Kush i bën “listat” në Letërsi dhe Arte? - Nga Vangjush Saro
Kjo fjalë ka marrë tashmë një ngjyrim tejet të dyshimtë. Dhe në këto radhë, as do ta mbrojmë, as do ta shtyjmë tutje. (“Nëse lista e shkrimtarëve i ndihmon lexuesit, unë jam mbrojtës i saj. Por siç dihet, çdo listë është e mangët…” H. Blum) Në disa raste, ajo e ndryshon krejt kuptimin e vet dhe shfaqet si ndonjë fytyrë fajtori apo si një sfidë e humbur assesi. Pra, nuk se përshkruhet një herë e vetme, kur bëhet një listë dhe përmenden (sipas humorit të hartuesit/hartuesve) disa autorë. Sigurisht, edhe kështu është; por më së shumti, me fjalën cerebrale “listë” unë nënkuptoj dukurinë e mashtrimit, ja po e zbus, të kufizimit; përpjekjen lokale për të ndikuar e diktuar brenda rrethit të të njohurve; detyrimin e dyshimtë për të përzgjedhur të zgjedhurit e përzgjedhur (dhe këtu e krijova vetë kakofoninë); protagonizmin e shitur në konkurse, projekte apo të tjera akte dhe emërtime në kuadër të zhvillimeve dhe ecurisë në letërsi dhe arte.
Ndonjëherë, ajo fjalë mund të përkthehet thjesht si njëlloj pabesie. Po, mendoj që “listat”, për shumë arsye, janë bërë një barrë për ne; pamjen e shkalafitur të arteve e të sjelljeve në përgjithësi, ato e bëjnë edhe më të errët. Në çdo kohë ato vetë, listat, i tradhtojnë hartuesit e tyre. Kujtoni ç’vlonte dikur te “Drita” e “Nëntori” e çfarë mbeti q’andej. Sa autorë u përkthyen në italisht e frëngjisht gjatë dekadave të shkuara, thjesht për të propaganduar letërsinë dhe kulturën socialiste dhe... sa apo kush prej tyre mbeti (!)
Sot, nuk duket më pak e hidhur hileja. Snobizmi nga njëra anë dhe grafomania në anën tjetër, në simbiozë, po zënë gjithnjë e më shumë vend në medie e institucione, duke ngushtuar në mënyrë të frikshme hapësirat për letërsinë e mirë dhe mendimin letrar të kualifikuar. Pompoziteti, fryrja, lektisjet dhe deri blerja e lëvdatave, pothuaj kanë pushtuar çdo truall, kanë zëvendësuar kritikën reale, frazën e vërtetë dhe analizën e saktë, të mbështetur në elemente të Estetikës dhe Njohurive Letrare. Merr e shkruan dikush rreth fjalës “i madh”, duke nënkuptuar personalitete me vlerë e kontribute të spikatura; dhe flet zotëria e tij për aktorë, për shkrimtarë, për politikanë, etj. Çuditërisht, shkrimtari ynë më i njohur dhe më i botuar në gjuhë të huaja, në kohëra, s’është në listën e tij (!) E di shkruesi vulëhumbur kush është i madh e kush nuk është i madh. S’e lë zilia, skuthllëku, a nuk di ç’tjetër ta përmendë, por harron i mjeri që nuk zvogëlon atë, por veten e vet. (Është kaq pa kuptim të merresh me krijesa të tilla të mjera; por ja që ato janë bërë shumë dhe sulmojnë pareshtur.)
Prania e personazheve dhe akteve që zura goje më lart, shtyn tej me dhunë një pjesë të krijuesve që nuk dinë “marifete”. Dhe kjo është sa qesharake, aq edhe e trishtë. Askush nuk ka të drejtë të dhunojë dikë që e ka bërë mirë punën e vet letrare apo artistike; të përjashtojë një arritje letrare apo artistike të dukshme; e të lançojë ndërkaq të tjera punë më pak të arrira. Dhe gjithë kjo, vetëm e vetëm pse në këtë mes ka klane, miqësira, interesa, deri edhe fiksime. Përjashtimet dhe hiletë ndonjëherë prodhojnë farsa, sikundër ndodhi me shpërblimin në poezi të një prozatori për fëmijë, (për të cilin druaj se gjer në atë çast nuk e kishte njohur a ditur askush për poet). Ani. Këto episode nuk shtojnë vlera; shtojnë vetëm mërzinë nga dukuria.
