Histori me burgosje, konflikte dhe hile - Nga Vangjush Saro
Shkojnë fjalitë vetiu drejt një stili absurd, teksa mendon që (edhe) kjo “epokë” e tanishme, shumë pis po duket. Kur themi “epokë”, në thonjëza, besoj merret vesh se nënkuptohet që po jetojmë një dramë të zgjatur, me burgosje, konflikte dhe hile; qasje që nuk i bëjnë nder vendit. Po. Ndjejmë një lloj pabesie në atë çfarë po i ndodh sot Shqipërisë dhe… Shqiptarisë; në atë çfarë po i ndodh demokracisë dhe paqes.
Doemos që më së pari do të fajësojmë politikën, edhe pse është bërë bozë kjo teori. Por, duke e marrë më shtruar, e vërteta është që, ndër dekada, politikanët shqiptarë gjithnjë i kanë braktisur qytetarët e tyre; së paku nga A. Zogu e këtej. (Edhe pse Mbretit, personalisht, i vlerësoj disa rrethana, bie fjala që siguroi një lloj mbijetese të atij shteti të brishtë për një dekadë e gjysmë. Edhe disa sjellje. P.sh. kur i bënë atentat dhe, pas pak, u rikthye në Parlament me krahun e fashuar. Ndërsa E. Hoxha dhe shteti i tij, që një sërë i përndoqi keq fare, kur binin tërmete, i rregullonte njerëzit shpejt dhe falas.) Ani. Pamja - që historia ndonjëherë përpiqet ta fshehë - ishte dhe mbetet ajo me shumë hije. Bie fjala, një e tillë ishte ndarja e Shqipërisë Socialiste nga Bota; për më keq, edhe nga ajo pjesë e saj që quhej Blloku Komunist. (Edhe pse me kufizime, atje kishte disa mundësi për më shumë hapësirë e lëvizje të lirë, për një lloj bashkëpunimi ekonomik e kulturor, për ndonjë botim më të përparuar, etj…)
Pas vitit ’90, kur Shqipëria “u kthye” në Perëndim, në fakt vetëm sa ktheu sytë nga Perëndimi, ne menduam se po i linim pas ato 45 vjet me halle, (kush më shumë e kush më pak). Ne menduam se mund të shfaqeshin pamjet plot dritnim e sakrificë të Rilindjes Kombëtare, kur njerëzit, sidomos ata më fisnikët, falën pasuritë e tyre për të bërë Shqipërinë. Menduam se në rendin e ri, gjithçka do të ishte ndryshe. (Dhe mund të themi që pat ndonjë përparim, si ikja nga izolimi i pashoq, varfëria dhe përndjekja ekstreme.) Por ajo çfarë ka pllakosur, me pabesira në zgjedhje, me shfryrje inatesh ndaj kundërshtarëve dhe me (palo) “përkushtimin” e politikanëve ndaj qytetarëve, është një pamje e varfër dhe zhgënjyese; kjo, edhe për shkak të lidhjeve të dukshme me të shkuarën, në mentalitet dhe brezni. (“Askush nuk është aq i pasur, sa të mund të blejë të kaluarën e vet”. O. Uajlld)
Ku Shqiptaria, ku politika! Ja tek jemi, dekadë pas dekade, në situata që i larguan edhe dritëhijet dhe lanë vetëm hije. Liderët - Zot, ç’fjalë përkëdhelëse! - bëjnë kryq vetëm për veten, për familjet e tyre, për klanet; ata tradhtojnë popullin, madje edhe popullin votues, në mos edhe ata të seksionit më të afërt të Partisë. Dhe zilia për Parlamentin, për pushtetin, për fitimet, ua ka errur sytë të gjithëve. Dhe pluralizmi po na duket “i tepërt”. Dhe kolegët apo opozitarët, madje edhe “tanët”, jemi duke i parë gjithnjë e më shtrembër; ç’po them, i kemi dërguar dhe po i dërgojmë nëpër burgje. Dhe i mbajmë atje pa gjetur ende gjithë ç’duhet për t’i syrgjynosur…
Shqiptaria po paguan të shkuarën dhe fatin. Edhe po të hedhim sytë rreth e qark, hije kemi me shumicë. Në Maqedoninë e Veriut, nuk ka pasur dhe nuk ka mbrothësi, qetësi e paqe; veças për shqiptarët e atjeshëm. Janë të njohura problemet e diskriminimit të Gjuhës Shqipe dhe mungesa e Shqiptarisë në tekstet e shkollave. Ajo që po ndodh në Kosovë, gjithashtu është e errët dhe e frikshme; (se nuk dua të përsëris atë punën e dështimit të Parlamentit, ngaqë e kam shkruar një herë më parë).
Sidoqoftë, mund të kujtojmë se si këta (politika, pra) premtuan që do të bashkëpunonin, do të bëheshin mbledhje të rregullta mes dy qeverive, pra të Shqipërisë dhe Kosovës dhe, krahas shtegtimit për në BE, do të kompozohej pak edhe nga pak ribërja e kombit. Sa për mbledhjet, mund të jetë realizuar ndonjë e tillë, mbase për t’u dukur se po lëvizin gjërat. Një lloj show; por vetëm kaq. Skena dhe pamjet janë sërish me shumë hije.
Ngado që ta vërtisim argumentin, ka diçka që nuk shkon në këtë histori; fillon herët dhe përfundon në të sotmen, në të tashmen. S’mund të thuhet që gjetkë është Parajsa. Por edhe kaq mosbesim mes vedi, kaq shumë konfliktualë e larg interesave të qytetarëve, për më tepër brenda kufijve të Evropës, s’mundet! Kështu. Tash se si do të fryjnë erërat dhe a do të ndryshojnë pamjet, vështirë ta themi… Por, të paktën, e dëshirojmë si kurrë ndonjëherë. (“Deti më i bukur ende s’është lundruar.” N. Hikmet)
© Vangjush Saro - Vancouver
















