Blog

Humanizmi i munguar dhe instalimi i komunizmës - Nga Ilir Levonja

1) Në protestën e 11 tetorit 2024, ndodhi një incident në prapavijë. Askush nuk foli për të. Një nga gardistët ishte shtruar në spital i lënduar. Në dhomë me të ndodhej edhe një nga qytetarët opozitarë, edhe ky i plagosur. Ministri i Punëve të Brendshme apo i Rendit, shkoi për vizitë aty, por kur e njoftuan se polici ndodhej në të njëjtën dhome me një qytetar protestues, edhe ky i rrahur, u tërhoq. Dha urdhër të pastronin dhomën, me një fjalë të hiqnin nga aty protestuesin ose policin. Dhe ashtu u bë, hoqën protestuesin, kësisoj ministri me kamerat televizive, vizitoi policin e plagosur. Fytyrë vrenjtur kërcënoi publikisht se do burgoste këdo që do dilte në rrugë, megjithëse pas betimit mbi Kushtetutë, i bie që çdo shef dikasteri, gjithkush që bëhet ministër i përket qyetarëve dhe jo partisë nga ai vjen. Pastaj edhe për humanizëm, pasi të dy lënduarit janë qytetarë shqiptarë, janë të së njëjtës kombësi, gjaku dhe identiteti. Po të ishte një ministër ta zëmë, gjerman, italian, francez, grek, kroat, amerikan po e po..., do i kishte takuar të dy. Do ta gjykonte si një shans të artë për të kontribuar sadopak mbi ngritjen në nivelin kohor të komunikimit, në zbutjen e gjakrave, hapjen e rrugës arsyes.

2) Ministri në fjalë, me një mbiemër që të tremb (Hoxha), nuk e bëri një gjë të tillë. Nuk u ngrit dot në nivelin e statusit të tij. Nuk e përfaqësoi dot Kushtetutën, mbi të cilën u betua, për rrjedhojë nuk ka se si të jetë i nivelit gjerman, italian, francez, grek, kroat, amerikan jo e jo. Nuk ka si ta kuptojë se si mund të debatohet me të, se si mund të ketë qytetarë që mendojnë ndryshe nga ai. Ndryshe nga ai emri i tmerrshëm që vrau e preu sa deshi, bash për mendimin ndryshe. ''Jam dishepulle e Sami Frashërit... Nuk kam nevojë që të jem komuniste për ta dashur vendin tim. Unë e dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua progresin e tij. Edhe pse ju keni fituar luftën, edhe pse ju keni fituar zgjedhjet, ju nuk mund t'i persekutoni ata që kanë mendime të ndryshme politike nga ato tuajat. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju po më dënoni për idetë e mia. Unë nuk kërkoj falje, sepse unë nuk kam bërë asnjë faj!'' u shpreh Musine Kokalari në një nga gjyqet publike. Edhe atëhere vetëm sepse mendonte ndryshe.

3) Sot një sërë pikëpytjesh po gëlojnë se kush dha urdhër që Policia e Shtetit, Garda e Republikës të futen në Kuvend dhe të bllokojnë punimet e ditës. Eshtë fare e thjeshtë, e keni përgjigjen tek fjalët e Musine Kokalarit. Keni një kryeministër, komunist, një ministër komunist, një kryetare Kuvendi komuniste. Kësisoj mos u çudisni që shumë shpejt të rihapen edhe kampet e internimit. Kishte apo nuk kishte pistoletë gardisti me fytyrën plot kërcënim, prapë përgjigjen e keni tek fjalët e Musinesë. Komunizmi është farë e fortë, nuk vdes kollaj. Ka fuqinë ta bëj dinamitin llokum me arra. Hapni arshivat e përndjekjeve dhe persekutimeve. Lëçisni At Zef Pllumin. Komunisti punon me plane afatgjatë. Si tha ai, do kandidoj, pasi me punën që po bëj, Shqipëria i bie të futet në Europë më 2030.

4) Tre paragrafët e mësipërm, sjellin një përfundim brutal, ri-instalimin e komunizmit. Dhe që të futet në Europë, Shqipërisë i duhet t'i bjerë nga Kina. Shqiptarët bëjnë mirë të lënë mënjanë postulatin se ç'më duhet mua. Atë ta bëjnë për veten, jo për mua. Madje duhet të nxitojnë, pasi shumë shpejt do gjënden para kontrolleve të befta, natën, herët, në mes të rrugës. Jo rastësisht studiove diskutohet shtetari i fortë Enver Hoxha. Ose të dalin hapur na pëlqen komunizmi, nuk duam demokraci, duam të na sundojnë.

© Ilir Levonja - SHBA