Lexova këto ditë shënimin e një shkrimtari të njohur në lidhje me disa përzgjedhje në poezi. Dhe krejt padashur, prapë rikthehemi te “listat”. (Edhe autori në fjalë nuk i shpëton dot kësaj dukurie, sepse edhe ai flet në mënyrë përjashtuese; dhe kjo mbase është e pashmangshme.) Gjithsesi, çdo argument pranon interpretime. Por përjashtimi i krijuesve që nuk njohin kulisat, por realisht kanë staturë bindëse, mbetet një sjellje arkaike, një dobësi që flet për mjedis letrar e artistik të ndotur; është një realitet që do kuruar. Përjashtimet shtrihen ndonjëherë në përmasa të frikshme; siç ishte rasti i listës me qindra tituj të MAS (Ministria e Arsimit dhe Sporteve), ku, për habi të themi, por ndoshta s’ka fare vend për habi, mungonin emra të njohur të letërsisë, shkrimtarë që tregu, kritika dhe mediat i kanë vlerësuar në mënyrë të paanshme dhe të dukshme. (Kjo ndodh ndërsa atje, në atë listë të turpshme, gjendeshin grafomanë pa fund, madje edhe kufoma të Realizmit Socialist dhe të ish-Sigurimit te Shtetit.)
Kush i harton listat? Disa prej tyre na flasin edhe për hendekun e thellë mes shtëpive botuese që merren seriozisht me botime, dhe atyre që më së pari “dinë të bëjnë për vete institucionet e juritë” ose “dinë të vlerësojnë kulisat”. Kam shkruar disa herë në këtë temë, kam formuluar kritika për të cilat asnjëherë askush s’u përgjigj. E them haptazi, nuk ka vend për mllef, por s’mund të hesht; kuzhina ku po gatuhen “menytë letrare” qelbet keq fare. Dhe realisht, nga ana ime, nuk ishte fjala thjesht për një shpagim në rrjet; atje kush nuk shkruan e kush nuk qahet, është e natyrshme të mos trazohesh nga gjithë ajo botë virtuale pa fillim e pa fund. Por nëse ankesa, kritika, pikëpyetjet publikohen (dhe jo vetëm një herë) në një gazetë të shkruar, të licensuar, fundja në një të përditshme që, më e pakta, afishohet me titujt kryesorë të saj në disa TV, atëherë këtu e vlen të ndalesh. Si punojnë institucionet? A ndjejnë apo a detyrohen diç për pandehmat që artikulohen në adresë të tyre? Është kaq e trishtë të mendosh se nuk duan t’ia dinë për asgjë; dhe kjo shurdhëri është pjesë e hilesë.
Gjithnjë duke u përpjekur të zgjeroj domethënien për “listat”, duhet të shtoj se nuk i kam kuptuar asnjëherë disa nderime me soj-soj fjalësh madhështore. Po ndalem te një nga këto “lartësi”. Mjeshtër i Madh! Shumë që u nderuan kështu, ta pranojmë në heshtje, ishin dhe mbeten krijues të vegjël, të parëndësishëm; në mos edhe këngëtarë dasmash. (“Ndiqni të paktët, jo njerëzit vulgarë…” Petrarka) Është edhe më turp pastaj, kur nderimet bëhen për motive politike, për afera vetjake, për hir të fushatave zgjedhore, pa i përfillur fare institucionet përkatëse nga duhet të vijnë propozimet. Nderimet janë katandisur në çnderime, duke i përqeshur ato dhe përcjellësit e tyre; listat e ndotin gjithçka. Dhe një pjesë e krijuesve s’mund veçse të mbeten të habitur përpara kësaj pamjeje groteske. (“Jam gati që kravatën më të mirë, t’ia fal kalit që më parë të dalë.” Esenin)
Koha është që kjo shoqëri të qëndrojë së paku një herë në problemet e saj institucionale, në defektet skandaloze të sistemit të padrejtë që ka ndërtuar edhe (e, posaçërisht) sa i përket vlerësimit e shpërblimit të njerëzve në fusha të artit. Kush i bën “listat” për filmat? Javën e shkuar pamë dy krijues - kanë një projekt për një film - në një takim me kryeministrin. Ky i fundit foli për mbështetje e fonde. U ndala në shtyp për këtë episod. Edhe pse i kam uruar dhe i uroj sërish kolegët, po sërish dua të kujtoj që në një shtet ku flitet kaq shumë për rregulla, demokraci e institucione, këto duhet të respektohen. Në rastin konkret, është QKK (Qendra Kombëtare e Kinomatografisë) ajo që shqyrton skenaret dhe vendos; (pavarësisht drojes se pa le çfarë ndodh edhe në atë institucion).
