë pa SHBA, ndihmën e tyre, garancinë për sigurinë e Kosovës, por edhe të marrëveshjes që duhet të përmbyllet pas dialogut me Serbinë;

-Proçesi integrues euro-atlantik i Kosovës nuk mund të imagjinohet pa përkrahjen dhe shtytjen e SHBA si imanencë kombëtare;

-Kosova dhe shqiptarët për arsye dashakeqësie dhe poroziteti të brendshëm janë gjithmonë objekt i ekspozuar i ndikimeve manipuluese, propagandimit dhe influencues, ndërhyrjeve që rrënojnë unitetin kombëtar, por edhe rrënimi e tradites shpirtërore kombëtare. SHBA është faktori determinues në mbrojtjen e këtyre vlerave;

Shqiptarët janë në plebishit pro Amerikës. Do të ishte antishqiptare cilado qeverisje, përfshi edhe atë të Kurtit, që i dëmton koordinatat Shqipëri-Amerikë, si miqësi e përhershme (Rugova).

© Xhevdet Nasufi - Maqedonia e Veriut