Me keqardhje, shenjat janë që egërsia e bërrylave dhe zarfeve ka zëvendësuar qasjen me kulturë dhe drejtësi në çdo arritje letrare apo artistike. Disa institucione dhe instanca shkojnë gjithnjë e më shumë drejt autoritarizmit, janë të zhytura në korrupsion e klientelizëm, kurse përqark shihet vetëm kaos. Mund të kujtoj ndërkaq se jo rrallëherë ka ndodhur kështu: Merr tjetri një shumë të madhe, vjelë nga taksapaguesit e mjerë, dhe realizon një film (mbase edhe dramë) me vlera të kufizuara e, pas një premiere të vakët, nuk gjen spektatorin, humbet me gjithsej…
Sillni nëpër mend sa krijime të tillë nuk janë më të publikut, nuk përmenden askund, pa le më të jenë pjesë e ndonjë eventi të njohur jashtë vendit. Ndërmendni sa “vepra letrare” janë nderuar këto kohë me çmime, me gjithfarë çmimesh, por askush nuk e di nëse janë shitur syresh nja… dhjetë kopje të tyre apo jo; dhe as librat, as autorët nuk gjenden e nuk “listohen” më kurrkund. Pse janë kaq jetëshkurtër shumica e tyre? Pse nuk dëgjon asgjë për veprat e përkthyera në ndonjë gjuhë të huaj me fondet e aksh ministrie? Sepse përzgjedhja është bërë mbi baza miqësie e klani. Shpesh, një krijim fillon atje ku mungon gjetja; dhe ja tek u dogj me gjithsej, pa filluar. Ajo që është mirë për publikun, mund të jetë jashtë listës; ec e gjeje.
Në disa shkrime, jam përpjekur të theksoj se është momenti që në fushën e letrave e të artit t’u lëmë vendin e duhur Tregut dhe Kritikës. Nuk ka dhe nuk mund të ketë letërsi e art përtej këtyre treguesve; edhe nëse po, do të ishte një gjë fort e rrallë. (“Statistikat janë zemra e demokracisë.” S. Strunski) Pra, hidhu një sy “statistikave”, shiko si realizohen botimet, kush gjendet realisht në treg, kujt i shkon pas mendimi letrar, jo në ndonjë blog të panjohur, por në gazetat kryesore të vendit; atje edhe bëj investimin e… nderimin, atje filloje edhe atë të uruar listë.
Njoh shkrimtarë shumë të mirë, veças nga ata që jetojnë jashtë vendit, krejtësisht të mënjanuar nga mediat dhe institucionet. Ndërkaq, të tjerë letrarë kulisash, gjenden përherë aty përqark, në promovime, në takime të sforcuara, në thashetheme “artistike”, në pëqinjtë e drejtuesve të insitucioneve, në mos edhe “qendra e botës” kur vjen fjala për vlerësime, projekte e… lista. Por këto raporte - me ndikim, me ndërhyrje, me klane, me përgjunjie - kanë shkatërruar klimën dhe kanë konfuzuar tregun dhe lexuesin e spektatorin. Kurse institucionet jo rrallëherë mbajnë anën e shkatërruesve.
Ndodh që në komisione e juri të jenë individë që për vete nuk kanë shkëlqyer në asgjë, asnjëherë. Por Zoti s’t’i jep të gjitha; ata kanë aftësinë të “orientohen” mbarë në çdo prapësi. Madje, në disa komisione e juri duket sikur vendos ndonjë Uriah-Ip; ndryshe nuk mund të shpjegohet mënjanimi i autorëve të afirmuar dhe të shpallur si të tillë: sepse librat e tyre botohen nga vetë shtëpitë botuese, jo me lekët e “shkrimtarit”; sepse ata kanë një auditor, librat e tyre shiten njëfarësoj; sepse ata njihen mirë nga lexuesit, nga mediat dhe nga mendimi letrar i kohës. Dhe është vërtet e habitshme: Çfarë kërkojnë juritë dhe komisionet përtej vlerësimit të Tregut, Mendimit Kritik dhe të Mediave, ndërkohë që shumica e të listuarve të tyre mjerisht nuk e kanë këtë “pasaportë”! (“Ky djalë s’dika pikat se ku vihen...” Shekspir)
Klanet dhe klientelizmi po mpakin besimin tek arritja, po e rrënojnë edhe atë pak çka mbetet nga prurjet e mira në letërsi dhe arte. Por gënjeshtra dhe shtirja mund të dehin vetëm të paditurit. Duhet dhe mund të dalim nga ky rreth i mbyllur, shtypës. Edhe pse ende jemi në kushte kaosi, e jo vetëm në art, ekspertë të vërtetë të tekstit, antologjistë të ndershëm e profesionistë, estetë seriozë të pakomprometueshëm duhen inspiruar… që të shqyrtojnë nga afër dhe me profesionalizëm krijimtarinë e këtyre kohëve. Ata mund të ndajnë prurjet e vlerta nga grafomania, letërsinë dhe artin që komunikon me njerëzit nga qasjet vanitoze e snobiste, përpjekjet për të qenë vetvetja nga botimet e mërzitshme brenda apo në kufi të klisheve të vjetra e të reja. Listat kanë qenë dhe mbeten të përkohshme.
© Vangjush Saro








